Lidhje

Banka Botërore thotë se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën


Banka Botërore thotë se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën. Drejtoresha rajonale e kësaj banke për Evropën Juglindore, Orsalia Kalanzopulos, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës, se qeveria duhet të vazhdojë përpjekjet për përmirësimin e disiplinës fiskale dhe përmirësimin e përdorimit efikas të burimeve publike.

Orsalia Kalantzopoulos, Drejtore dhe bashkërenduese rajonale e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, thotë se ka diskutuar me zyrtarët në Prishtinë, në përgjithësi për strategjinë e Bankës Botërore që përqëndrohet në përmirësimin e mjedisit rregullator për sektorin e energjisë.

“Ka një marrëveshje në bazë të gjerë mendoj, kemi nënvizuar gjithashtu përpjekjen që duhet të vazhdojë të bëjë qeveria në përmirësimin e disiplinës fiskale dhe përmirësimin e përdorimit efikas të burimeve publike. Mendoj se janë diskutime të përgjithshme, nuk janë diskutime që synojnë të arrijnë ndonjë ligj të posaçëm apo grant të posaçëm, që do t’i jepej Kosovës”.

Zonja Kalanzopulos thotë se Kosova do të vazhdojë të marrë grante nga Banka Botërore.

“Kosova do të vazhdojë të marrë grante nga ne, me vlerë rreth 15 milion dollarësh, në një periudhë 18 mujore. Kjo është një marrëveshje që e kemi arritur dhe do të vazhdojmë kështu, derisa të zhvillohen bisedimet për statusin përfundimtar”.

Drejtoresha rajonale e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, thekson se Kosova ka një ekonomi funksionale.

“Ka një ekonomi që funksionon, mund ta shohësh nga veprimtaritë në ndërtim dhe ajo që ndodh, ka një ekonomi që funksionon. Nuk e kuptoj, doni të thoni prodhim tullash apo llaçit në kuptimin komunist? Kësaj nuk mund t’i përgjigjem”.

Mungesa e statusit përfundimtar e pengon Kosovën që të marrë kredi afatgjata nga institucionet monetare ndërkombëtare. Ekspertët thonë se zgjidhja e statusit përfundimtar do të kishte një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.

XS
SM
MD
LG