Lidhje

Presidenti Bush thotë se nuk do të jetë e nevojshme rritja e taksave për shpenzimet për rindërtim


Presidenti Bush thotë se qeveria mund t’i përballojë shpenzimet për një rindërtim masiv të zonave të shkatërruara nga uragani Katrina, pa i ngritur taksat. Demokratët dhe disa republikanë, po pyesin ku do ta kenë burimin këto para.

Presidenti Bush thotë se qeveria federale do të mbulojë pjesën më të madhe të shpenzimeve për ndërtimin e rrugëve dhe urave të reja, për strehimin dhe kujdesin shëndetësor dhe për kurse kualifikimi dhe arsimimin e qindra-mijëra njerëzve të zhvendosur nga uragani Katrina.

"Rimëkëmbja e rajonit të Gjirit të Meksikës do të jetë një nga përpjekjet më masive që ka parë ndonjëherë bota. Dhe unë angazhohem para popullit amerikan: Në gjithë zonën e goditur nga uragani, ne do të ndihmojmë qytetarët tanë të rindërtojnë komunitetet e tyre dhe të rifillojnë jetën e tyre”.

Presidenti nuk ka dhënë ndonjë vlerësim për koston e rindërtimit, por është e sigurt se do të jetë më e lartë sesa shifra prej 62 miliardë dollarësh që është miratuar nga Kongresi, pasi ajo shumë parashikohet të përfundojë deri muajin e ardhshëm.

I pyetur për koston dje në një konferencë shtypi me Presidentin rus Vladimir Putin, Presidenti Bush tha se qeverisë do t’i duhej të shkurtonte shpenzimet e tepërta, por shprehu besimin se Washingtoni mund ta përballojë një gjë të tillë, duke shtuar se do të bëhen të gjitha shpenzimet e nevojshme.

Një gjë e tillë i ka bërë disa republikanë të shqetësohen nëse do të mund të shkurtojnë shpenzime në shuma të mjaftueshme për të shmangur një pjesë të huave të nevojshme për rindërtimin.

Anëtarët demokratë të kongresit dhe një numër i vogël republikanësh propozojnë të ndërpriten disa nga shkurtimet e taksave për të kontribuar në rimëkëmbjen e zonës. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se shkurtimet do të mbeten, pasi ngritja e taksave do të dëmtonte ekonominë.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti thotë se ideja e tij është për ngritjen e lagjeve të reja të zhvilluara mbi rrënojat e shtëpive të shkatërruara.

Ai iu përgjigj përsëri kritikave, sipas së cilave raca mund të ketë qenë faktor në ritmin e ngadaltë të marrjes së masave pas stuhisë, pasi shumë nga njerëzit e bllokuar në përmbytjen e Nju Orlinsit ishin afrikano-amerikanë dhe të varfër.

Në një fjalim drejtuar vendit të enjten dhe gjatë një shërbese lutjesh dje, Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara e kanë kapërcyer trashëgiminë e ndarjeve dhe diskriminimit racial. Sot ai tha se rindërtimi i qyteteve duhet të ketë biznese të reja të pakicave dhe më shumë familje që bëhen pronare të shtëpive ku banojnë e të mos paguajnë qera.

“Teksa ndërtojmë shtëpi e biznese, ne ripërtërijmë premtimin tonë që të jemi vendi i barazisë dhe i drejtësisë. Një ditë, amerikanët do të hedhin vështrimin prapa për të gjykuar përgjigjen ndaj uraganit Katrina dhe do të thonë se Amerika u zhvillua, jo vetëm përsa i përket begatisë, por edhe karakterit e drejtësisë”.

Në fjalimin javor të demokratëve në radio, guvernatorja e Luizjanës, Kathleen Blanco, falenderoi Presidentin Bush për ndihmën e tij pasi zyrtarë federalë, shtetërorë dhe lokalë ia hidhnin për javë të tëra fajin njëri-tjetrit për vonesat në përgjigjen ndaj pasojave të uraganit.

“Presidenti Bush e ka pranuar se Katrina nuk ishte uragan i zakonshëm dhe se qeveria federale duhet të na ndihmojë në mënyrë të jashtëzakonshme. Jemi përgatitur të punojmë si partnerë. Disa çështje shkojnë përtej caqeve të partive. Përballë kësaj tragjedie njerëzore që kaluam dhe detyrave që na presin, nuk ka vend për politika partiake”.

Guvernatorja Blanco falenderoi shtetet-fqinje për strehimin e aq shumë banorëve të Luizjanës veçanërisht nga qyteti New Orleans. Ajo tha se pret me padurim t’ua kthejë këtë mikpritje në një Luizjanë më të sigurtë dhe që kultura e pasur e këtij shteti t’i kthehet botës.

XS
SM
MD
LG