Lidhje

Egjypt: Zgjedhjet e para presidenciale me më shumë se një kandidat shoqërohen me parregullsi


Akuzat për parregullsi në votime kanë shoqëruar zgjedhjet e para presidenciale me pjesëmarrjen e më shumë se një kandidati në Egjipt.

Pasi u hapën sot qendrat e votimit, komisioni zgjedhor vendosi të lejojë vëzhgues të pavarur nga grupe të shoqërisë civile të ndiqnin mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Por njoftimet nga mbarë vendi flasin për mashtrime dhe abuzime të tjera. Rreth 32 milion egjiptianë janë regjistruar për të votuar, por pjesëmarrja deri tani duket e ulët.

Në disa qendra votimi zyrtarët e zgjedhjeve nuk ishin të përgatitur si duhet, gjë që shkaktoi konfuzion dhe ka të ngjarë të ndikojë në numrin e votave. Në qendër të Kairos, lëvizja opozitare Mjaft e cila u bëri thirje votuesve të bojkotojnë zgjedhjet, zhvilloi një demonstratë.

Presidenti Mubarak, i cili pritet të fitojë një mandat të pestë si president, hodhi votën e tij në Kairo. Ai konkuron me nëntë kandidatë të tjerë, por vetëm 2 prej tyre, Ayman Nour dhe Noman Gomaa, pritet të marrin një numër të konsiderueshëm votash.

XS
SM
MD
LG