Lidhje

Lufta në Kosovë: Kujtimet e një Gjenerali amerikan


Megjithëse kanë kaluar mbi 6 vjet nga lufta në Kosovë, ajo ende lidhet me zhvillimet aktuale në rajonin e Ballkanit. Shumë njerëz, nga aspekte të ndryshme të jetës, vazhdojnë të kujtojnë si anët pozitive ashtu edhe ato negative të kësaj lufte. Njëri prej tyre është Gjenerali Daniel Leaf, nën-komandant i forcave ajrore në bazën Peterson në Kolorado. Më 1999, ai ishte komandant i 8 mijë forcave ajrore me bazën ajrore të Avianos në Itali, nga ku u ndërmor fushata 78 ditëshe kundër forcave sërbe në Kosovë.

Gjenerali Daniel Leaf është sot nën-komandant i forcave ajrore në bazën Peterson në Kolorado. Ai ka marë pjesë në operacione të ndryshme luftarake, si në Irak, në fillim të luftës atje. Por para më shumë se 6 vjetësh, ai ishte komandant i 8 mijë forcave ajrore me bazën ajrore të Avianos në Itali, nga ku u ndërmor fushata 78 ditëshe kundër forcave sërbe në Kosovë.

Gjenerali amerikan me 3 yje thotë se kudo që ta çojë kariera e tij në të ardhmen, lufta në Kosovë do të mbetet shumë e rëndësishme për të. “Lufta në Kosovë ishte kulmi i karierës time me që kam kryer fluturime si pilot kariere. Ajo që e bëri luftën e Kosovës me të vërtetë të veçantë, ishte kur mësova fatin e familjes së Muharremit dhe të motrës së tij. Them se isha me fat që pata mundësi të kontribuoj me diçka pozitive në jetën e njerëzve si Muharremi. Çfarëdo që të bëj në të ardhmen, nuk mendoj se do të bëj ndonjë gjë më të rëndësishme se sa ajo që bëra në Kosovë: ndihmën që i dhamë atij populli nëpërmjet misionit tonë ushtarak.”

Më 14 prill të vitit 1999, vetëm 20 ditë pas fillimit të sulmeve ajrore, pilotët e NATO-s goditën aksidentalisht popullsinë civile. Në lajmet e mbrëmjes, mjetet sërbe të informimit njoftuan se forcat e NATO-s kishin sulmuar një autokolonë refugjatësh, duke shkaktuar viktima. Në ekranin e televizionit u pa një djalë me bluzë të verdhë, që qante mes viktimave. Ai ishte Muharrem Alijaj, por në atë kohë emri i tij nuk dihej. Fotografia u transmetua edhe nga rrjetet televizive amerikane. Gjatë bombardimit Muharremi humbi motrën 17 vjeçare. Pasi e pa ngjarjen në televizion, koloneli Dave McFarland, u vu në kërkim të Muharremit “Lufta në Kosovë dhe fotografia e Muharremit ishin indinjuese prandaj vendosa të sillja në Amerikë dy të rinj nga Kosova. Isha gjithashtu i vendosur të gjeja djalin me bluzë të verdhë, të cilin pas shumë përpjkejesh e gjeta. Në vjeshtë të vitit 2001 shkova për herë të parë në Kosovë dhe takova Muharremin. Që prej atëhere vendosa të bëjë çdo gjë për ta ndihmuar që të ndryshoj jetën e tij,” thotë koloneli.

Zoti McFarland e ka ndihmuar Muharremin të njihet me shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara. Dhe natyrisht njeri prej tyre është gjenerali Leaf, i cili e takoi për herë të parë Muharremin në gusht të vitit 2002 në Pentagon, ku shërbente në atë kohë. Ai ishte një takim shumë emocional. Për gjeneralin takimi ishte shumë i rëndësishëm, sepse Muharremi përfaqësonte si tragjedinë, ashtu edhe shpresën. Para disa ditësh, gjenerali Leaf u takua përsëri me Muharremin, këtë herë në Dayton të shtetit Ohajo. “Unë dhe Muharremi kemi një lidhje personale të veçantë nga lufta në Kosovë. Mendoj se ne të dy përpiqemi të nxjerrim mësime nga lufta për të forcuar paqen. Muharremi është një i ri, që përfaqëson shpresën për rajonin e Ballkanit. Ardhja ime këtu është si një simbol i përforcimit të shpresës time për paqen në botë dhe për të treguar respektin që kam për Muharremin. Ky takim dhe kujtimi i së kaluarës që na bashkon ne të dyve është me shumë rëndësi për mua,” thotë gjenerali.

Takimi me gjeneralin Leaf është po aq i rëndësishëm edhe për Muharremin. "Ky takim është i rëndësishëm për mua. Jam takuar 2 herë me Gjeneralin Leaf." Por ai nuk e ka kaq të lehtë të flasë për aksidentin e 14 prillit 1999 kur i tregon fotografinë e tij. "Kjo fotografi nuk harrohet kurrë sepse është tragjedi, thotë Muharremi.

Gjenerali Leaf thotë se forcat e armatosura nën komandën e tij u angazhuan në sulme ajrore dhe nuk e bënë këtë thjeshtë si pjesë të punës, por sepse e ndjenin se një tragjedi po ndodhte dhe ishin të angazhuar t’i jepnin popullit të Kosovës mundësinë që ëndërrën e tyre ta bënin realitet dhe kjo, thotë gjenerali mund të realizohet duke hequr dorë nga urrejtja, e cila ende ekziston.

I pyetur rreth konfliktit në Kosovë dhe luftës në Irak e Afganistan, gjenerali Leaf thotë se ka ngjashmëri të situatave, që janë më të rënda se sa vetë lufta. “Në Kosovë, kushtet ekzistuese ishin shumë të rënda; spastrimi etnik dhe shtypja e popullatës. Në Lindjen e Mesme shikoj të njëjtën gjendje. Kushtet me të cilat ndeshej populli irakian e ai afgan si dhe terrori i krijuar nga lëvizja Taleban dhe rrjeti terrorist Al-Kaida kishin krijuar rrethana më të rënda se sa lufta dhe duheshin ndaluar. Lufta vetë krijon rrethana tragjike dhe ne do të donim të mos angazhoheshim në të. E vetmja kohë kur ne detyrohemi të luftojmë është kur nuk ka alternativë tjetër. Vendet e përgjegjshme duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre dhe të përpiqen të krijojnë një mjedis më të mirë. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne përpiqemi të bëjmë.”

Misioni ushtarak në Kosovë u përmbush, thotë gjenerali, por ashtu siç po ndodh edhe në Irak, përmbushja e misionit është vetëm fillimi. “Lufta në Kosovë tregoi se vendet mund të bashkohen për të çliruar popujt e tjerë, jo thjeshtë për t’u vetëmbrojtur. Ne i dhamë popullit të Kosovës dhe gjithë rajonit të Ballkanit mundësinë që të kapërcejnë grindjet etnike. Tani varet prej tyre që ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Unë vetë jam shumë mirënjohës që isha pjesë e operacionit që u dha këtyre popujve mundësinë për të ndërtuar një jetë më të mirë.”

Ndërsa gjenerali Leaf është mirënjohës për mundësinë që iu dha në detyrë, Muharremi nuk ka fjalë të tjera për gjeneralin veçse ta falenderojë atë. Në takimin e tyre të parë para 3 vjetësh, Muharremi mësoi të thoshte në anglisht, "Falemnderit Pilotëve Amerikanë". Tani në një libër që iu dhurua gjeneralit Leaf, në kapitullin nga lufta në Kosovë, ku është fotografia e Muharremit, si shkruan "Falemnderit për Lirinë që na Sollët".

XS
SM
MD
LG