Lidhje

Dogana e Durrësit ndalon 300 ton karburant të kompanisë greke Global Petrolium


Në Shqipëri dogana e Durrësit vendosi sot bllokimin e një sasie prej 300 ton karburant të kompanisë Global Petrolium për shkak të një borxhi prej afër 810 mijë dollarësh që kompania i detyrohej asaj.

Ky është vendimi i dytë i këtij lloji pas anijes me 2 mijë ton vaj bllokuar dy ditë më parë kompanisë së njohur vendase Olim. Global Petrolium, një nga kompanitë e shumta që vepron në rregun e karburanteve në Shqipëri ishte e dyta në listën e gjatë me emrat e 110 shoqërive tregatre që rezultojnë të kenë borxhe të papaguara në shuma të mëdha ndaj Doganës së Durrësit. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, kjo doganë është e vendosur t’i shkojë deri në fund vlejes së detyrimeve që shoqëritë private i kanë asaj.

Sot në port është bllokuar një ngarkesë me 300 ton karburant, në pronësi të kompanisë greke Global Petrolium. Bashkë me ngarkesën e karburantit është bllokuar edhe depozita që kjo shoqëri ka po në Durrës. Global Petrolium i detyrohet doganës një shumë prej afër 810 mijë dollarë të papaguar. Ngarkesa e sotme është e dyta në harkun kohor të pak ditësh ndaj së cilës vihet masa e bllokimit.

Dy ditë më parë, u bllokua një anije me 2 mijë ton vaj, e cila ishte për llogari të kompanisë ë njohur vendase të industrisë agroushqimore Olim, pasi borxhi i saj arrinte në 3.3 milion dollarë. Kompania e ka kundërshtuar vendimin duke deklaruar madje se nuk do të paguajë. Ajo mbështet pretendimet e veta në një shkresë të vitit 2005 të drejtorit të atëhershëm të doganave që i jepte të drejtë asaj mbi llojin e vajit të importuar, ndërkohë që masa e e ndërmarrë nga dogana mbështetet në një vendim të vitit 2004 të gjykatës së Durrësit, vendim i cili ka fuqi mbi cdo shkresë administrative. Drejtoria e Doganave ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga vendimet e saj për të vjelë të gjithë borxhet e pashlyera prej kompanive private. Këto borxhe llogariten të jenë vetëm për Durrësin në mbi 15 milion dollarë.

Qeveria shqiptare duket se tashmë është e detyruar të ecë në këtë rrugë, jo vetëm për të mbajtur një premtim electoral apo angazhim programor që ajo ka marrë përsipër, por edhe sepse me vendimin e fundit për përgjysmimin e taksave për biznesin e vogël asaj i duhet të mbushë boshllëkun financiar të këtij vendimi, kosto e të cilit në buxhet llogaritet në afër 9 milion dollarë.

XS
SM
MD
LG