Lidhje

Norris: Shqiptarët dhe serbët duhet të punojnë për një të ardhme bashkëjetese në Kosovë


Një ekspert i Grupit Ndërkombëtar të Krizave thotë se si pala shqiptare, ashtu edhe ajo serbe duhet të shohin me realizëm negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës dhe të punojnë për një të ardhme bashkëjetese dhe synimesh të përbashkëta integrimi. John Norris, këshilltar i posaçëm i Presidentit të Grupit të Krizave thotë se zgjidhja e çështjes së Mitrovicës, nuk duhet lënë pas zgjidhjes së statusit, por të trajtohet me dinamizëm, për të shmangur destabilitetin. Zoti Norris i bëri këto komente në një intervistë për Zërin e Amerikës, pas një raporti të Grupit të Krizave, ku sugjerohen kompetenca të gjera për serbët.

Zëri i Amerikës: Zoti Norris, në raportin e fundit të grupit ndërkombëtar të krizave, propozohet për Veriun e Kosovës diçka që i ngjan një autonomie de facto, por jo një autonomi zyrtare. A mund të na thoni si do të ndryshojë statusi që do të marrë Mitrovica, nëse mund ta quajmë kështu, nga një autonomi zyrtare?

John Norris: Ka një dallim të rëndësishëm. Ne shprehemi atje se përshëndesim dy nga parimet kryesore të shprehura nga Bashkimi Evropian dhe Grupi i Kontaktit para se të shkohet në negociatat për statusin përfundimtar: së pari që Kosova nuk duhet të ndahet dhe së dyti që nuk duhet të ketë bashkim të Kosovës çfarëdo statusi të marrë ajo, si pavarësi, pavarësi me kushte, ose e pjesshme, me ndonjë shtet, apo territor fqinjë, që në këtë rast më shumë gjasa do të kishte që të ishte Shqipëria. Ne mendojmë se është e rëndësishme, që njerëzit të fillojnë të mendojnë për një zgjidhje që të ketë kuptim për Veriun e Kosovës, duke mos e trajtuar më si një zonë të shkëputur, duke lënë struktura paralele, por si një pjesë e rëndësishme e Kosovës, çka do të thotë t’i garantohet një decentralizim i konsiderueshëm, autoritet dhe kompetenca të mjaftueshme. Duke realizuar një gjë të tillë do të bëhet e mundur që Ibri të jetë thjesht një lumë dhe jo një vizë ndarëse brenda Kosovës.

Zëri i Amerikës: Në të njëjtin raport, Grupi i Krizave thotë se nëse çështja e Mitrovicës zgjidhet, pra çfarë statusi do të kishte ajo, kjo do të ishte një hap paraprak për vazhdimësinë e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës, për të cilin Grupi i Krizave mendon se duhet të jetë pavarësi me kushte. Pse mendoni se serbët duhet ta pranojnë një propozim të tillë, kur ata kanë thënë se janë kundër çdo lloj pavarësie të Kosovës?

John Norris: Mendoj se fillimi i negociatave për statusin përfundimtar, është një vazhdimësi e natyrshme e procesit dhe se secila nga palët ndjek një linjë të ashpër, maksimaliste që të përfitojë sa më shumë që të jetë e mundur. Dhe mendoj se nëse u hedh një vërshtrim qëndrimeve: pra jo bashkimit me Shqipërinë, jo ndarjes, jo kthimit tek status-quoja që ishte para luftës së vitit 1999, pak a shumë rezultati i përftuar do të ishte pavarësi me kushte. Nëse komuniteti ndërkombëtar fillon të përqendrohet tek një ide e tillë, pastaj do të jenë në qendër të vëmendjes problemet praktike të jetës së përditshme në Kosovë, që janë më të rëndësishme për serbët, ashtu si edhe për shqiptarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: A mendoni se janë krijuar kushtet e përshtatshme për një lloj kompromisi të tillë mes shqiptarëve dhe serbëve?

John Norris: Mendoj se raporti i të dërguarit të posaçëm për standardet, që do të paraqitet ndoshta nga fundi i këtij muaji dhe fillimi i muajit tjetër do të jetë pozitiv. Do të caktohet një i dërguar tjetër për negociatat në procesin për statusin përfundimtar, i cili do të jetë shumë i vështirë dhe i ndërlikuar, kështuqë do të duhet që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë ndikim të madh.

Megjithatë, e rëndësishme është që pjesa më e madhe e popullsisë në Serbi dhe Kosovë e kupton që zgjidhja më e mirë afatgjatë, përsa i takon ekonomisë dhe sigurisë për ta dhe në përgjithësi për përmirësimin e nivelit të jetesës, është integrimi në komunitetin evropian dhe institucionet evropiane. Besoj se të gjithë janë dakord që të gjithë përfitojnë më shumë duke bashkëpunuar dhe duke gjetur zgjidhje praktike.

Zëri i Amerikës: A mendoni se problemi qëndron tek mungesa e planeve për një gjë të tillë, apo si të hartohet një plan për t’i bërë gjërat të funksionojnë, apo problemi qëndron tek mungesa e vullnetit të komuniteteve për të arritur një kompromis të tillë?

John Norris: Vështirësia qëndron tek politika vendase dhe prirja e politikanëve vendas për t’u dukur më të ashpër se fqinjët e tyre.

Shqiptarët duhet ta kuptojnë se të gjithë e dinë që ata duan pavarësinë, por ndonjëherë duket se nuk kuptohen mirë hapat që duhet të ndërmerren për ta lehtësuar këtë proces.

Që kur iku kryeministri Haradinaj, është krijuar përshtypja se institucionet e përkohshme nuk po funksionojnë aq mirë. Nëse Kosova do që të jetë pjesë e Evropës, duhet të bëjë zgjedhje të vështira, të luftojë nepotizmin dhe korrupsionin dhe të mbrojnë interesat e publikut.

Beogradi nga ana tjetër ka bërë mjaft gjeste provokuese: strukturat paralele, mbajtja me rroga e disa njerëzve atje, nxitja e serbëve për të mos u angazhuar në institucionet e përkohëshme. Mendoj se Serbia duhet t’i hapë sytë para realitetit të negociatave.

Por edhe shqiptarët duhet ta kuptojnë që zgjidhja e statusit është vetëm një pjesë e punës së vështirë që duhet bërë dhe se me pavarësinë nuk përfundon gjithçka.

Përmirësimi i jetës së përditshme është përgjegjësi e Prishtinës dhe efektiviteti i Prishtinës, pavarësisht se raporti për standardet mund të jetë pozitiv, ka shkaktuar zhgënjim tek shumë njerëz.

Zëri i Amerikës: Sa optimist jeni që grupi i Kontaktit do t’i marrë parasysh rekomandimet tuaja në këtë raport të fundit?

John Norris: Optimizmi ynë është i matur, por ne e dimë që propozimet tona nuk pranohen gjithmonë. Nga ana tjetër ne ndjehemi të inkurajuar që ato gjëra që kemi kohë që i kemi thënë, janë pozicione që Bashkimi Evropian, Grupi i Kontaktit, misionet që punojnë në terren me kalimin e kohës i kanë pranuar. Sigurisht që ne duam që komuniteti ndërkombëtar të luajë një rol shumë më dinamik, lidhur me situatën dhe mendoj se shumë shpesh, përsa i takon stabilitetit dhe institucioneve paralele, është krijuar përshtypja që komuniteti ndërkombëtar do të donte të priste sa të zgjidhej çështja e statusit dhe pastaj të fillonte të merrej me këto probleme.

Ne e kundërshtojmë një gjë të tillë me forcë, sepse ka një prani të madhe ndërkombëtare atje, KFOR-i është atje, kështuqë ky moment nuk ka pse të jetë më i papërshtatshëm nga një moment tjetër, për të treguar vendosmëri në trajtimin e këtyre çështjeve, të marrin nën kontroll gjendjen e sigurisë, të mos tolerojnë institucionet paralele dhe të nxisin disa nga institucionet kalimtare në Kosovë që të marrin disa nga vendimet e vështira tani dhe jo të presin derisa të zgjidhet çështja e statusit.

XS
SM
MD
LG