Lidhje

Autokolona me ndihma mbërrijnë në New Orleans për viktimat e uraganit


Mijëra trupa të Gardës Kombëtare ndodhen në New Orleans për të çuar artikuj jetikë për qytetin e shkatërruar nga përmbytjet dhe për të evakuuar dhjetra mijëra njerëz që janë në kushte shumë të këqia.

Është autokolona e parë me kamionë që hyn përmes ujrave, që kur uragani Katrina goditi qytetin të hënën.

Dhjetra-mijëra banorë mbeten të bllokuar në kushte higjiene që sa vijnë e keqësohen. Shumë prej tyre nuk kanë patur ushqime, ujë dhe ilaçe për ditë të tëra dhe janë lutur në dëshpërim për ndihmë.

Presidenti Bush tha se masat pas katastrofës ishin të papranueshme, para se të nisej në zonat e prekura.

Në Alabama ai falenderoi ekipet e shpëtimit për përpjekjet për të shpëtuar jetën e njerëzve dhe për të vendosur rendin. Ai tha se të gjitha gabimet që ishin bërë do të ndreqeshin.

Në Washington, udhëheqësit e grupeve afrikano-amerikane i quajtën masat të pamjaftueshme dhe të ngadalta, duke thënë se varfëria dhe ngjyra e njerëzve nuk duhet të jenë faktorë për të përcaktuar se kush jeton dhe vdes.

12 mijë njerëz janë dërguar me autobus nga New Orleansi në një stadium të Hjustonit në Teksas, për të cilin autoritetet thonë se është mbushur plot e për plot. Ndërkohë situata e sigurisë mbetet problem për New Orleansin, ku të paktën dy godina janë djegur.

XS
SM
MD
LG