Lidhje

Kosovë: Parlamenti miraton deklaratën mbi grupin negociator për statusin


Parlamenti i Kosovës miratoi sot në parim deklaratën e presidentit të vendit Ibrahim Rugova për emërimin e një grupi negociator të përbërë nga presidenti, kryeministri, kryetari i parlamentit dhe kryetarët e partive më të mëdha në opozitë, për bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës. Në parlament nuk pati debat për këtë cështje, por nuk pati as vota kundër propozimit të presidentit.

Parlamenti i Kosovës nuk debatoi sot për deklaratën e presidentit të vendit Ibrahim Rugova për emërimin e grupit negociator për bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës dhe emërimin e bashkërenduesit të grupeve të punës, grupeve të ekspertëve, që do të përgatisin materialet e nevojshme për grupin negociator. Kryetari I parlamentit Nexhat Daci e hodhi në votim të përgjithshëm deklaratën e presidentit dhe me shumicë absolute, deklarata u konsiderua e miratuar.

Partia Demokratike, partia më e madhe në opozitë, abstenoi ndërkohë që partia tjetër Ora theksoi se nuk kishte pasur asnjë lloj votimi sot në parlament. Megjithatë, ajo që mund të thuhet është se në parlament, nuk pati ngritje duarsh kundër nismës së presidentit Rugova.

Presidenti I Kosovës Ibrahim Rugova, i cili u prononcua pas takimit me admiralin amerikan Harri Ulrich, komandant i forcave të bashkuara të NATO-s me seli në Napoli, i cili po viziton sot Kosovën, tha se udhëheqësit politik janë të gatshëm të marrin mbi vete përgjegjësitë në rrugën ndërkombëtare për zgjidhjen e cështjes së Kosovës.

Kryeministri Bajram Kosumi theksoi se po kërkohen rrugët për përfshirjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës

Kryeadministratori ndërkombëtar Soren Jessen-Petersen theksoi se rruga më e mirë për Kosovën që të përgatitet për bisedimet për statusin dhe për vetë statusin është vazhdimi i ndërtimit të shoqërisë demokratike, shumetnike dhe tolerante. “Mendoj se askush nuk I kundërvihet idesë së presidentit, që Kosova duhet dhe do të shkojë e bashkuar në bisedimet për statusin. Ka pikëpamje se si të bëhet kjo por ka pajtim të plotë për synimin që të shkojnë të bashkuar në këtë process”, tha ai.

Përfaqësues të lartë të institucioneve ndërkombëtare dhe vendase në Kosovë ritheksuan sot rëndësinë që ka bashkimi I të gjitha forcave politike në përgatitjet dhe fillimin e bisedimeve për zgjidhjen e statusit politik të saj. Thirrjeve të tilla iu bashkua edhe admirali Harry Ulrich, I cili sot qëndroi për një vizitë në Kosovë, gjatë së cilës është takuar me udhëheqësit më të lartë politik. Ai tha se NATO-ja mbetet e përkushtuara ndaj misionit të saj në Kosovë ndërsa nnëvizoi se Aleanca nuk ka shqetësim për shtim tensionesh gjatë procesit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. “Absolutisht jo” tha prerazi admirali Ulrich, vizita e të cilët përkon me operacionin e stërvitjeve njëmujore të trupave të NATO-s në Kosovë.

XS
SM
MD
LG