Lidhje

Mustafaj: Imazhi i Shqipërisë përmirësohet përmes ndryshimit të realitetit


Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, vizitën tuaj të parë si Ministër i Jashtëm i qeverisë së Kryeministrit Berisha ju e bëtë në Nju Jork, ku për vetë natyrën e aktivitetit, patët mundësi të takoheni me shumë homologë. Cila ka qënë tema e këtyre takimeve?

Besnik Mustafaj: Takimet kanë patur dy objektiva kryesore, së pari njohja personale, pasi është e nevojshme një njohje personale me homologët me të cilët ne do të punojmë këto vite si Ministri e Jashtme dhe unë si drejtues i këtij institucioni dhe e dyta njohja e drejtëpërdrejtë e këtyre personaliteteve me programin e qeverisë dhe angazhimet imediate dhe afat-mesme të saj për të realizuar ato pikësynime të shpallura gjatë fushatës elektorale. Kam patur dy lloj takimesh, një kategori kanë qënë ato me organizatat ndërkombëtare, me drejtues të organaizatave, apo strukturave ku Shqipëria bën pjesë, me të cilat punon për integrimin e saj. Një takim i rëndësishëm ishte ai me Nicholas Burns (Nën Sekretar Amerikan i Shtetit) së bashku me ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Kroacisë për Kartën e Adriatikut. Takim i rëndësishëm ishte me Kai Aide. Po ashtu pata takime me shumë ministra të jashtëm, por doja të veçoja rëndësinë që patën takimet me Ministrin e Jashtëm grek, me atë italian e holandez, me Ministrin Britanik për Çështjet Evropiane, me Ministren e Maqedonisë, pra me një numër ministrash, që janë faktorë të rëndësishëm për të ardhmen e afërt të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, ju e keni vlerësuar punën e qeverisë së mëparshme në politikën e jashtme dhe keni theksuar se edhe përparësia juaj do të jetë e njejtë, integrimi i Shqipërisë në strukturat euro-atlantike. Këto ditë aleanca e Natos bëri të ditur se nuk do të ketë zgjerim të paktën deri në vitin 2008. Si e pritët ju këtë njoftim, i cili u dha disa ditë para fillimit nga detyra të qeverisë tuaj?

Besnik Mustafaj: Ka dy gjëra që duhen veçuar nga njëra tjetra. Për ne integrimi në Nato mbetet një objektiv strategjik i rëndësisë së veçantë. Aspekti i parë është reforma që duhet të kryejmë ne në Shqipëri, jo vetëm në nivelin e reformimit të ushtrisë dhe përshtatjen e ushtrisë për të qënë e denjë si anëtare e Natos, por edhe një sërë reformash të tjera, më të gjera, të karakterit politik e juridik, sepse integrimi në Nato ka një aspekt politik, ka edhe një aspekt ushtarak. Ne do të vazhdojmë me të njejtën këmbëngulje, me të njejtin seriozitet, siç edhe kemi deklaruar, punën për kryerjen e gjithë reformave. Aspekti i dytë është kalendari që ka vetë Natoja. E rëndësishme për ne është që të mos bëhemi pengesë, që të mos bëhet qeveria pengesë për integrimin e Shqipërisë në Nato. Ne, natyrisht me miqtë amerikanë, me miqtë e tjerë, vende të tjera anëtare të Natos, do të jemi në kontakte të vazhdueshme për të parë të gjitha mundësitë e përshpejtimit të këtij ritmi.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, shumë vetë kanë thënë se Shqipëria ka një problem imazhi në botë. Ju e keni pranur këtë konstatim. Cilat janë shkaqet e këtij imazhi dhe a mendoni se është një problem i kapërcyeshëm? Çfarë përparësie do të ketë kjo çështje në punën tuaj si Ministër i Jashtëm?

Besnik Mustafaj: Ka një problem imazhi, një problem mjaft serioz, por në konceptin tim, përmirësimi i këtij imazhi nuk është çështje retorike. Gabimi që unë mendoj se është bërë në të kaluarën ndaj këtij problemi, është se ai shihej kryesisht si një problem retorike, apo paraqitjeje. Problemi i imazhit të Shqipërisë buron nga problemet që ka patur në Shqipëri. Shqipëria është e damkosur si një vend korrupsioni, si një vend i krimit të organizuar, si një vend ku shteti ligjor nuk funksionon sa duhet, si një vend ku zgjedhjet e lira kanë qënë në limitet e cungimit të tyre thelbësor. Pra përmirësimi i këtij imazhi, në konceptin tim, përfundon tek lufta kundër këtyre fenomeneve negative në Shqipëri. Në momentin që realiteti shqiptar do të jetë ndryshte, atëhere diplomacia shqiptare dhe strukturat e tjera politiko-diplomatike dhe kulturore që ka Shqipëria, qeveritare dhe jo qeveritare, do të kenë ç’të paraqesin jashtë. Unë jam i bindur se imazhi i Shqipërisë përmirësohet përmes ndryshimit të realitetit. Këtu dhe vetëm këtu, duhet të jetë e përqëndruar puna e qeverisë shqiptare dhe e diplomacisë, që duhet të jetë në shërbim të kësaj pune, që do të kryhet në Shqipëri. Unë nuk mendoj se duhen fajësuar të tjerët përse Shqipëria ka imazh të keq. Të tjerë mund ta kenë zmadhuar për arësye të mosnjohjes sa duhet, apo për arësye të tjera, por faktet kanë qënë të tilla, që nuk kanë lejuar shumë ngjyrosje të këtij imazhi.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, në Nju Jork këto ditë ju jeni takuar edhe me Ministrin e Jashtëm të Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviç. Pas takimit, sipas komenteve të shtypit serb, zoti Drashkoviç ka shprehur pakënaqësi me qëndrimin tuaj, që Beogradi dhe Tirana të qëndrojnë jashtë bisedimeve për statusin e Kosovës. Sa të thella janë mosmarrëveshjet midis Tiranës dhe Brogradit?

Besnik Mustafaj: Nuk ka marrëveshje, sepse për fatin e Kosovës nuk vendos as Tirana dhe as Beogradi. Për këtë të jemi të qartë. Unë pata një bisedë, mendoj të dobishme me zotin Drashkoviç. Ishte një bisedë e gjatë, por e dobishme, që u përqëndrua në një shkëmbim pikëpamjesh në përgjithësi. Në radhë të parë unë insistova që të flisnim për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Është bërë një punë e rëndësishme. Janë bërë hapa të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe unë i shpreha zotimin e plotë të qeverisë shqiptare, që kjo bazë e krijuar të pasurohet në mënyrë të ndjeshme dhe me shpejtësi. Janë një numër marrëveshjesh që presim të negociohen dhe të nënshkruhen midis dy vendeve. Ne jemi plotësisht të vendosur t’i nënshkruajmë këto marrëveshje në interes të të dyja palëve. Marrëveshje të karakterit politik, ekonomik e kulturor dhe më gjerë. U fol për Kosovën. Unë i bëra analizën time zotit Drashkoviç, duke thënë se në qoftë se çështja e Kosovës bëhet një problem i brendshëm për Shqipërinë, ose për Serbinë, atëhere do të jetë shumë më e vështirë zgjidhja e tij, pasi opinioni publik ka peshën e tij mbi vendimet e politikanëve. Unë i bëra thirrje atij për realizëm në veprimet diplomatike dhe në përgjithësi në politikën e jashtme. Dhe realizmi të çon tek fakti se faktorët kryesorë në Kosovë janë institucionet e Kosovës, UNMIK-u, Grupi i Kontaktit dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Midis tyre duhet të zgjidhet çështja e statusit.

XS
SM
MD
LG