Lidhje

Ish-Presidenti Clinton ndërmerr një nismë të re kundër varfërisë


Bill Clintoni mund të mos jetë më President, por për nismën e fundit që ai ndërmori këto ditë, lidhjet dhe emri i tij e ndihmuan të mbledhë një grup njerëzish me peshë në arenën botërore për një çështje të mprehtë. Ndërsa Asambleja e OKB-së zhvillonte punimet në Nju Jork, ai përfitoi nga rasti që të organizonte një konferencë për të diskutuar mbi rrugët për të luftuar varfërinë.

Pesë vjet pas presidencës së tij, Bill Clintoni po e vë në punë edhe një herë ndikimin e tij për të zgjidhur disa nga çështjet madhore të botës. Duke përfituar nga fakti i takimit të OKB-së në New York, ish-presidenti mblodhi së bashku rreth 40 udhëheqës botërorë dhe emra të tjerë me peshë nga sektori privat për një takim tre ditor që synon zgjidhjen e disa shqetësimeve më të mëdha që kërcënojnë botën e sotme.

Nisma Globale Clinton i hapi punimet të enjten me një seancë plenare mbi sfidat globale drejtuar nga një komision ku bënin pjesë Mbreti Abdullah i Jordanisë, Kryeministri Tony Blair, Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice dhe vetë ish-presidenti Clinton.

“Kemi mbledhur sot njerëz nga e gjithë bota, për të diskutuar se ç’mund të bëjmë së bashku për të luftuar varfërinë, për të zbutur ndryshimet që e kanë bazën në besimet tona të ndryshme fetare dhe për ta vënë theksin tek ato që mund të bëjmë së bashku”, tha ish-Presidenti Clinton.

Pjesëmarrësve u kërkohet të bëjnë një premtim për të realizuar diçka konkrete vitin e ardhshëm duke filluar me një kontribut prej 15 mijë dollarësh.

Takimet përqendrohen në tema që fillojnë që nga varfëria, lufta kundër korrupsionit, feja dhe konfliktet politike. Kryeministri britanik Tony Blair foli për çështjen e Gazës dhe zhvillimin në rajon.

“Në fund të fundit, ndryshimi do të realizohet nga vullneti i njerëzve. Do t’u kërkoja të gjithëve t’i hedhin sytë nga mundësitë që shfaqen. Të shpresojmë që tërheqja izraelite t’i hapë rrugën krijimit të një shteti të pavarur palestinez”.

Një temë tjetër e rëndësishme ishte çështja e Islamizmit dhe lidhjet e tij me terrorizmin. Mbreti Abdullah i Jordanisë kryesoi këtë diskutim.

“Për shumë akte të dhunshme në botë, është konsideruar përgjegjëse feja, por historikisht nuk është feja fajtore, por njerëzimi”.

Pas konferencës, presidenti Clinton tregoi se çfarë ishte arritur ditën e parë.

“Së pari sot ne kemi premtime për mbi 200 milionë dollarë dhe ky është vetëm fillimi. Me këtë shumë ne filluam, kështuqë shumë njerëz që kanë ardhur këtu nuk i kanë bërë premtimet e tyre. Është e rëndësishme besoj që Mbreti Abdullah, Sekretarja Rice dhe Kryeministri Blair të paktën përgatitën terrenin për katër drejtime të përpjekjeve tona dhe dhanë disa ide për ato që duhen bërë”.

Konferenca që mbyllet sot, është e lidhur me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që ka mbledhur së bashku udhëheqësit botërorë të New Yorkut.

XS
SM
MD
LG