Lidhje

Kryeministri Berisha kërkon ndryshime të projekteve me Bankën Botërore


Në Shqipëri qeveria e re i kërkoi Bankës Botërore rinegocimin e projektit për termocentralin e Vlorës në mënyrë që të ndryshojë vendi i parashikuar për ndërtimin e tij si dhe rikonfirmoi qëndrimin për rivlerësimin e kontratës së shitjes së Albtelekomit. Deklaratat u bënë nga kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me përfaqësuesit e Bankës Botërore e cila kishte si synim konsultimin final të strategjisë së re katër vjecare të Bankës për Shqipërinë

Banka Botërore është një nga donatorët më të mëdhenj të Shqipërisë. Që në fillim të viteve ’90 ajo ka financuar disa qindra milion dollarë në projekte që përfshijnë thuajse të gjithë sektorët. Sot kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi angazhimin për të bashkëpunuar shumë ngushtë me këtë institucion. Duke bërë një paraqitje të objektivave të qeverisë së tij, kryeministri nuk ngurroi të kërkonte një mbështetje të gjithanshme të Bankës, në shëndetësi, arsim, legjislacion, dhe infrastrukturë.

Kryeministri Berisha përsëriti se për infrastrukturën rrugore prioritet do të kenë projektet e rrugës Durrës Morinë, të cilën ai e përkufizoi si rruga Tiranë Prishtinë Nish, një arterie që do të lidhje me korridorin 10 e për të cilën ai u shpreh se Banka Botëroremund të japë një kontribut thelbësor. Po kaq të rëndësishme kryeministri vlerësoi edhe boshtin Tiranë- Memaliaj. Ai tha se për infrastrukturën do të aplikohet koncesioni dhe se në ministrinë e Transporteve do të ketë një sektor të vecantë dhe një zëvendës ministër që do të merret me koncesionet. Për këtë arsye u shpreh ai ndryshimi i ligjit për koncesionet bëhet emergjent.

Duke vlerësuar kontributin e Bankës në sektorin energjitik, kryeministri i qëndroi pozicionit të mbajtur në fushatë por dhe më parë kundër ndërtimit në Vlorë të termocentralit: "Une dua tju falenderoj ju shume per angazhimin ne problemin e madh te prodhimit te energjise. Ndonjë ndërlikim i krijuar lidhur me vendvendosjen e projektit mendoj se mund e duhet te zgjidhet në frymën e negociatave e të përpiqemi ta zgjidhim sa më shpejt"

Banka Botërore është pjesë e rëndësishme e këtij projekti madje është dhe një ndër kontribueset financiare për ndërtimin e Termocentralit, ashtu sikundër ka finacuar edhe konsulencën ndërkombëtare për shitjen e Albtelekomit, për të cilën kryeministri rikonfirmoi edhe një herë se nuk mund ta pranoj si një fakt të kryer: "Nga qeveria që iku kemi trashëguar një komplikim. Në mes të fushatës dhe në dhunim të rregullave e ligjeve të vendit shiti Telekomin shqiptar. E firmosi këtë jashtë cdo etike pas zgjedhjeve. Ky proces do ti nënshtrohet një shqyrtimi nga ekspertë të pavarur ndërkombëtar. Nuk mund të them se qeveria do ta pranojë si “fait a compli“ këtë proces".

Kryeministri rikonfirmoi qëndrimin e qeverisë së tij për të luftuar fort korrupsionin, gjë e cila u vlerësua nga Banka Botërore e cila ashtu si dhe organizmat e tjerë ndërkombëtar e kanë përmendur këtë fenomen në cdo raport që lidhe me Shqiupërinë.

Takimi i sotëm me Bankën Botërore kishte si qëllim nga një anë njohjen e para dhe shkëmbimet e para të pikëpamjeve mes Bankës dhe qeverisë së re si dhe finalizimin e konsultimeve për strategjinë e re që banka do të ketë për Shqipërinë. Kjo strategji pritet të miratohet në nëntor dhe për herë të parë do të jetë 4 vjecare për t’iu përshtatur edhe cikleve politike në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG