Lidhje

Katrina ul mbështetjen për punën e presidentit Bush


Kanë kaluar dy javë që kur uragani Katrina shpartalloi bregdetin e Gjirit të Meksikës në Amerikë dhe në atë kohë përgjigja e administratës Bush ndaj stuhisë u kritikua nga disa si shumë e ngadaltë. Kjo çoi në uljen e popullaritetit të presidentit dhe në dorëheqjen e drejtorit të operacioneve federale për emergjenca.

Presidenti Bush ndoshta tani shpreson të mos i kishte thënë fjalët lavdëruese për Michel Brown, ish drejtori i Agjencisë Federale për Emergjencat. FEMA siç njihet ndryshe është organizata që ka për detyrë përpjekjet për rimëkëmbje pas katastrofave natyrore apo ato të shkaktuara nga njeriu.

Ndërsa drejtori i FEMA-s po dorëzonte dokumentacionin për dorëheqjen dje në Washington... zoti Bush ishte në turneun e tij të tretë në Louisiana dhe Mississippi dhe këmbënguli para gazetarëve se tani nuk është koha të fajësohet dikush: Do të ketë plot kohë për njerëzit të hedhin vështrimin prapa dhe të shohin faktet, tha presidenti.

Ndërkohë publiku amerikan ka parë pamje televizive të banorëve të ngujuar në ujrat e Nju Orlins dhe shumë thonë se nuk u ka pëlqyer ajo që shohin. Disa anketa tregojnë një rënie të ndjeshme të mbështetjes për punën e zotit Bush pas stuhisë dhe ka patur kritika se përgjigja fillestare nga agjencitë lokale, shtetërore dhe federale nuk ishte e shpejtë sa duhej.

Udhëtimi i djeshëm i presidentit në Nju Orlins ishte i pari në qytetin historik që nga uragani. Gjatë një turneu në pjesën franceze dhe pjesë të tjera të qëndrës së qytetit, zoti Bush reagoi ndaj akuzave se mungesa e përpjekjeve për të evakuar të varfërit kishte motive racore. "Kur helikopterët e gardës bregdetare, shumë prej të cilëve ishin të parët në rajon, po nxirnin njerëzit nga çatitë, ata nuk shikonin për ngjyrën e lëkurës. Ata donin të shpëtonin jetë njerish".

Në disa pjesë të qytetit Nju Orlins shenjat e rimëkëmbjes kanë filluar të duken. Mbledhja e plehrave ka rifilluar... dhe bizneset që ishin mbyllur kanë filluar të rihapen. Një dyqan për gomat e përdorura filloi punën ditën pas stuhisë. Pronari i tij Joe Peters thotë se ai riparon 20 deri 30 goma në ditë.

50 përqind e qytetit është ende e përmbytur. Ushtarët vazhdojnë të shkojnë derë më derë për të kontrolluar në se ka njerëz nëpër shtëpi. Megjithë urdhërin e mëparshëm për evakuim, reshteri Paul Harrel thotë se askush nuk do të detyrohet të largohet: "Nuk po i evakuojmë njerëzit me forcë në se nuk përbëjnë rrezik ose kryejnë aktivitete kriminale. Po i lejojmë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe duke e ditur se ku janë mund ti japim ndihmë të mëtejshme në se është e nevojshme".

Ndërsa presidenti po shkonte drejt Mississipit, në Washington po jepej njoftimi për zëvendësimin e drejtorit të FEMA-s, Michael Brown, i cili dha dorëheqjen. Ndërsa numri i të vdekurve vazhdon të rritet dhe shumë nga të evakuarit presin lejen për t’u kthyer në shtëpitë e tyre... është e qartë se pasuesit të zotit Brown do t’i ketë mirë parasysh detyrat e tij.

XS
SM
MD
LG