Lidhje

Varrosen dy të rinjtë serbë të vrarë në afërsi të Shterpcës


Të martën në komunën e Lipjanit, rreth 30 kilometra në jug të Prishtinës u varrosën dy të rinjtë serbë, Aleksandër Stankoviç dhe Ivan Dejanoviç, të vrarë në rrethana të paqarta natën ndërmjet të shtunës dhe të dielës në afërsi të komunës së Shtërpcës në Kosovën Jugore. Ata u vranë dhe dy shokë të tyre u plagosën kur mbi ta u shti me armë zjarri nga një makinë në lëvizje.

Ende nuk ka të arrestuar në lidhje me këtë vrasje e cila ndodh në një periudhë delikate për Kosovën. Autorietet më të larta ndërkombëtare dhe vendase në Kosovë, e kanë dënuar vrasjen, duke kërkuar nga organet e rendit që të bëjnë të pamundurën për të ndriçuar rrethanat dhe autorët e saj. Njëkohësisht ata kanë bërë thirrje që të mos spekulohet me vrasjen dhe të mos paragjykohen autorët përderisa hetimet vazhdojnë.

Në Uashington, zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Shon McKormak, shprehu zemërim për vrasjet në Kosovë ndërkohë që u bëri thirrje banorëve të ruajnë qetësinë dhe të ndihmojnë policinë për të sjellë autorët përpara drejtësisë. Ai tha se megjithëse motivet e vrasjes nuk janë zbuluar akoma, është detyrë e autoriteteve të Kosovës të mbrojnë pakicat. "Cilatdo qofshin motivet e krimit, udhëheqësit e Kosovës duhet të vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar lirinë e qarkullimit dhe për ta bërë popullatën e minoriteteve të ndihet e sigurt. Aftësia e institucioneve të Kosovës për parandalimin e vrasjeve të tilla në të ardhmen do të jetë një provë e rëndësishme për aftësinë e Kosovës për vetëqeverisje," tha zëdhënësi.

Edhe Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i dënoi sot vrasjet në Kosovë. Ai tha në një deklaratë se një ngjarje e tillë nuk i shërben interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj, por bie në kundërshtim me përpjekjet që po bëhen për zgjidhjen e drejtë të statusit përfundimtar.

XS
SM
MD
LG