Lidhje

Senatorët amerikanë i dhanë fund marrjes publikisht në pyetje të gjykatësit John Roberts


Senatorët amerikanë i dhanë fund ditës së tretë dhe të fundit të marrjes publikisht në pyetje të gjykatësit John Roberts, kandidatit të presidentit Bush për kryetar të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Anëtarët e komisionit juridik të Senatit e pyetën sot gjatë dy orëve të fundit të seancës gjykatësin Roberts për çështjen e dënimit me vdekje, për ligjet mbi mbrojtjen e pakicave dhe çështje të tjera. Gjykatësi Roberts refuzoi përsëri të thotë se si do të vendoste për çështje të veçanta, por tha se pranon që vendimet e marra më parë nga Gjykata e Lartë prekin njerëzit dhe jetën e tyre.

Zoti Roberts e siguroi komisionin se ai nuk është ideolog dhe theksoi se u bë avokat për të mbështetur shtetin ligjor. Komisioni po dëgjon tani dëshmi në mbështetje dhe kundër gjykatësit Roberts. Disa udhëheqës zezakë thanë se zoti Roberts, i cili është i bardhë, do ta shfrytëzonte pozitën e tij për të shfuqizuar ligje të të drejtave civile. Mbrojtësit e gjykatësit Roberts thonë se kritikët po e shtrembërojnë historinë e praktikës së tij.

Senatorët amerikanë u përpoqën të mësonin më shumë për pikëpamjet e gjykatësit Roberts: që nga e drejta e votës, dënimi me vdekje dhe ndihma për pakicat në arsim.

Por ashtu si edhe për temën e abortit, gjykatësi Roberts nuk pranoi të bënte komente për çështje që mund të diskutohen nga Gjykata e Lartë. Lidhur me të drejtën për të vendosur për t’i dhënë fund jetës, zoti Roberts tha se pikëpamjet e tij janë të parëndësishme. “Çfarëdo pikëpamjesh personale që të kem unë për çështje të ndryshme nuk kanë vend në gjykatë. E vlerësoj shqetësimin për tema të tilla. Vendimet nuk do të bazohen tek pikëpamjet e mia personale, por në njohuritë e mia ligjore”.

Senatori demokrat Joseph Biden që në disa nga shkëmbimet e tij me gjykatësin Roberts, ka shprehur pakënaqësinë e tij, tha se meqenëse posti i tij do të ishte i përhershëm, populli amerikan duhet t’i njohë pikëpamjet e tij. “Nëse nuk krijojmë një ide për këndvështrimin tuaj për ligjet, sepse ju nuk po i paraqisni ato para nesh, ne na duhet të vendosim me hamendje”. Por disa senatorë republikanë besojnë se personi i zgjedhur nga presidenti për postin e kryetarit të 17-të të gjykatës së lartë do të konfirmohet.

Senatori Orrin Hatch tha se ata që nuk do të donin të votonin në favor të gjykatësit Roberts, do të kishin prirjen të votonin kundër çdo emërimi republikan. “Do të ishte kënaqësi që ju të bëheshit Kryetar i Gjykatës së lartë të Shteteve të Bashkuara dhe do të bëj të gjitha përpjekjet që kandidatura juaj të miratohet”, iu drejtua ai gjykatësit Roberts. Komisioni pritet të votojë javën e ardhshme, ndërsa Senati mund mund të votojë për konfirmimin e zotit Roberts më 26 shtator.

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara shërben edhe si drejtuesi por edhe si zëdhënësi i Gjykatës dhe vendos se cili nga gjykatësit do të hartojë opinionet për vendimet e gjykatës që merren me shumicë. Si kreu i pushtetit gjyqësor në qeverisje, kreu i gjykatës drejton ceremoninë e betimit të presidentit dhe drejton rastet e kërkesave për shkarkim të presidentit. Nëse konfirmohet në këtë post, gjykatësi Roberts 50 vjeçar, do të ishte kryetari më i ri i gjykatës që prej 200 vjetësh dhe do të ketë kompetencat të përcaktojë drejtimin e ligjeve amerikane për dekada me radhë.

XS
SM
MD
LG