Lidhje

Studiuesi austriak, Helmut Kramer, shprehet në mbështetje të autonomisë së kushtëzur për Kosovën


Helmut Kramer, Profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Vienës në Austri, thotë se kushtet aktuale në Kosovë nuk favorizojnë pavarësinë e plotë të saj. Ai thotë se zgjidhja më realiste e statusit të Kosovës do të ishte një autonomi e kushtëzuar. Profesor Kramer është autor i librit me titull “Bilanci i Kosovës: Aktiviteti i Komunitetit Ndërkombëtar në Kosovë”, ku ai përshkruan rolin e faktorit ndërkombëtar në Kosovë pas fushatës 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s. Ai ishte i ftuar këto ditë në Qendrën Woodrow Wilson, ku diskutoi mbi strategjinë ndërkombëtare për Kosovën.

Në pritje të raportit të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për Standardet në Kosovë, Kai Eide, Profesor Kramer parashikon se ai do të jetë shumë kritik për gjendjen e pakicave atje. Po në të njejtën kohë ai parashikon që zoti Eide të konfirmojë se gjendja në Kosovë është mjaft e qendrueshme dhe premtuese për të justifikuar fillimin e bisedimeve për statusin e ardhshëm të saj. Profesor Kramer theksoi se ky do të ishte një skenar i pranueshëm, se që të pretendosh dhe të kërkosh plotësimin e përpiktë të standardeve për Kosovën, para fillimit të bisedimeve për statusin, do të ishte e paarsyeshme. Në formën se si janë hartuar ato, tha studjuesi austriak, as edhe demokracitë e avancuara nuk do të ishin në gjendje t’i zbatonin me përpikmëri.

Profesor Kramer thotë se në Kosovë nuk është formuar ende një udhëheqje e mirëfilltë për të drejtuar vendin dhe popullata nuk ka atë ndërgjegje sociale, që do të justifikonte pavarësinë e plotë të saj si një zgjidhje realiste për statusin përfundimtar. Ai vuri në dukje se veçanërisht siguria e pakicave është një aspekt në të cilin pritet më shumë nga udhëheqja dhe shoqëria kosovare. Në këto kushte, Profesor Kramer mbështet tezën e autonomisë së kushtëzuar për Kosovën.

“Një zgjidhje realiste do të ishte pavarësia e kushtëzuar, me praninë e një administratori të fortë si Soren Jesen Petersen dhe me vazhdimin e qendrimit të forcave të NATO-s në Kosovë për një kohë të gjatë”.

Profesor Kramer thotë se nëqoftëse raporti i zotit Kai Eide do të ishte pozitiv, diskutimet për statusin do të zgjasnin 6-9 muaj dhe do të çonin në një autonomi më të madhe, e si përfundim në hyrjen e Kosovës në rrugën e anëtarësisë në Bashkimin Evropian.

Diskutime të tilla nuk janë të pazakonta në qarqet akademike si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Evropë. Por është historikisht e provuar se kanë qënë lojtarët ndërkombëtarë me peshë që kanë vendosur për formën e kombeve dhe teritoreve.

Në deklaratën e tij para disa muajsh në Kongresin amerikan, nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns, tha se Kosova është ndoshta çështja më e vështirë që ka mbetur e pazgjidhur në Ballkan. Shtetet e Bashkuara, tha ai, besojnë, ashtu si edhe vetë palët e interesuara, se statukuoja e tanishme e statusit të pazgjidhur të Kosovës as mund të vazhdojë më dhe as është e dëshirueshme sepse le të hapur mundësinë e përsëritjes së dhunës.

Pyetjeve të bëra me insistim nga gazetarët në një takim pas fjalës së tij në Kongres, po në qendrën Woodrow Wilson, se cili është vizioni i Shteteve të Bashkuara për statusin e Kosovës, zoti Burns iu përgjegj se atë do ta përcaktojnë vetë palët e interesuara nëpërmjet negociatave.

XS
SM
MD
LG