Lidhje

Bush: Hetime për çfarë nuk funksionoi në masat për uraganin


Presidenti Bush tha se do të kryhen hetime për të parë se çfarë nuk funksionoi me masat që mori qeveria gjatë ditëve të para pas uraganit Katrina. Presidenti tha se administrata e tij është e angazhuar për të përmirësuar atë që nuk funksionoi siç duhet dhe për të ndihmuar personat që kanë nevojë.

Presidenti tha se administrata e tij do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar viktimat e uraganit. Por Presidenti Bush e pranoi gjithsesi se masat fillestare të mara nga qeveria gjatë ditëve të para, ishin të pamjaftueshme dhe se ai dëshiron të dijë përse. “Unë kam në plan kryerjen e hetimeve për të parë se çfarë funksionoi dhe çfarë jo.”

Presidenti tha se përgjigja e duhur në raste të tilla është një çështje që ka që bëjë me sigurinë kombëtare dhe vuri në dukje se Amerika ende jeton, në atë që ai e quajti, “një botë të trazuar”. Vendi, tha ai, duhet të jetë i përgatitur për të përballuar fatkeqësi nga më të mundshmet, që nga uraganet tek sulmet terroriste. Por megjithëse premtoi hetime, presidenti nuk kritikoi publikisht ndonjë prej zyrtarëve të lartë, për të cilët ka patur kritika.

Një prej tyre është Michael Brown, drejtori i Agjencisë Federale për Situatat Emergjente. Mes atyre që kanë kërkuar shkarkimin e tij është edhe gazeta më e madhe e qytetit Nju Orleans të përmbytur nga pasojat e uraganit. Presidenti tha se është normale që njerëzit kërkojnë gjetjen e fajtorëve, por ai shtoi se për momentin përparësitë e tij janë më të rëndësishme se sa, siç u shpreh ai, “të hyjë në lojin e fajit”. “Tani na duhet të zgjidhim problemet. Do të ketë kohë të mjaftueshme më pas, për të përcaktuar se çfarë u bë mirë e çfarë u bë gabim”.Presidenti i bëri këto komente për gazetarët pas një mbledhje të kabinetit të tij. Administrata, tha ai, do të bëjë përpjekje maksimale derisa rindërtimi nga uragani Katrina të përfundojë. “Janë të shumtë ata që po bëjnë punë shumë të mira. Por kemi shumë për të bërë në të ardhmen. Dhe kjo është ajo që do të bëjë qeveria.”

Presidenti Bush tha se do të dërgojë nën presidentin Dick Cheney në vendet e Gjirit të enjten për të vlerësuar përpjekjet e rindërtimit dhe për të gjetur rrugë për të shmangur pengesat burokratike në sektorë të tillë si strehimi e shëndeti publik. Një prej shqetësimeve tha presidenti është si t’u dërgohen pagesat e pensioneve të moshuarve që humbën shtëpitë dhe tani nuk kanë adresë postare.

Pas takimit të kabinetit, Presidenti Bush bisedoi me drejtues të organizatave të ndryshme bamirëse që po ndihmojnë të evakuuarit me strehë e ushqime. Ai i falenderoi ata për punën e bërë dhe u shpreh i pakënaqur me ata që i kanë cilësuar të evakuuarit nga uragani Katrina si refugjatë. “ Qëndrimi im dhe i atyre me të cilët bisedova sot, është se njerëzit për të cilët ne po flasim nuk janë refugjatë. Ata janë amerikanë, dhe ata kanë nevojë për ndihmën, dashurinë dhe dhimbshurinë e qytetarëve tanë.”

I ndodhur mes kritikave për përgjigjen fillestare të qeverisë, presidenti e ka patur rendin e tij të ditës të ngarkuar me aktivitete që janë të lidhura me stuhinë.

XS
SM
MD
LG