Lidhje

Sfida e futjes së Turqisë në Bashkimin Evropian


Protestues kurdë janë grumbulluar në Bruksel për t’i bërë thirrje Turqisë që t’i japë pakicës kurde më shumë të drejta. Së paku dy mijë vetë demostruan sot para takimit të planifikuar të Bashkimit Evropian për të diskutuar anëtarësimin e Turqisë në këtë organizatë. Protestuesit gjithashtu kërkuan lirimin e udhëheqësit kryengritës kurd, Abdullah Ocalan, i burgosur në Turqi. Pjesë e ofertës së Turqisë për anëtarësim në BE, ishte zotimi për të vënë në jetë të drejtat e njeriut dhe reformat politike, disa prej të cilave që lidhen me popullatën kurde atje.

Ministat e jashtëm të Bashkimit Evropian do ta mbanin mbledhjen në një përpjekje të fundit për të tejkaluar një ngecje për fillimin e bisedimeve me Turqinë për anëtarsimin e saj në bllok, që janë planifikuar të hapen të hënën. Korrespondenti ynë Roger Wilkinson njofton nga Brukseli se bisedimet ngecën për shkak të këmbënguljes së Austrisë që bisedimet të fillojnë vetëm nëse në kornizën e bisedimeve të përfshihet një alternativë e qartë ndaj anëtarsisë së plotë të Turqisë në organizatë.

Dhjetorin e kaluar, 25 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Austrinë, ranë dakord që bisedimet për anëtarësim me Turqinë të fillojnë me 3 tetor. Ata i premtuan Turqisë që qëllimi i negociatave të cilat pritet të zgjasin të paktën 10 vjet, do të jetë anëtarsimi i plotë në këtë organizatë dhe asgjë tjetër. Por, kjo ndodhi para se Franca dhe Holanda të hidhin poshtë projektkushtetutën e Bashkimit Evropian. Ndër arsyet ishte shqetësimi sesi Bashkimi Evropian do të përfshijë në rradhët e veta një vend kaq të madh, të varfër dhe me shumicë myslimane si Turqia.

Ndërsa shumica vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mendojnë se duhet të mbajnë premtimin e dhënë për fillimin e bisedimeve me Turqinë, duke pasur parasysh vendosmërinë e Ankarasë për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian për përmirësimin e të drejtave të njeriut, reformimin e sistemit gjyqësor dhe të shkojë drejt një ekonomie tregu, shumica e qytetarëve të Bashkimit Evropian mbajnë qendrim mospërfillës ose e kundërshtojnë anëtarsimin e Turqisë.

Austria është vendi i vetëm i Bashkimit Evropian që kundërshton hapur fillimin e bisedimeve me Turqinë. Viena thotë se negociatat duhet të fillojnë vetëm nëse ndaj anëtarsimit të plotë Turqisë i ofrohet një alternativë, të cilën diplomatët austriak e quajnë partneritet i privilegjuar me bllokun.

Turqia thotë se nuk do të pranojë asnjë objektiv tjetër për negociata përveç anëtarsimit të plotë dhe i ka paralajmëruar Bashkimin Evropian se nuk do të paraqitet përbisedime të hënën nëse kjo nuk bëhet e qartë. Fadi Hakura është specialist i institutit kërkimor Chatham House në Londër për çështje turke.

“Opinioni publik austriak momentalisht është kundër shpresave të Turqisë për anëtarsim. Më duket se Austria po përpiqet ta shfrytëzojë çështjen e anëtarësimit të Turqisë për të filluar bisedimet për anëtarësim me Kroacinë.”

Diplomatë nga Britania, e cila mban kryesinë e rradhës së Bashkimit Evropian, po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për zbutjen e qendrimit të austriakëve kundër Turqisë. Një mundësi është angazhimi i Bashkimit Evropian për të filluar në një të ardhme të afërt bisedimet me Kroacinë nën kushte të caktuara. Diplomatët në Bruksel thonë se janë edhe dy mundësi të tjera për të tejkaluar këtë pengesë dhe të arrihet konsensusi që i duhet Bashkimit Evropian për të filluar bisedimet me Turqinë. Njëra është të përpilohet një deklaratë që do të zbuste kërkesat e Austrisë duke mos armiqësuar turqit, gjë që tani për tani është shumë e vështirë. E dyta është që 24 vendet e tjera anëtare t’ia bëjnë të qartë Austrisë se po shkel premtimin e dhënë dhjetorin e kaluar për fillimin e bisedimeve me Turqinë.

Edhe nëse bisedimet fillojnë sipas planit, Turqinë e presin kohëra të vështira. Parlamenti Evropian kërkoi nga Turqia këtë javë të njohë si gjenocid vrasjen e armenëve në Luftën e Parë Botërore nga pernadoria otomane. Edhe Qiproja kërcënon se do t’i bllokojë bisedimet nëse Turqia nuk e njeh qeverinë e ishullit. Franca ndërkaq thotë se do të mbajë një referndum mbi anëtarësimin e Turqisë, pasi të përfundojnë bisedimet. Në Turqi mbretëron një zemërim dhe zhgënjim ndaj asja që turqit e shohin si mosmbajtje të premtimit nga ana e Bashkimit Evropian. Deniz Baykal, kryetar i Partisë Popullore Republikane, grupi i vetëm opozitar në parlament thotë se Bashkimi Evropian vazhdon të ndryshojë kushtet për fillimin e bisedimeve.

“Ne kemi zbatuar reforma të rëndësishme gjatë viteve të fundit. Ne ndryshuam kushtetutën, sistemin ligjor, praktikën tonë e tani Bashkimi Evropian thotë se anëtarsimi i Turqisë nuk do të varet nga aftësia e këtij vendi për t’i përmbushur kërkesat, por nga aftësia e Bashkimit Evropian për të përfshirë Turqinë në gjirin e vet”.

Diplomatët turq në Bruksel thonë se këto ndryshime të vazhdueshme kanë ngritur ndjenjat nacionaliste turke. Ata thonë se shumica e turqve e përkrahin anëtarsimin e në bllok, por kjo përqindja vazhdon të bier dhe paralajmërojnë se nëse këto pengesa vazhdojnë, kjo përkrahje mund të bier edhe më tepër.

XS
SM
MD
LG