Lidhje

Senati vazhdon procesin e konfirmimit të gjykatësit Xhon Roberts si kryetar i Gjykatës së Lartë


Komisioni juridik i Senatit po zhvillon ditën e tretë të debateve për konfirmimin e kandidatit për kryetar të Gjykatës së Lartë, John Roberts.

Gjykatësit Roberts po i bëhen pyetje të njëpasnjëshme si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët në Komisionin Juridik të Senatit. Sot, senatori demokrat, Joe Biden, e pyeti gjykatësin Roberts lidhur me bindjen e tij nëse vendimin për t’i dhënë fund jetës së një pacienti pa shpresë duhet ta marri qeveria apo familja e personit. Gjykatësi tha se në vendimet që merr ai nuk përfshin pikpamjet personale, por interpreton dhe zbaton ligjin.

Më parë, senatorët i bënë pytetje gjykatësit Roberts rreth pikpamjeve të tij mbi të drejtën e pronësisë, abortit, të drejtave civile dhe diskriminimit gjinor. Në përgjithësi gjykatësi Roberts ka refuzuar të shprehë pikëpamje për çështje që mund t’i parashtohen gjykatës. Në qoftë se konfirmohet, gjykatësi 50 vjeçar do të jetë Kryetari më i ri i Gjykatës në 200 vjet.

Dita e dytë e seancave në komisionin e senatit u përqendrua menjëherë tek çështja me delikate me të cilën përballet gjykatësi Roberts në procesin e konfirmimit për postin e kreut të Gjykatës së Lartë të Shteteteve të Bashkuara.

Senatori Arlen Specter, kreu republikan i komisionit juridik i kërkoi gjykatësit Roberts nëse ishte i prirur të rishqyrtonte në disa raste këtë ligj. “Ka shumë tema të një rëndësie të jashtëzakonshme për të cilat do të bëhen pyetje në këtë seancë, por unë po filloj me çështjen qendrore që ndoshta shqetëson shumicën e amerikanëve: e drejta e gruas për të zgjedhur dhe ligji për abortin”.

Vendimi i vitit 1973 i Gjykatës së Lartë, i jepte grave me ligj të drejtën për abort. Grupet liberale që e kundërshtojnë emërimin e zotit Roberts, përmendin dokumenta në të cilat ai ka argumentuar se vendimi për të drejtën e abortit ishte i gabuar dhe duhet përmbysur.

Gjykatësi Roberts thotë se ato dokumenta i kishte shkruar kur ishte një jurist, që përfaqësonte Shtëpinë e Bardhë. Ai u tha senatorëve se përmbysja e një vendimi të Gjykatës së Lartë do të shkaktonte një pështjellim në sistemin ligjor. “Precedentët luajnë një rol të rëndësishëm në nxitjen e stabilitetit dhe drejtësisë. Nuk është mjaftueshme dhe gjykata e ka theksuar një gjë të tillë në disa raste. Nuk mjafton që të mendosh që vendimi i mëparshëm ishte i gabuar”.

Gjykatësi Roberts thotë se vendimi i vitit 1973 i gjykatës duhej respektuar, në bazë të një parimi ligjor, sipas së cilit vendimet që janë marrë duhet të qëndrojnë në fuqi. Ai hodhi poshtë gjithashtu sugjerimet se fakti që ai ishte katolik mund të ndikonte tek vendimet e tij. Por disa senatorë demokratë nuk mbetën të kënaqur me përgjigjet e kandidatit. Senatori Joseph Biden e akuzoi zotin Roberts se po jepte përgjigje çorientuese. Ndërsa Senatori Biden përpiqej pikërisht t’i thoshte gjykatësit një gjë të tillë, senatori Specter u mundua ta ndërpriste, për të lejuar gjykatësin të vazhdonte përgjigjet. Por megjithë pyetjet e vështira për filozofinë e tij në fushën e drejtësisë, gjykatësi Roberts arriti ta ruante humorin. “Çfarë mendoni se donte të thoshte gjykatësi me këtë paragraf dhe a jeni dakord me të?” “E di që jam dakord, nëse arrij ta kuptoj se ç’ka dashur të thotë”.

I pyetur se cili ishte stili i tij si gjykatës, zoti Roberts tha se nuk i pëlqejnë etiketimet, por nëse i kërkohej me këmbëngulje do ta cilësonte veten një gjykatës modest. Nëse konfirmohet, gjykatësi 50 vjeçar do të ishte një nga kryetarët më të rinj në moshë të Gjykatës së Lartë në Shtetet e Bashkuara, çka do t’i jepte atij shansin të ndikonte në interpretimin e legjislacionit amerikan për dekada me radhë.

Seancat pritet të vazhdojnë për disa ditë, para se kandidatura e tij të votohet nga Senati. Shumë vëzhgues politikë besojnë se gjykatësi Roberts do të konfirmohet para se të fillojë mandati i ardhshëm i gjykatës, më 3 tetor.

XS
SM
MD
LG