Lidhje

Presidenti Bush bën thirrje për përpjekje agresive kundër propagandës anti-amerikane


Presidenti Bush mori sot pjesë në ceremoninë e betimit të shefes së re të diplomacisë publike të Departamentit të Shtetit, ish-këshilltares së Shtëpisë së Bardhë Karen Hughes. Presidenti Bush bëri thirrje për një përpjekje agresive kundër propagandës anti-amerikane në gjithë botën.

Zonja Hughes merr në Departamentin e Shtetit postin kyç që përcakton sesi paraqiten Shtetet e Bashkuara para publikut të huaj, veçanërisht në botën islamike, ku Amerika vazhdon të shihet me një sy negativ.

Në fjalimin që mbajti në ceremoninë e betimit të zonjës Hughes në Departamentin e Shtetit, Presidenti Bush shprehu besimin se ish-këshilltarja e tij ishte njeriu më i përshtatshëm për të drejtuar përpjekjet për përmirësimin e imazhit të Amerikës jashtë vendit. Ndër këto përpjekje ai tha se duhet të ishin një përgjigje më të shpejtë dhe agresive ndaj akuzave dhe njoftimeve të pavërteta për Shtetet e Bashkuara.

“I kam kërkuar Departamentit të Shtetit të përmirësojë aftësitë e qeverisë sonë për të luftuar propagandën terroriste me shpejtësi, para se të pavërtetat të zënë rrënjë në zemrat dhe mendjet e njerëzve kudo në botë. Armiqtë tanë përdorin gënjeshtrat, që të mund të rekrutojnë, stërvisin dhe indoktrinojnë. Kështuqë Karen dhe ekipi i saj kanë një detyrë jetike. Ata duhet të marrin masat që gënjeshtrat e terroristëve të hidhen poshtë me përpjekje agresive”.

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara janë ende në luftë kundër terrorizmit dhe se për të fituar në këtë konflikt, qeveria amerikane duhet t’ua paraqesë me efektivitet politikat e saj dhe vlerat e saj themelore, njerëzve kudo në botë.

Zoti Bush i krahasoi sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara me sfidën që tani paraqesin përpjekjet për rimëkëmbjen nga uragani Katrina dhe tha se është mirënjohës, ashtu si edhe pas 11 shtatorit nga mbështetja e pakursyer ndërkombëtare për viktimat e uraganit.

“Qytete dhe zona të tëra janë shkatërruar. Një nga qytetet tona më të mëdha është mbuluar me ujë. Në këtë kohë të vështirë populli amerikan, duhet të dijë që nuk jemi të vetëm në vuajtjen tonë. Do doja të falenderoja anëtarët e trupave diplomatike që janë sot këtu. Dua të falenderoj komunitetin botëror për lutjet dhe ofertat e ndihmës nga e gjithë bota. Mbështetja ndaj nesh ka qenë e madhe”.

Edhe zonja Hughes që bëri betimin para Sekretares së Shtetit Condoleezza Rice, e krahasoi katastrofën e uraganit me ngjarjet e 11 shtatorit dhe tha se reagimi ndërkombëtar për të dyja ngjarjet është frymëzues.

“Është e vërtetë, ne ishim dëshmitarë të goditjes së të pafajshmëve nga terroristët. Pamë se si të dobëtit u bënë pre e kriminelëve. Por pamë se ishte shumë i madh numri i atyre që hapën shtëpitë dhe zemrat e tyre për njerëz të panjohur, që ndihmuan ata që kishin nevojë si këtu, ashtu edhe jashtë vendit. Në përgjigjen tonë ndaj terrorizmit dhe tragjedisë, si brenda vendit, ashtu edhe në gjithë botën, ne shpesh shohim se ato që na bashkojnë si njerëz, janë gjëra shumë më të rëndësishme, sesa mosmarrëveshjet”.

Zonja Hughes, si nënsekretare e shtetit për Diplomaci Publike dhe Marrëdhënie Publike do të drejtojë marrëdhëniet e departamentit me median dhe me publikun dhe do të ketë nën mbikqyrje programet ndërkombëtare kulturore dhe të këmbimit, që kapin një buxhet prej 300 milionë dollarësh.

XS
SM
MD
LG