Lidhje

Presidenti Rugova shpall pjesëmarrësit në bisedimet për statusin përfundimtar


Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, shpalli të martën bartësit e procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës dhe emëroi publicistin e analistin Blerim Shala bashkërendues të grupeve të punës për bisedimet rreth këtij statusi. Ky vendim u publikua nëpërmjet një deklarate ku ai bën thirrje për bashkim të pozitës dhe të opozitës në funksion të përgatitjeve për statusin përfundimtar.

Presidenti Rugova thekson se pas takimit të javës së shkuar me Ambasadorin Kai Eide është i bindur se rruga për përcaktim të statusit të Kosovës mund të hapet së shpejti, prandaj vendosi “të përshpejtojë punën e filluar Forumi Politik i Kosovës dhe të krijojë një ndjenjë bashkimi kur Kosova po hyn në një periudhë me rëndësi vendimtare”. “Kosova u takon të gjithë njerëzve që jetojnë këtu. Edhe procesi që duhet të çojë te statusi politik, u takon të gjithëve", thekson në deklaratë presidenti Rugova duke nënvizuar se ai do t’i prijë procesit ku do të jenë të përfshirë edhe kryetari i parlamentit, kryeministri, dhe udhëheqësit e dy partive më të mëdha të opozitës, Hashim Thaçi i Partisë Demokratike dhe Veton Surroi i Partisë ORA.

“Që të gjithë duhet të jenë të pranishëm në delegacionin e Kosovës, në rast të bisedave për statusin përfundimtar”, thekson presidenti Rugova duke i bërë thirrje opozitës që të lërë mënjanë mosmarrëveshjet partiake dhe të bashkohet në përgatitjet për statusin përfundimtar. Për organizim, përshpejtim të punës dhe mobilizim të ekspertëve nga të gjitha partitë politike, shoqëria civile dhe miqtë ndërkombëtarë, presidenti tha se ka emëruar Blerim Shalën, një figurë e respektuar jopartiake, që t’i bashkërendojë përpjekjet e grupeve të punës. Blerim Shala, aktualisht botues i të përditshmes “Zëri”, është një nga personalitetet e shquara të publicistikës, pjesëmarrës në procese të rëndësishme për Kosovën në të kaluarën, përshirë edhe konferencën e Rambujesë.

“Ky është moment historik për Kosovën dhe me angazhimet serioze dhe bashkimin në përgatitjet për statusin përfundimtar do t’i tregohet botës se Kosova është e gatshme të zërë vendin e vet në bashkësinë e shteteve të lira e të pavarura”, thuhet në deklaratën e Presidentit Rugova, me të cilën shënohet edhe fillimi i një periudhe të re përgatitjesh për zgjidhjen e statusit të Kosovës, përshpejtimi i të cilave është kërkuar më këmbëngulje edhe nga diplomatët ndërkombëtarë në Prishtinë.

Reagime pas deklaratës së Presidentit Rugova

Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë Philip Goldberg e përshëndeti deklaratën e Presidentit Rugova duke e cilësuar “shenjë shpresëdhënëse se në rastet e çështjeve me rëndësi thelbësore për të ardhmen e Kosovës udhëheqësit e saj do t’i lënë anash dallimet”.

Po ashtu, ai përshëndeti emërimin e Blerim Shalës, “figurë apolitike, që do të lehtësojë përpjekjet e grupeve të punës” duke e vlerësuar këtë si një zgjedhje të shkëlqyeshme. “Ky proces do të jetë një shenjë pozitive dhe sigurie se populli i Kosovës do të përfaqësohet mire”, thuhet në deklaratën e ambasadorit Goldberg.

Ndërsa i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Kai Eide, e cilësoi shenjë të mirë faktin që Presidenti ndërmori “një hap kaq të rëndësishëm për të bashkuar udhëheqësit e Kosovës në lidhje me çështjet kritike”.

Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, e ka mirëpritur qëndrimin e Presidentit Rugova në këtë periudhë që ai e ka cilësuar si thelbësore për Kosovën dhe posaçërisht qëndrimin e tij për gjithë përfshirjen e spektrit politik në proces. Zoti Jessen-Petersen theksoi se është shumë me rëndësi që tërë shoqëria e Kosovës të jetë e përfshirë dhe zëri i përfaqësuesve të pakicave duhet të dëgjohet në ecjen drejt statusit. "Është në duart e qytetarëve të Kosovës që të shfrytëzojnë kohën duke vazhduar përmbushjen e standardeve të krijuar për ndërtimin e një shoqërie demokratike, shumetnike e tolerante dhe në të njëjtën kohë të përgatiten për bisedimet rreth statusit", theksoi shefi i UNMIK-ut.

Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, e përshëndeti fuqimisht deklaratën e presidentit Ibrahim Rugova duke vlerësuar se "është koha e duhur për bisedime të shpejta dhe të lihen anash dallimet ndërmjet udhëheqësve politikë". Kryeministri Kosumi, përkrah fuqishëm edhe ekipin negociues që do të përbëhet nga të gjithë drejtuesit e institucioneve dhe të partive opozitare të Kosovës. Po ashtu, ai përshëndet emërimin e Blerim Shalës në postin e bashkërenduesit të grupeve të punës.

Deklarata e Presidentit Rugova u mbështet fuqishëm nga partitë që përbëjnë koalicionin qeveritar, ndërkohë që u mirëprit edhe nga partitë e opozitës, të cilat, edhe në të kaluarën, kanë pasur rezervat e tyre.

Në një reagim të partisë më të madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës thuhet se “vullneti i popullit-sovran është ai i cili duhet të zbatohet në praktikë. Pretendimet që ky apo ai udhëheqës të identifikojë veten me statusin politik janë të dëmshme për unitetin politik dhe qytetarë në Kosovë”. “Vullneti i popullit nuk mund të jetë monopol i askujt, i këtij apo atij udhëheqësi”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike, e cila e vlerëson si reflektuese për zhvillimet politike në Kosovë. PDK thotë se Parlamenti i Kosovës dhe Forumi Politikë duhet të marrin hapat e mëtejshme për këtëproces dhe politikën unifikuese. PDK shprehu megjithatë rezerva se deklarata e Presidenti Rugova, është bërë “pa këshillim paraprak me Partinë Demokratike të Kosovës, partitë tjera opozitare dhe e padiskutuar në Forumin Politik të Kosovës”.

Shefi i Partisë ORA, Veton Surroi, përshëndeti përpjekjen e Presidentit Rugova që “edhe në këtë gjendje të përkeqësuar shëndetësore ndërmerr nisma përshpejtimi të procesit përgatitor për bisedimet rreth statusit të Kosovës duke kërkuar që këto çështje të debatohen në Forumin Politik të Kosovës”. Por asnjëra nga të dy partitë opozitare nuk përmendi me ndonjë fjalë emërimin e Blerim Shalës në postin e bashkërenduesit të grupeve të punës. //az//

XS
SM
MD
LG