Lidhje

Ndryshimi i marrëdhënieve Bush-Putin


Marrëdhëniet midis presidentit Bush dhe presidentit rus Vladimir Putin kanë ndryshuar shumë që prej takimit të tyre të parë para 4 vjetësh. Miqësia e menjëhershme që ata krijuan mes tyre ka vazhduar, por premtimet e mëdha të takimeve të para janë zëvendësuar nga qendrimet më pragmatike në marrëdhëniet dypalëshe.

4 vjet pas takimit të tyre të parë të nivelit të lartë, presidentët e Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara po shikojnë se si optimizmi që karakterizoi takimin e tyre të parë po shndërohet në marrëdhënie më të qëndrueshme në të cilat të dy udhëheqësit mund të bashkëpunojnë lidhur me disa çështje dhe të kenë divergjenca për çështje të tjera. “Marrëdhëniet me tyre janë pak më të tensionuara, megjithatë secili prej tyre ka nevojë të ketë marrëdhënie të mira me tjetrin. Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të ruajnë marrëdhënie të mira edhe kur ato përpiqen të zgjidhin disa prej mosmarrëveshjeve që kanë”, thotë James Goldgier i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Këto mosmarrëveshje përfshijnë përpjekjet e presidentit Bush për demokraci në Azinë qëndrore si dhe hapat autoritare të ndërmara nga zoti Putin për të konsoliduar fushtetin e tij politik, çështje këto që u ngritën gjatë bisedimeve të tyre në Sllovaki në fillim të vitit. “Ne diskutuam rreth disa vendimeve që ai ka marë. Zoti Putin ishte i interesuar rreth disa vendimeve që unë kam marë. Dhe ky është një dialog shumë i rëndësishëm. Siç e thashë dhe e përsëris, mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet i kuptojnë vlerat e mëdha që sjell demokracia, shteti ligjor, mbrojtja e pakicave dhe debati politik pozitiv”, tha presidenti Bush.

Ariel Cohen, analist i politikës së jashtme në Fondacionin Heritage, i cili u takua me presidentin Putin këtë javë, thotë se pas vendosjes së qeverive të reja e demokratike në vendet në kufi me Rusinë, zoti Bush duhet t’i dërgojë një mesazh të qartë presidentit rus:“Ne duhet t’ua bëjmë të qartë rusëve se mbështetja amerikane për ato regjime ishte mbështje për demokracinë dhe për procesin demokratik dhe nuk ishte një hap anti rus.” Një çështje tjetër mosmarrëveshjesh janë aspiratat bërthamore të Iranit. Shtetet e Bashkuara mendojnë se Teherani synon të zhvillojë armë bërthamore. “Qëndrimi i Rusisë është në kundërshtim me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara dhe të evropianëve, të cilët duan t’ia kalojnë këtë çështje Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rusët nuk e kundërshtojnë programin civil të Teheranit sepse ata duan të përfitojnë nga ky program”, thotë analisti Cohen.

Sarah Mendelson, e cila studjon çështjet ruse në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se Rusia kërkon të ketë një politikë të jashtme të pavarur. “Me siguri që elita ruse përpiqet të shikohet si një fuqi e madhe. Rusia do të kryesojë takimin e grupit të tetëshes vitin e ardhshëm dhe mendoj se ajo dëshiron të shikohet ende si një lojtare e rëndësishme.”

Preokupimi kryesor i udhëheqësve të lartë është se si mund ta bëjnë sa më të pavarur Rusinë në politikën e jashtme dhe kjo është pikërisht çështja në të cilën ata po përqëndrohen tani. Takimi nesër Bush-Putin do të zgjasë më pak se 2 orë. Analistët thonë se ky takim u jep mundësinë dy presidentëve që të fillojnë marrëdhënie të reja të bazuara në vija politike dhe jo në marrëdhëniet personale.

XS
SM
MD
LG