Lidhje

Kosovë: parlamenti miraton kërkesën për interpelancë të kryeministrit Kosumi


Kryesia e parlamentit të Kosovës miratoi sot kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për interpelancë të kryeministrit Bajram Kosumi në sesionin e ardhshëm të parlamentit.

Kryesia vendosi gjithashtu që në sesionin e ardhshëm parlamentar më 28 shtator, të shqyrtohet edhe kërkesa e presidentit të vendit Ibrahim Rugova për formimin e grupit negocues për bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.

Në një zhvillim tjetër, po sot, policia tha se kishte ofruar një shpërblim prej 2500 eurosh për çdo information që mund të ndihmojë në arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e dy të rinjve serbë në Shtërpcë.

Policia ka thënë se gjatë muajit gusht në Kosovë ka pasur rënie të numrit të krimeve në krahasim me muajin korrik. Po kështu, sot u konfirmua se më 1 tetor, do të përfundojë kalimi i përgjegjësive nga policia e UNMIK-ut tek Shërbimi policor i Kosovës, përfshi edhe Shtabin e Përgjithshëm të këtij shërbimi.

Ministrat e Kulturës të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Astrit Haracia dhe Dragan Kojadinoviç, pritet të takohen të premten në Beograd, për të biseduar lidhur me bashkëpunimin kulturor midis dy vendeve, kthimin e objekteve të trashëgimisë kulturore të marra nga Serbia në vitin 1999, dhe përshpejtimin e rindërtimit të objekteve historike të shkatërruara gjatë trazirave të marsit, të vitit 2004. Ky është takimi i dytë midis ministrave të Kosovës dhe Serbisë në 6 vitet e fundit. Takimi i parë u mbajt para pak ditësh në Vjenë midis ministrave të pushtetit lokal, Lutfi Haziri dhe Zoran Loncar.

XS
SM
MD
LG