Lidhje

Topalli: Masat për të zgjidhur konfliktet e interesave do të kalojnë nga salla e parlamentit


Kur Jozefina Topalli u bë kryetare parlamenti, nuk ishte thjesht një post që i jepej një nga drejtuesve kryesorë të partisë fituese. Ajo u bë gruaja e parë që merr këtë post në Shqipëri dhe drejton një forum, ku numri i grave është ende shumë i pakët. Qendrimet dhe nismat e saj të fundit për shmangien e konfliktit të interesave në institucionet që varen nga parlamenti, kanë ngjallur debate, duke dhënë shenja se zonja Topalli, nuk ka ndër mend të jetë vetëm një figurë ceremoniale që të mbajë rregull mes deputetëve shqiptarë. Zonja Topalli i dha një intervistë Zërit të Amerikës:

Zëri i Amerikës: Zonja Topalli, ju jeni gruaja e parë që merrni postin e kryetares së parlamentit në Shqipëri. Përveçse si politikane me përvojë, a shihni veten si një model për gratë që duan të jenë të suksesshme në Shqipëri, si në politike, ashtu edhe në drejtime të tjera?

Jozefina Topalli: Sigurisht që e shoh si një sfidë personale dhe peshë që mendoj ta ndaj edhe me të tjerët qënien në krye të parlamentit dhe faktin që në krye të institucionit të kuvendit të Shqipërisë nuk ka pasur një grua tjetër më përpara. Sigurisht që ndjenja e përgjegjësisë është më e madhe dhe në të njëjtën kohë kërkon që të transmetosh përmes vetes dhe pozicionit politik dhe përgjegjësisë politike parlamentare një përfaqësim që është përfaqësim i gjysmës së Shqipërisë. Unë nuk e di nëse jam model, apo çfarë modeli jam, e asaj që është gruaja shqiptare. Sigurisht që do të dëshiroja të isha modeli më i mirë që ato kërkojnë të shikojnë në pozicionet e vendimmarrjes, sepse në fund të fundit ajo do ishte pastaj një vend inkurajues dhe motivues për gra të zonja dhe profesioniste në fusha të tjera të cilat mund të bëjnë .... veten e tyre me shoqërinë dhe me politikën për t’u bërë shumë të rëndësishme në vendimmarrje. Është e vërtetë që ka një numër të kufizuar të grave dhe unë këtu besoj se ne tashmë duhet të fillojmë një betejë reale për të bërë të mundur që përfaqësimi i gjysmës tjetër të Shqipërisë të tjetë pak më afër së vërtetës. Do të thotë të ketë bonsens se ndoshta duhet filluar betejë edhe e grave për të ndryshuar sistemin e zgjedhjeve që ndoshta është rruga më e shpejtë dhe jo aq artificiale që gratë të kenë më tepër përfaqësim në parlament dhe në jetën shqiptare. Besoj se kjo do e bënte shumë më modern dhe do e përmirësonte shumë imazhin e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë nënkryetare parlamenti për një kohë të gjatë dhe e njihni mirë dinamikën e seancave të parlamentit. A shihni ndonjë ndryshim në qëndrimin dhe sjelljen e deputetëve burra ndaj jush, në krahasim me atë ndaj paraardhësve tuaj?

Jozefina Topalli: Besoj se është ende herët për të folur. Natyrisht që vërej me kënaqësi që ka një respekt për një zgjedhje që shumica e deputetëve kanë bërë në parlamentin shqiptar dhe kjo është shenjë e emancipimit të përfaqësimit në kuvendin e Shqipërisë, në votën që ato kanë sjellë. Sigurisht që do të doja të kishte shumë ndryshim. Së pari do të doja që parlamenti, debati, të ishte shumë më i fortë në sallën e seancave dhe roli i deputetit të ridimensionohej. Parlamentarizmi të ishte në një orbitë tjetër, me një rreze akoma më të lartë dhe natyrisht më afër standarteve. Për mua do të kishte shumë rëndësi që kodi i sjelljes të kishte një dominancë të rëndësishme në parlamentin shqiptar. Kjo do të më ndihmonte në moderimin e jetës parlamentare, por unë mendoj se kjo ndoshta është vetëm një pjesë periferike, meqenëse më thelbësore mendoj se do të jenë iniciativat që do merren në parlament, debati që do të zhvillohet aty dhe roli kontrollues, dhe jo vetëm përfaqësues që duhet të ushtrojë çdo deputet. Dhe në këtë aspekt, në parlamentin shqiptar janë marrë disa iniciativa dhe unë këtu besoj se do të gjej mbështetjen e të gjithë forcave politike parlamentare për të bërë të mundshme atë që është beteja jonë e përbashkët e integrimit, në funksion të së cilës sigurisht që është kryesore lufta kundër konfliktit të interesave dhe të korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Ju keni propozuar ngritjen e një grupi juristësh për të shqyrtuar rastet e konflikteve të interesave në institucionet që varen nga parlamenti. A është kompetencë e juaja një gjë e tillë? Dhe duke qenë që ato institucione varen nga parlamenti, a nuk duhet të ishte një komision parlamentar që ta realizonte një mision të tillë më i përshtatshëm?

Jozefina Topalli: Po në fakt vetëm funksioni i parlamentit dhe i komisioneve parlamentare, është kontrolli i institucioneve që varen nga parlamenti dhe detyra e institucionit të ligjbërjes është pikërisht bërja e ligjeve. Dhe në këtë aspekt iniciativa që unë kam hedhur dhe që po diskutohet dhe jam shumë e kënaqur që po debatohet gjerësisht nga nivele dhe institucione të ndryshme dhe po gjen edhe mbështetje, është fakti që kjo është një iniciativë që kërkon një rishikim të bazës ligjore dhe kjo natyrisht do të bëhet nga komisionet parlamentare dhe në seancën plenare.

Natyrisht në ndihmë të tyre do të jenë stafet e juristëve, sepse nuk është vetë deputeti që ulet dhe shkruan ligjin nga fillimi apo bën amendimin.

Pra janë një mbështetje në punën e komisioneve parlamentare. E them me kënaqësi që po debatohet dhe shumë institucione po gjejnë mbështetje, siç ishte edhe kryetari i gjykatës së lartë që foli për heqjen e disa neneve që në legjislaturën e kaluar ishin brenda një ligji shumë të rëndësishëm, pikërisht ligjet që kishin të bënin me konfliktin e interesave. Besoj se nëqoftëse problemi ynë i madh është “state capture” dhe konflikti i interesave, pikërisht këtu ne duhet të përqendrohemi, pikërisht këtu duhet ta bëjmë betejën dhe këtu duhet të përqendrohet vëmendja dhe puna e parlamentarit, e komisionit parlamentar dhe seancës parlamentare.

Dhe kësaj do t’i shtoja edhe iniciativën tjetër mbi lënien e imunitetit, apo mbi atë që është quajtur kufizimi i imunitetit të deputetit. Natyrisht në vullnetin dhe dëshirën e madhe për të gjetur konsensusin e të gjitha palëve dhe forcave politike, sigurisht duke parë modelet që ekzistojnë në perëndim dhe ndoshta modeli më i jashtëzakonshëm, është modeli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku kongresmeni dhe senatori mund të hetohet, por ndoshta për shkak të ngjashmërisë me kushtetutën gjermane, ne iu afruam më shumë me projekt-vendimin tonë modelit gjerman që sigurisht ta jep mundësinë ta hetosh deputetin. Të gjitha procedurat dhe veprimet e tjera, janë në përputhje me ligjet dhe kushtetutën tonë, statusin e deputetit dhe ligje të tjera.

Besoj se këto janë disa inciativa shumë të rëndësishme që sigurisht që kanë ngjallur debat dhe që uroj të konkludohen me konsensusin e shumicës së forcave parlamentare.

Zëri i Amerikës: Ditën që morët detyrën, ju thatë se do të ishit avokatja e të drejtave të opozitës në sallën e parlamentit. Por në fund të fundit votimet për ligjet dhe për gjithçka tjetër, bëhen me shumicë votash. Çfarë kishin parasysh me deklaratën tuaj?

Jozefina Topalli: Është e vërtetë dhe e kam thënë me bindjen më të madhe që do të jem avokatja e së drejtës së opozitës, së pari duke pas qenë për një periudhë 8 vjeçare vetë në opozitë dhe duke i pasë ndjerë dhe përjetuar këto të drejta shumë herë të munguara dhe natyrisht kjo ka sjellë që unë të mendoj gjithmonë që pjesës tjetër që do të jetë në opozitë të mos i sillem me të njëjtën sjellje politike dhe me refuzime të këtyre të drejtave.

Unë e konsideroj opozitën si pjesë shumë të rëndësishme dhe e drejta e tyre kryesore është e drejta e fjalës dhe e drejta e kontrollit, natyrisht duke mos shfrytëzyuar në raste të veçanta edhe forcën apo numrin e kartonave për të bllokuar iniciativat e tyre. Në këtë aspekt për shembull, se sapo kemi ngritur me konsensus të plotë, duke i dhënë të gjitha mundësitë që të ngrenë komisione hetimore, ndërkohë që gjatë viteve ne kemi bërë beteja të mëdha dhe në shumicën e rasteve kemi qenë të bllokuar në iniciativat tona qoftë të kontrollit, qoftë të hetimit, apo të formave të tjera të mbikqyrjes së institucioneve të ekzekutivit, apo të institucioneve që lindin nga parlamenti. Kështu që në këtë aspekt, unë nuk heq asnjë presje nga fjala e ditës së parë, ajo do të jetë deviza ime, do të jetë refreni im dhe sjellja ime gjatë këtyre katër viteve në krye të parlamentit.

XS
SM
MD
LG