Lidhje

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nderon me çmime ish senatorin Bob Dole dhe analistin Elez Biberaj


Mbrëmë në Nju Jork, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nderoi me çmimin Duart e Shpresës, ish senatorin amerikan Robert Dole dhe me çmimin për Arritje Jetësore, analistin Elez Biberaj. Ish senatori Dole dhe doktor Biberaj u vleresuan nga komuniteti shqiptaro-amerikan; zoti Doll për ndikimin e tij gjatë peridhës si senator në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe zoti Biberaj për rolin e tij gjatë një periudhe prej më shume se dy dekadash si një ndër analistët e parë në Shtetet e Bashkuara që shtroi çështjet shqiptare para një publiku anglisht folës.

Çmimi Duart e Shpresës është medalja më lartë që Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan u jep çdo vit atyre që janë dalluar për kontribute në të mirë të kombit shqiptar. Me këtë çmim janë nderuar në të kaluarën personalitete mjaft të njohura, përfshi ish presidenti Klinton, ish sekretarët e shteti Baker e Albright.

Robert Dole është një nga senatorët e parë amerikanë që u vuri veshin seriozisht thirrjeve protestuese të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1980 kur ata shtypeshin e diskriminoheshin hapur nga regjimi i Milloshevicit. Dhe sa me shumë që u njoh ketë gjëndje të rënduar aq me tepër senatori Dole iu përkushtua mbrojtjes së tyre, duke u bëre në Senat një nga zërat më të fuqishëm e më me ndikim në mbrojtje te shqiptareve.

Ish senatori Dole tha se shqiptarët kanë çështje të pazgjidhura e probleme, por gjendja e tyre kurrë nuk ka qënë më mirë se sot. Pavarësia e kosovës është vetëm çështje kohe. Në Shqipëri pavarësisht se cila parti vjen në pushtet, si pozita edhe opozita janë njësoj miq e përkrahës të Shteeve të Bashkuara. Në Maqedonim, marrëveshja e Ohrit po zbatohet, ndërsa në Mal të Zi,ndërsa kjo republikë bën përpjekje për pavarësi, çështja e të drejtave të shqiptarëve e shqiptarëve kanë dalë në plan të parë. Zoti Dole përshëndeti fitorën e demokratëve në Shqipëri, dhe i uroi shërim sa më të shpejtë, presidentit të Kososvës Ibrahim Rugova, i cili kishte planifikuar të merrte pjesë në ceremoninë e mbrëmëshme, por e anuloi vizitën për arsye shëndetësore.

Për senatorin Dole thuhet se është një nga figurat më të larta me kohëzgjatje më të madhe në partinë republikane. Por përpara se zoti Doke të bëhej figurë e njohur, si kongresmen, senator e kandidat presidencial, ai ishte një shtetas i zakonshëm që i shërbente me heroizëm atdheut të vet.

Në vitin 1945, në moshën 20 vjecare, toger i ushtrisë amerikane Bob Dole dergjej plotësisht i paralizuar në një spital fushor ushtarak në Itali, si pasojë plagëve të rënda të marra në ditët e fundit të luftës së dytë botërore gjatë luftimeve për çlirimin e Romës. Kur shumëkush mendonte se jeta e tij po merte fund dhe ndërsa mjekët mendonin se edhe po të mbetej gjalle, ai kurrë nuk do të ishte në gjendje të lëvizte as nga shtrati, Bob Dole i hyri karieres politike si për të treguar se vuajtjet bëhen pengesa vetëm kur shikohen si te tilla. "Vështirësia mund të jetë një mesuese e ashpër, por mësimet e saj shpesh përcaktojnë jetën tonë", shkruan senatori Dole në librin e tij me kujtime, “Tregim i një ushtari”, botuar muajt e fundit në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë ceremonisë se mbrëmëshme, shqiptarët e Amerikës nderuan edhe studiuesin dhe analistin Elez Biberajn, autor i disa librave, dhe shume monografive e artikujve rreth ceshtjeve shqiptare. Doktor Biberaj është gjithashtu bashkëpuntor në hartimin e disa enciklopedive, perfshi atë britanike në kapitujt mbi Shqiperinë dhe shqiptarët.

Familja Biberaj mbërriti në Amerikë nga kampet e refugjateve te Italisë, në vitin 1968. Elezi atëhere ishte 15 vjeç. Prindërit e tij ishin arratisur nga Shqiperia në vitin 1951 për t'u shpëtuar burgjeve dhe persekutimeve. Ata vendosën të qëndronin në fshatrat e Malit te zi me shpresë që sapo të hapej kufiri të ktheheshin menjehëre në vendlindje e tyre, Tropojë. Por vitet kalonin dhe shpresat zbeheshin. Emigrimi i tyre ashtu si i shume të tjereve dukej se do të ishte i përhershëm. Familja Biberaj morri edhe një here rrugën e shpërnguljes, këtë herë për në Itali për të ardhur në Shtetet e Bashkuara.

Ashtu si shumica e emigranteve te rinj, Elezi kreu punë të ndryshme, pa iu ndarë për asnje çast studimeve. Në vitin 1985, zoti Biberaj morri titullin doktor i shkencave politike nga universiti i njohur Kolumbia në Nju Jork. Atëhere ai kishte filluar të njihej si një nga analistët e pakët në Shtetet e Bashkuara, njohës të çëshjtjeve shqiptare.

Mund të thuhet se doktor Biberaj, është ndoshta një nga shqiptarët e parë të emigracionit politik që zbriti në tokën shqiptare pas rënies së komunizmit me 1991, si përkthyes zyrtar i sekretarit merikan te shteti James Baker.

Doktor Biberaj është aktualisht redaktor përgjegjës në divizionin e Euro-Azisë pranë Zërit të Amerikës. Për këtë radio, doktor Biberaj filloi të punonte në vitin 1980. Më 1982 ai kaloi në divizionin e lajmeve anglisht të kësaj agjencie qeveritare dhe më 1986 u caktua shef i seksionit shqip te Zerit te Amerikes. Për afro 20 vjetë, që doktor Biberaj drejtoi këtë seksion radiofonik e më pas televiziv, bota shqiptare kaloi në faza shpërthyese e përmbysjesh të thella, më e fundit lufta në Kosovë, një zhvillim i cili do të mjaftonte për të vërtetuar tezën e mbrojtur prej dekadash nga doktor Biberaj, se Kosova ishte një fuçi baroti, prandaj edhe kërkonte vemendjen e perendimit e të Shteteve te Bashkuara.

XS
SM
MD
LG