Lidhje

Qeveria e re synon integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe NATO


Qeveria e re e kryeministrit Sali Berisha synon që brenda dy viteve të ardhshme Shqipëria të nisë procesin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të sigurojë vitin e ardhshëm një ftesë për anëtarësim në NATO. Përmbyllja e bisedimeve për marrëveshjen e asocim stabilizimit e cila ishte lidhur ngushtë më mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve të 3 korrikut pritet të realizohet në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Ndërkaq kryeministri i ri Sali Berisha do të niset të martën për të marrë pjesë në asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju York.

Nuk kishte asnjë dyshim se dhe për qeverinë e djathtë integrimi i vendit në strukturat euroatlantike do të përcaktohej si një prioritet absolut i saj. Në programin e qeveritar të zotit Berisha janë përcaktuar edhe etapat dhe afatet që synohen të arrihen për një proces të tillë të gjatë dhe të ndërlikuar. Por ajo që e djathta premton është një përshpejtimin e ritmit.

Shqipëria për shkak të problemeve të brendshme, luftës së ashpër politike dhe përplasjeve brenda së majtës që qeveriste vendin, pati një proces të tejzgjatur të bisedimeve për marrëveshjen e asociim- stabilizimit.

Si askund në vendet e rajonit, bisedimet mes Tiranës dhe Brukselit, të hapura zyrtarisht më 30 janar të vitit 2003 nuk janë mbyllur ende as pas tre vjetësh.

Përfundimi i tyre u kushtëzua këtë herë me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por as brenda këtij viti nuk do të arrihet asgjë.

Qeveria e zotit Berisha, ashtu siç dhe ka paralajmëruar ambasadori i delegacionit të Komisionit europian në Tiranë Luzt Saltzman e siç është parashikuar dhe në programin qeveritar, do të mund të mbyllë marrëveshjen vetëm në fillim të vitit të ardhshëm.

Në program saktësohet se lufta e efektshme kundër korrupsionit, krimit të organizuar e trafiqeve do të ndryshojnë imazhin e Shqipërisë dhe shtetit shqiptar përballë partnerëve europianë dhe opinionit publik duke e bërë më të lehtë procesin integrues.

Kështu zoti Berisha parashikon që të sigurojë brenda gysmes se pare te mandatit të tij mbylljen me sukses te fazes se pare te Marreveshjes se Stabilizim-Asociimit dhe nisjen e procesit të aplikimit për anëtarësim ne Bashkimin Europian si dhe përshpejtimin e anëtarësimit në NATO duke siguruar ftesën për këtë anëtarësim gjatë vitit të ardhshëm.

Në fund të këtij muaji, ekspertët e Bashkimit europian do të kenë takimin e parë me përfaqësuesit e rinj. Do të jetë një raund teknik për të njohur njerëzit, për të diskutuar procedurat në vazhdim dhe për të përcaktuar kohën e tyre. Në krye të ministrisë së integrimit tashmë është Arenca Trashani, një emër I palakuar më parë në ambientet politike.

Megjithatë zoti Berisha ka premtuar se ai vetë do të angazhohet për ta cuar përpara procesin. Kryeministri i ri do të niset të martën e ardhshme në Nju York për të marrë pjesë në asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Mes takimeve me homologë të tij, zoti Berisha po përpiqet të sigurojë edhe një takim me presidentin e Komisionit Europian Manuel Barroso për të realizuar kështu kontaktet e para direkte me Brukselin.

XS
SM
MD
LG