Lidhje

Vdes Kryetari i Gjykatës së Lartë, William Renkuist


Mbrëmë, vdiq në moshën 80-vjeçare Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, William Rehnquist, pas një beteje për afër 1 vit me kancerin në tiroide. Zoti Rehnquist shërbeu për 33 vjet në këtë post, që nga viti 1986. Ai vdiq në shtëpinë e tij në periferi të Washingtonit, me tre fëmijët e tij tek koka e shtretit.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Bush shprehu dëshpërim të thellë për vdekjen e zotit Rehnquist. Ai bëri sot një deklaratë, duke e cilësuar vdekjen një humbje të madhe për sistemin gjyqësor të vendit. Presidenti tha se zoti Rehnquist ishte një njeri shumë i respektuar për intelektin e tij të fuqishëm dhe përkushtimin e thellë ndaj zbatimit të ligjit.

Gjatë qëndrimit të gjatë në postin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, zoti Rehnquist u dallua për pikëpamjet e tij të vendosura konservatore, sidomos për çështjet e kushtetutës. Vdekja e zotit Renquist krijon një tjetër vend bosh në Gjykatën e Lartë prej 9 vetësh, pas daljes në pension të gjykatëses Sandra Day O’Connor.

Presidenti Bush tani ka rastin e pazakontë që të emërojë dy anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë, në të njëjtën kohë. Ai tha se është në intersin e vendit zëvendësimi sa më shpejtë i dy vendeve në Gjykatën e Lartë dhe la të kuptohet se do të zgjedhë shumë shpejt një kandidat për zëvendësimin e zotit Rehnquist. Këtë javë, Senati është në plan të fillojë një seancë për konfirmimin e personit që do të plotësojë vendin tjetë bosh në Gjykatën e Lartë, me gjykatësin e Gjyaktës së Apelit, John Roberts.

Portret i ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë

William Hubbs Rehnquist lindi në shtetin Wisconsin në vitin 1924. Ai u rrit në një familje të pasur, nga e cila trashëgoi respektin e prindërve për udhëheqësit e Partisë Republikane. Në fëmijëri, ai i vinte vetes objektiva jo të lehtë për t’u arritur. Madje një herë ai i tha një mësuesi se ëndërronte që gjatë karierës së tij të ndryshonte botën. Në vitet e adoleshencës gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai punonte vullnetarisht në lagje për mbrojtjen civile ndërsa më vonë hyri në radhët e forcave ajrore.

Renquist u diplomua nga Universitetet Stanford dhe Harvard ndërsa në vitin 1952 mori diplomën jurist dhe u nderua si studenti më i mirë i klasës. Ai njihej si një debatues i aftë me pikpamje konservatore. Po atë vit, ai filloi karrierën si ndihmës i anëtarit të GJykatës së Lartë Robert Jackson, i cili ishte kryprokuror i gjyqeve të Nyrembergut për krimet naziste. Pas 18 muajsh në këtë detyrë, ai filloi karrierën si jurist duke u bërë ndihmës i Prokurorit të Përgjithshëm në Departamentin e Drejtësisë dhe duke u aktivizuar gjithnjë e më shumë nëm politikat republikane.

Në vitin 1972, në moshën 47 vjeçare, Renquist u emërua nga Presidenti Richard Nixon si anëtar i gjykatës së lartë. Juristi Tom Goldstein, i cili ka argumentuar dhjetra raste gjyqësore përpara Gjykatës së Lartë, thotë se historia do ta gjykojë zotin Renquist si arkitektin e një revolucioni republikan në këtë gjykatë. Ai thotë se zoti Renquist filloi të lerë gjurmët e tij para 30 vjetësh, me opinionet e paraqitura prej tij për çështje të tilla si të drejtat e shteteve dhe marrëdhëniet midis kishës dhe shtetit. Në raste të tilla, shpesh ai shkonte kundër rrymës, por gjithmonë vinte koha, thotë zoti Goldstein, që pikpamjet e tij përqafoheshin nga shumica. "Ai është arkitekti i lindjes dhe zhvillimit të ideve juridike konservatore në Amerikë. Ai është një figurë historike dhe pikërisht si i tillë do të mbahet mend. Ai i administroi shumë mirë gjykatat federale. Veç kësaj, ai solli një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si ne e mendojmë ligjin për çështjet që ndikojnë në jetën e njerëzve," thotë juristi Goldstein.

Jo gjithmonë William Renquist ishte në gjendje ta bindëte Gjykatën e lartë për pikpamjet e tij. Për shembull në vitin 1973, kur u mor vendimi që e shpallte abortin të ligjshëm, ai ishte në pakicë. Dhe në disa raste të tjera të paraqitura në Gjykatën e Lartë, kur ai ishte kryetar i saj, Gjykata vazhdoi të votonte në favor të së drejtës së gruas për të vendosur vetë për abortin. Në vitin 1986, Renquist u emërua nga Presidenti Reagan si kryetari i 16 i Gjykatës së Lartë. Në këtë ppost, ai shpesh arriti të krijonte një shumicë të ngushtë e cila ndihmoi të transferoheshin më shumë kompetenca nga qeveria federale drejt shteteve.

Në vitin 1988, ai ndihmoi në krijimin e një postit të një hetuesi të posaçëm, i cili më vonë u përdor për hetimin e Presidentit Clinton. 11 vjet më vonë, William Renquist kreu një detyrë të pazakontë: kryesoi gjyqin në senat për shkarkimin e mundshëm të presidentit Clinton. Zoti Clinton u shpall i pafajshëm.

Pas zgjedhjeve të debatueshme të vitit 2000, zoti Renquist kryesoi seancat për dëgjimin e çështjes Bush-Gore, ku duhej vendosur nëse votat në shtetin e Floridës duheshin numëruar përsëri. Ai mbështeti qendrimin e zotit George Bush, sipas të cilit votat nuk duhet të numëroheshin përsëri. Ky vendim në fakt çoi në zgjedhjen e zotit Bush sik President i 43-të i Shteteve të Bashkuara. Pas diagnostikimit me kancer të tiroideve në vjeshtë të vitit të kaluar, zoti Renquist nuk doli në publik për një farë kohe. Në janar 2005, ai kryesoi ceremoninë e betimit të presidentit Bush kur ai filloi mandatin e tij të dytë. Në pranverë të këtij viti, zoti Renquist u kthye në Gjykatën e Lartë për të marrë pjesë në argumentimet e çështjeve të ndryshme.

XS
SM
MD
LG