Lidhje

Debate të gjata në parlamentin shqiptar mbi programin e qeverisë re


Parlamenti shqiptar vijoi edhe sot diskutimet mbi programin qeveritar të hartuar nga qeveria e kryeministrit Sali Berisha, në valën e replikave lidhur me përgjegjësitë rreth keqqeverisjes dhe incidenteve të ndryshme për të cilat forcat kryesore politike akuzuan njëra-tjetrën. Gjatë seancës plenare që zgjati 6 orë paradite dhe rifilloi në mbrëmje kanë marrë fjalën mbi 95 deputetë nga pozita dhe opozita, duke diskutuar mbi tema të veçanta të programit qeveritar.

Diskutimet e deputetëve të opozitës socialiste ishin të tejmbushura nga mosbesimi për premtimet dhe objektivat e qeverisë së re. Politikanë të Partisë Socialiste pohuan se programi i qeverisë “Berisha” nuk është realist dhe se ai nuk përmban premtimet që kryeministri dhe deputetët demokratë bënë gjatë fushatës zgjedhore të qershorit.

Përfaqësuesit e të majtës shpalosën gjerësisht skepticizmin e tyre për një qeverisje të suksesshme të të djathtëve. Në diskutimet e tyre u përfshinë kritika të ngjashme, sipas të cilave, programi ishte mbushur me fraza të përgjithshme dhe se premtimet e qeverisë nuk parashikonin afate dhe procedura kohore.

Deputetët e opozitës socialiste këmbëngulën se qeveria e re e zotit Berisha nuk dha garanci gjatë paraqitjes së programit për mbrojtjen e administratës publike, në përputhje me statusin e nëpunësit civil. Grupi socialist i deputetëve shprehu shqetësim edhe për mënyrën e reformimit të organeve të drejtësisë, sidomos për prokurorinë dhe forcat e rendit publik.

Deputetët vazhdonin debatet në parlament, ndërkohë që Komisioni Qendror I Zgjedhjeve njoftoi se disa parti të vogla që nuk arritën nivelet e parashikuara në ligj duhet të kthejnë në buxhetin e shtetit rreth 50 mijë dollarë amerikanë. Një problem i ngjashëm u trashëgua edhe nga zgjedhjet e mëparshme, kur forcat politike që nuk kaluan pragun elektoral nuk i kthyen paratë e ndara nga buxheti i shtetit për fushtata e tyre zgjedhore.

Ndërsa vijonin diskutimet mbi programin e qeverisë së re, tryezat e shumë deputetëve ishin mbushur me gazetat ditore, në faqet e para të të cilave përshkruhej arrestimi një tregtari që qytetin e Durrësit, i njohur për lidhjet me zyrtarë të lartë socialistë, i cili dyshohet për kondrabandë duhani në shtatë konteinerë që u kapën në muajin mars sapo u shkarkuan në portin më të madh të vendit.

XS
SM
MD
LG