Lidhje

Presidenti Bush zotohet për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga uragani


Presidenti Bush thotë se amerikanët do të bashkohen dhe do të rindërtojnë zonat e dëmtuara nga uragani Katrina ashtu siç u bashkuan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në New York e Washington para katër vjetësh. Demokratët thonë nga ana e tyre se ritmi i ulët në reagimin e administratës ndaj uraganit tregon që vendi nuk është i përgatitur sa duhet për një fatkeqësi tjetër.

Ndërkohë që amerikanët përkujtojnë përvjetorin e katër të sulmeve terroriste të 11 shtatorit nesër, Presidenti Bush thotë se dëshpërimi dhe aspekti i tragjik i asaj dite nxitën vetëmohim, kurajo e bujari.

“Katër vjet më pas, amerikanët kujtojnë frikën, pasigurinë dhe konfuzionin e atij mëngjesi të tmerrshëm, por mbi të gjitha, vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur lirinë e tyre, rindërtuar një qytet të plagosur dhe për t’u kujdesur për lagjet tona në vështirësi”.

Presidenti Bush thotë se amerikanët i shpalosën përsëri këto cilësi pas uraganit Katrina, i cili bëri të shëpërngulen qindra-mijëra banorë të brigjeve në Gjirin e Meksikës.

“Zemrat na dhembin përsëri për bashkatdhetarët tanë, tha Presidenti Bush. Shumëkush vë në pikëpyetje të ardhmen, por kemi rastin përsëri të kujtojmë se vështirësitë nxjerrin në pah pjesën më të mirë të shpirtit amerikan”.

Si anëtarë të partisë Republikane të Presidentit Bush, ashtu edhe Partia Demokrate e opozitës, kanë kritikuar ritmin e ngadaltë të përgjigjes së qeverisë ndaj uraganit Katrina, veçanërisht punën e shefit të Agjencisë Federale për Manaxhimin e krizave, Mike Brown, i cili u zëvendësua në cilësinë e zyrtarit më të lartë të ngarkuar me operacionet e ndihmave në terren.

Presidenti Bush është zotuar për hetime të mangësive në përgjigjen ndaj uraganit dhe pasojave të tij, por ligjvënës demokratë thonë se hetimet e drejtuara nga kongresi i mbizotëruar nga republikanët nuk do të jenë të paanshme.

Ata kërkojnë hetim të pavarur si ai i komisionit të ngarkuar për zbardhjen e mungësive lidhur me sulmet e 11 shtatorit.

Në fjalimin e përjavshëm në radio të demokratëve, ligjvënësi amerikan nga Misisipi, Bennie Thompson,thotë se viktimat e uraganit po vuajnë sepse qeveria federale ishte e papërgatitur për një fatkesëqi të kësaj shkalle, pasi republikanët i kanë shkurtuar fondet për zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit.

"Këto janë fonde që do të shërbenin në mbrojtjen e familjeve, komuniteteve dhe përgjigjen në kohë krize. Të pakësosh kapacitetin e policisë, zjarrfikësve dhe të gjithë ekipeve që kanë për detyrë të përgjigjen në që në momentet e para është thjesht e papranueshme”.

Ligjëvënësi Thompson thotë se të moshuarit nuk duhej të ishin mbytur në azile për faj të ndihmës së vonuar.

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk do të përfshihet në atë që e cilëson si “lojë për gjetjen e fajtorit” dhe thotë se tani për tani është përqendruar në ndihmën për njerëzit në nevojë.

Presidenti Bush do të përkujtojë nesër përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit duke marrë pjesë në një ceremoni fetare dhe do të mbajë një minutë heshtje, pastaj do të shkojë përsëri në shtetet jugore Misisipi dhe Luizjana, ku do të takohet me banorë të goditur nga stuhia.

XS
SM
MD
LG