Lidhje

Xhon Roberts - Kryetar i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara


Senati amerikan miratoi sot kandidaturën e gjykatësit John Roberts si kryetari i ri i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Senatorët e miratuan kandidaturën e zotit Roberts me 78 vota pro dhe 22 kundër. Shumë demokratë iu bashkuan senatorëve republikanë për të mbështetur emërimin e gjykatësit Roberts si Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Zoti Roberts zëvendëson kryetarin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë, William Rehnquist, i cili vdiq muajin e kaluar. Shtëpia e Bardhë ka planifikuar për sot ceremoninë e bërjes së betimit të Kryetarit të ri të Gjykatës.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në këtë institucion derisa vdesin, ose japin dorëheqjen, gjë që nënkupton se gjykatësi Roberts, i cili është 50-vjeç, mund të udhëheqë gjykatën për dekadat të tëra.

Presidenti Bush mund të ndryshojë barazpeshën e forcave në Gjykatë nëse emëron një kandidat me pikëpamje të forta konservatore në vend të gjykatëses O’Connor. Demokratët kanë thënë se nëse presidenti paraqet një kandidat të tillë, ata do ta kundërshtojnë me forcë atë kandidaturë.

Konfirmimi i gjykatësit Roberts nuk u vu asnjëherë në dyshim, pasi një numër demokratësh kishin thënë se do të bashkoheshin me shumicën republikane në mbështetje të kandidaturës së zotit Roberts.

Mes tyre ishte edhe demokrati më me peshë në Komisionin Juridik të Senatit, senatori Patrick Leahy nga shteti Vermont, i cili foli në senat pak para se të votohej.

“Në se mund t’i flas personalisht gjykatësit John Roberts, i cili së shpejti do të bëhet kryetar i Gjykatës së Lartë, do t’i thosha: Në detyrën tënde përfaqëso dhe mbro të gjithë amerikanët” - tha ai.

Kur të fillojë detyrën të hënën, gjykatësi 50 vjeçar Roberts do të jetë një prej anëtarëve të gjykatës më të rinj në moshë që kryeson Gjykatën e Lartë dhe si i tillë mund të ndikojë vendimet e Gjykatës së Lartë për vite me radhë në të ardhmen, me që anëtarët e gjykatës mund të shërbejnë gjatë gjithë jetës. Vendimet e tij mund të ndikojnë tek amerikanët për breza me radhë.

Udhëheqësi i demokratëve në senat Harry Reid nga shteti Nevada është mes demokratrëve që votuan kundër kandidaturës së zotit Roberts.

“Me ngurim kam arritur në përfundimin se kandidatura e gjykatësit Roberts, duke u bazuar në informacionin që kam në dispozicion, nuk më ka bindur që të votoj për të.”- tha ligjvnsi Reid.

Senatori Reid shprehu shqetësim lidhur me pikpamjet e gjykatësit Roberts lidhur me të drejtat civile kur ai punonte si avokat në administratën e presidentit Reagan.

Në seancën për konfirmimin e tij në fillim të këtij muaji, gjykatësi Roberts tha se puna e tij në atë kohë pasqyronte pikpamjet e administratës së atëhershme amerikane.

Udhëheqësi i shumicës republikane në senat, Bill Frist, nga shteti Tenesi, foli në emër të shumë senatorëve, të cilët mbështetën kandidaturën e zotit Roberts.

“Gjykatësi Roberts do të jetë një arbitër shumë i mirë në Gjykatën e Lartë. Ai do të jetë i drejtë dhe larg-pamës. Ai do të zbatojë parimet e duhura dhe do të japë shembullin e tij personal”.- tha ligjvënësi Reid.

Senati është tani në pritje të njoftimit nga presidenti Bush të një kandidati tjetër për në Gjykatën e Lartë, këtë herë për të zëvendësuar gjykatësen Sandra Day O’Connor, e cila ka thënë se do të dalë në pension.

Seancat për konfirmimin e kësaj kandidature pritet të përshkohen nga debate të nxehta, pasi gjykatësja O’Connor shpesh hidhte votën përcaktuese në vendimet me 5 vota pro e 4 kundër ose anasjelltas lidhur me çështje të debatueshme. Dhe si rezultat, kushdo që të emërohet nga presidenti Bush për të zëvendësuar gjykatësen O’Connor, mund të ndryshojë balancën e pushtetit në Gjykatën e Lartë.

XS
SM
MD
LG