Lidhje

Ambasadorja amerikane në OSBE: status-kuoja në Kosovë e papranueshme


Qeveria amerikane mendon se status-kuoja në Kosovë nuk është as e qëndrueshme as e pranueshme, theksoi ambasadorja e Shteteve të Bashkuara pranë Organizatës për Sigurimin në Evropë.

Ambasadorja Julie Finley e mori fjalën dje në një sesion të posaçëm të OSBE-së ku ritheksoi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se gjendja aktuale nuk është e pëlqyeshme nga asnjëra palë dhe mbart rrezikun e shpërthimit të dhunës.

Ambasadorja shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk mendojnë që mund të ketë një kthim prapa në gjendjen e vitit 1998, kur Kosova ishte pjesë e Serbisë, dhe shtoi se po ashtu nuk duhet të ketë ndarje apo ndryshim të territorit aktual të Kosovës. Por ajo theksoi se qeveria amerikane nuk mbështet ndonjë përfundim konkret të bisedimeve.

Zonja Finley shprehu synimet e qeverisë amerikane për t’u angazhuar aktivisht në negociatat për statusin përfundimtar, kurdo që të fillojnë ato. Zonja Finley theksoi se Uashingtoni po pret raportin e të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kai Aide lidhur me zbatimin e standarteve të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar për Kosovën.

Ambasadorja amerikane i bëri këto komente në përgjigje të fjalës që mbajti në sesionin e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviç, i cili bëri thirje për kompromis në negociatat e ardhshme për statusin e Kosovës. Ministri Drashkoviç tha se Beogradi nuk mund të imagjinojë një marrëveshje për statusin e ardhshëm të Kosovës, pa negociata. Por ai theksoi gatishmërinë e qeverisë serbe për kompromis dhe për një dialog pa kushte.

Në fjalën e tij, zoti Drashkoviç ritheksoi qëndrimin e Beogradit: “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi,” ku nënvizoi edhe kërkesën për garanci evropiane në të cilat të përfshihej një mbrojtje e serbëve të Kosovës.

Ambasadorja Finley i bëri thirrje Serbisë dhe Malit të Zi të përshpejtojë ritmet e reformave politike dhe ekonomike dhe të forcojë shtetin ligjor në mënyrë që të shpejtohet integrimi i plotë i vendit në institucionet euroatlantike. Përshpejtimi i reformave, tha ajo, do të ndihmojë Serbinë dhe Malin e Zi të kapëcejnë sfidat e mëdha që paraqet zgjidhja e së ardhmes së Kosovës, si dhe e ardhmja e bashkimit Serbi-Mal i Zi.

Ambasadorja amerikane pranë OSBE-së, ritheksoi thirjen e Uashingtonit që Beogradi të dorëzojë në Gjykatën e Hagës të akuzuarin për krime lufte Ratko Mlladiç. Derisa Gjenerali Mlladiç të dërgohet në Hagë, tha zonja Finley, Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbështesin Serbinë në përpjekjet e saj për përfshirje në nismën Partneritet për Paqe. Ambasadorja Julie Finey theksoi nevojën për masa të reja për të nxitur përparim në Serbinë jugore, veçanërisht në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe të integrimit të pakicave në institucionet shtetërore.

Takimi i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së zhvillohet ndërkohë që pritet raporti i të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kai Aide, mbi përmbushjen e standarteve ndërkombëtare për Kosovën. Shumica shqiptare në Kosovë shpreson që ky raport do të pasohet me hapjen e negociatave për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG