Lidhje

Në Tiranë rindizen debatet për uljen e taksave dhe zhvillimin e ekonomisë


Debatet mbi çështjet ekonomike po mbizotërojnë sërish skenën politike shqiptare, ndërkohë që po skadojnë afatet për mbledhjen e parlamentit të ri. Ministri socialist i Financave, Arben Malaj, tha në konferencën e tij të fundit për shtyp se objektivat ekonomike për periudhën janar - korrik 2005 janë realizuar. Ai tha se qeveria e re e Partisë Demokratike do t’i duhet të vazhdojë punën me dokumenta afatmesme tashmë të miratuara.

“Vendosja në kohë e kontakteve, nënshkrimi në kohë i marrëveshjeve që kanë ciklin e tyre normal me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, miratimi në parlament i marrëveshjeve të ndryshme të kredisë që kanë ardhur në mbështetje të projekteve për ekonominë shqiptare, shpejtësia me të cilën do të veprohet dhe sidomos cilësia me të cilën do të negociohet mbeten si sfidë, e patjetër edhe si një ambicje për të asistuar edhe ne në funksionet tona të opozitës”- tha zoti Malaj.

Por specialistë të ekonomisë janë skeptikë për treguesit e ekonomisë shqiptare gjatë 2005, dhe sipas tyre nevojiten ndërhyrje energjike për ndryshimin e situatës. Menaxheri i kërkimeve në Institutin e Studimeve Bashkëkohore, Selami Xhepa, thotë se shifrat e vitit 2005 janë realizuar sepse planifikimi ekonomik është bërë me rezerva. Ndërsa si hap të parë ai përmend një reformë të thellë që duhet ndërmarrë në sistemin e taksave. “Duke patur parasysh që gjatë gjithë kësaj periudhe ekonomia jonë ka qenë karakterizuar nga një evazion mjaft i lartë i evazionit fiskal (llogaritjet dhe institucionet ndërkmbëtare kanë provuar që shkalla e evazionit fiskal është në përmasa të mëdha, që mund të arrijë mbi 11% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar GDP), si nivelet e larta të taksave por sidomos dobësitë në sistemin e administrimit tatimor kanë qenë dy hallkat më kritike që kanë krijuar këtë evazion fiskal” - tha ai.

Zoti Xhepa thotë se në programin 100 ditor të qeverisë së re do të fillohet me uljen e taksave për biznesin e vogël dhe rishikimin e taksave në fusha të tjera, duke u koordinuar gjithçka për vitin e ardhëm me buxhetin afatmesëm. “Mendoj që programi i reformave tërësore do të harmonizohet me një frymë të caktuar kohore dhe besoj që do të ruhet ekuilibri fiskal. Reformimi i taksa-tatimeve, sipas përllogaritjeve në programin elektoral të Partisë Demokratike, mendoj që do të krijojë edhe një shëndoshje të financave publike, duke krijuar efekte multiplikatore për zhvillimin e sektorit privat. Dihet që një ulje e barrës së taksave konsiderohet si alternativa bazë për të krijuar punësim në sektorin privat” - tha zoti Xhepa.

Premtimet e Partisë Demokratike për uljen e taksave dhe tatimeve nxitën debate të ndezura në rradhët e zyrtarëve dhe politikanëve shqiptarë. Por debatet e deritanishme janë mbizotëruar nga emocionet politike të fushatës zgjedhore, ndërsa pritet që diskutimet mbi taksat dhe zhvillimin ekonomik të vendit të jenë më teknike e profesionale me fillimin nga puna të qeverisë së re.

XS
SM
MD
LG