Lidhje

Udhëheqësit botëror kërkojnë reformimin e OKB-së


Udhëheqësit botërorë që folën ditën e dytë të takimit të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara kanë bërë thirrje për reformimin e saj dhe kanë kërkuar që ajo të luajë një rol kyç në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti i Kinës Hu Jintao dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, thanë se Kombet e Bashkuara duhet të luajnë një rol qendror në përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin. Presidenti i Irakut, Jalal Talabani, tha se demokracia dhe liria janë të nevojshme për zhvillimin e ekonomisë globale. Edhe Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh, bëri thirrje për reforma të gjithëanëshme, duke thënë se struktura e Kombeve të Bashkuara pasqyron botën e vitit 1945 dhe jo atë të vitit 2005.

Dje, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan dhe Presidenti Bush, bënë gjithashtu thirrje për reformimin e thellë të OKB-së. Udhëheqës të tjerë që janë planifikuar të flasin janë Kryeministri i Izraelit, Ariel Sharon, dhe Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan tha se shumë nga reformat e propozuara, që janë diskutuar për muaj të tërë, u hoqën nga dokumenti në mënyrë që të arrihej një marrëveshje. "Le të jemi të sinqertë me njëri tjetrin dhe me popullin, nuk kemi arritur ende marrëveshje për reformën themelore që unë dhe shumë të tjerë besojmë se duhet përfshirë. Mosmarrëveshjet e mprehta, disa legjitime, kanë luajtur rolin e tyre në mos arritjen e marrëveshjes".

Zoti Annan thotë se janë realizuar një numër arritjesh, si krijimi i këshillit për të drejtat e njeriut dhe i një komisioni për ndërtimin e paqes. Por nuk ka marrëveshje mbi përkufizimin e terrorizmit dhe çarmatimin apo mospërhapjen e armëve bërthamore për shkak të pozicionimeve që kanë penguar arritjen e rezultateve.

Joshua Muravchik ka botuar një libër rreth të ardhmes së Kombeve të Bashkuara. Ai thotë se do të çuditej në se Kombet e Bashkuara do të kenë bërë ndonjë përparim: "Ky institucion nuk ka funksionuar për 60 vjet. Shanset për ta ndrequr atë apo për ta përmirësuar ndjeshëm janë të pakta dhe në se kjo do të arrihej brenda një viti do të ishte një mrekulli".

Për ndryshimin e fjalëve në dokument ka patur edhe kërkesa të minutës së fundit, shumë prej të cilave nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara John Bolton: "Më bëri përshtypje që ndryshimet që ai kërkonte ishin vërtet të nevojshme dhe më vjen habi që dokumentit nuk i janë bërë këto ndryshime. Ndryshimet që kërkon ambasadori Bolton reflektojnë në mosmarrëveshjen kryesore midis vendeve mbi mënyrën e strukturimit të Kombeve të Bashkuara dhe si duhet të operojë organizata".

Profesori i Universitetit Georgetown, Michael Hawes që studion marrëdhëniet SHBA-OKB mendon se ambasadori Bolton po kërkon reforma të vërteta: "Nuk ka dyshim që emërimi i ambasadorit Bolton në Kombet e Bashkuara ishte jo i pëlqyeshëm nga shumë në komunitetin diplomatik, por mendoj se mënyra sesi po vepron deri tani demonstron se po kërkon të bëhen ndryshime pozitive brenda organizatës, që mendoj se është diçka e mirë.... Shtetet e Bashkuara nuk mund të bënin veshin shurdh dhe të lejojnë OKB-në të vjetëruar. Zoti Bolton po kërkon ndryshime për ta rigjallëruar organizatën".

Analistët thonë se të gjithë, që nga John Bolton e deri tek Kofi Anan kërkojnë një OKB të reformuar. Por mungesa e marrëveshjes nënkupton se reformat e propozuara, përfshi zgjerimin e këshillit të sigurimit nuk do të zbatohen.

XS
SM
MD
LG