Lidhje

Kosovë: Autoritetet serbe dorëzojnë trupat e 45 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës


Autoritetet serbe u dorëzuan sot zyrtarëve të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë trupat e 45 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, të zbuluar në varreza masive në Serbi. Trupat që u sollën janë të viktimave nga disa pjesë të Kosovës, si nga Gjakova, Peja, Vushtrria, Fushë Kosova e Lipjani, ndërsa gjatë këtij muaji ata do t’i nënshtrohen procesit të identifikimit.

Deri tani në tri varreza masive në Batajnicë afër Beogradit dhe në Perucac e Petrovo Selo në Serbinë Lindore, janë zbuluar trupat e 836 shqiptarëve, të cilët ishin dërguar atje nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre në Kosovë.

Prej trupave të zbuluar, deri tash 566 u janë dorëzuar autoriteteve të UNMIK-ut, ndërsa në Serbi kanë mbetur trupat e 225 shqiptarëve.

Ende nuk ka të dhëna për fatin e rreth 3 mijë personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilëvë janë shqiptarë, ndërsa rreth 500 janë pjesëtarë të komunitetit serb dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë.

Disa raunde bisedimesh janë mbajtur deri tani ndërmjet përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës në përpjekje për të zgjidhur cështjen e personave të zhdukur, që cilësohet si një nga trashëgimitë më të dhimbshme të luftës së Kosovës.

XS
SM
MD
LG