Lidhje

Kryetari i PD-së kritikon hezitimin e Presidentit Moisiu për thirrjen e Parlamentit të ri


Kryetari i Partisë Demokratike dhe kandidati për kryeministër i maxhorancës së re të djathtë, Sali Berisha, deklaroi sot se Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, nuk po u përmbahet detyrave të tij kushtetuese, duke mos e thirrur parlamentin e ri shumë ditë zgjedhjeve të 3 korrikut. “Presidenti ka patur të gjitha atributet e nevojshme për të thirrur parlamentin pas datës 26 korrik pa asnjë lloj vështirësie. Në funksion të strategjisë së Fatos Nanos, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka lejuar vetes, në dhunim të Kushtetutës, të mbajë pa shpallur deputetë jo një, dy a pesë, por dyzetë deputetë të listës proporcionale, listë e cila nuk mund të lëvizte kurrë me më shumë se një, dy apo tre deputetë. Kështu që nuk mendoj se Presidenti i është përmbajtur Kushtetutës dhe detyrimeve të tij kushtetuese”.

Zoti Berisha tha se mandatet e 2-3 deputetëve nga listat proporcionale nuk mund të pengojnë mbledhjen e parë të parlamentit, ndërsa ata mund të shtoheshin disa ditë më vonë. Ai theksoi se situata paszgjedhore është e brishtë dhe e paprecedent. Sipas tij, socialistët që humbën, nuk i njohën rezultatet e zgjedhjeve; ata e lanë vendin pa qeveri, dhe tani po përpiqen që përmes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ta lënë Shqipërinë edhe pa parlament.

“Mendoj se situata paszgjedhore në Shqipëri është e paprecedent në historinë e këtij kontinenti. Nuk kam dëgjuar kurrë se zgjedhjet parlamentare me një raund nuk mbyllen dot as pas dy muajsh, siç po ndodh në Shqipëri. Dhe kjo ndodhi vetëm për shkak të vullnetit politik të Fatos Nanos dhe të qeverisë së tij, të cilët që në fillim nuk e pranuan rezultatin e zgjedhjeve dhe bënë çdo përpjekje për të penguar rotacionin politik dhe për të mbajtur vendin pa qeveri. Dhe tani së fundi, në mënyrën më të pakonceptueshme ata mendojnë se vendi mund të rrijë edhe pa parlament,” tha kryetari i PD-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 3 korrikut më datën 2 shtator, ndërsa priten reagimet zyrtare të Presidentit Moisiu.

XS
SM
MD
LG