Lidhje

Kosovë: Vazhdojnë debatet për kryeministrin Kosumi


Në qendër të Prishtinës, sot qytetarët panë për herë të parë pllakata përmes të cilave një shoqatë jo-qeveritare, e quajtur Integra, kërkonte dorëheqjen e kryeministrit Bajram Kosumi. Kryeministri tha mbrëmë se ministri i energjitikës, Ethem Ceku, kishte siguruar avionin për kthim dhe se paratë kishin ardhur nga biznesi familjar i ministrit të tij.Opozita në Kosovë ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit duke e akuzuar atë për korrupsion dhe ka paralajmëruar se mund ta drejtojë cështjen në parlamentin e vendit.

Qeveria e kryeministrit Bajram Kosumi në Kosovë po kalon ditë të vështira, mes akuzave për korrupsion dhe faqeve të para të gazetave të cilat i kushtohen marrjes së 30 mijë eurove nga kryeministri për një avion të posacëm, me të cilin ai u kthye në Kosovë pas pushimeve në Turqi. Në qendër të Prishtinës, sot qytetarët panë për herë të parë pllakata përmes të cilave një shoqatë jo-qeveritare, e quajtur Integra, kërkonte dorëheqjen e kryeministri, duke theksuar se ai duhet të tregojë pak moral sic shprehet kjo shoqatë.

Kryeministri tha mbrëmë se ministri i energjitikës, Ethem Çeku, mik i tij, që kishte qenë bashkë me të, kishte siguruar sic u shpreh ai, avionin për kthim sepse kryeministri kishte një takim me ambasadorin Kai Aide. Zoti Kosumi tha gjithashtu se paratë kishin ardhur nga biznesi familjar i ministrit të tij dhe se kjo nuk mund të konsiderohej mitmarrje apo korrupsion. Ai po kështu hodhi poshtë ato që i quajti trillime për “afera seksuale”.

Opozita në Kosovë ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit duke e akuzuar atë për korrupsion dhe ka paralajmëruar se mund ta drejtojë cështjen në parlamentin e vendit. Një zyrtar i parlamentit i konfirmoi Zërit të Amerikës, se procedura në këtë rast është mjaft e qartë, do të duhej një mocion votë-besimi nga njëri prej grupeve parlamentare, dhe kryeministrit dhe qeverisë së tij, do t’i duheshin jo më pak se 61 vota për ta kaluar provën.

Nga ana tjetër, administrata ndërkombëtar nuk duket se ka ndërmend të ndërhyjë në këtë cështje. Një zëdhënëse e UNMIK-ut i tha Zërit të Amerikës, se administrate ndërkombëtare nuk do të ndërhyjë, duke ua lënë në dorë autoriteteve vendore ta zgjidhin çështjen.

Mes thënieve dhe kundërthënieve për 30 mijë eurot e avionit të posacëm për kthim nga pushimet, u përzie edhe dorëheqja apo largimi i zëdhënësit të kryeministrit Daut Dauti. Zoti Dauti pati thënë se jepte dorëheqjen ndërkohë që zyra e kryeministrit tha se zoti Kosumi I kishte sqaruar zëdhënësit të tij se do t’ia shkëpuste kontratën për punën e mëtejshme si zëdhënës sepse po kërkon kuadro me energji të reja.

Qytetarët e Kosovës, shihnin sot pllakatat përmes të cilave kërkohej dorëheqja e kryeministrit, të vendosura dukshëm në qendër të qytetit.

Kryeministri Kosumi u vu në qendër të kritikave edhe pak më parë, kur presidenti Rugova shkoi në bazën e Landshtulit në Gjermani për analiza mjeksore, dhe në Kosovë nuk gjendeshin as zoti Rugova që ishte i sëmurë, dhe as kryeministri që vazhdoi pushimet. Pas kthimit, cështja e avionit të posaçëm dhe 30 mijë eurot që ishin paguar për të, u vunë në qendër të kritikave dhe zunë faqet e para të gazetave.

XS
SM
MD
LG