Lidhje

Presidenti Bush emëron Harriet Majërs në Gjykatën e Lartë


Presidenti Bush emëroi zonjën Harriet Majërs, një ndër këshilltaret e tij më të besuara, si kandidate për anëtare të Gjykatës së Lartë.

Është hera e parë në afro 20 vjet që një president amerikan ka rastin të emërojë 2 anëtarë të gjykatës më të lartë të vendit në një periudhë kaq të vogël kohore.

Presidenti e njoftoi kandidaten e tij sot në Shtëpinë e Bardhë, ku tha se zonja Majërs ia ka kushtuar jetën e saj shtetit ligjor dhe kauzës së drejtësisë. Presidenti tha se zonja Majërs, e cila kurrë më parë nuk ka shërbyer si gjykatëse, do t’i interpretojë me besnikëri ligjet e Kushtetutës, pa u përpjekur të shkruajë ligje nga posti i gjykatëses.

Kandidatja 60-vjeçare punon aktualisht si këshilltare ligjore në Shtëpinë e Bardhë dhe ka qenë më parë avokatja personale e presidentit, gjatë kohës që ai ishte guvernator i Teksasit. Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë e përshkruajnë zonjën Majërs si një person të qetë dhe shumë të respektuar, si dhe tepër besnike ndaj programit të Presidentit. Harriet Majërs është beqare, pa fëmijë dhe ata që e njohin nga afër thonë se ajo punon me përkushtim të madh, pa kërkuar njohje publike për kontributin e saj.

Në karrierën e saj ajo ka shënuar disa arritje për gratë në karrierë: ajo ishte e para grua që merrte postin e presidentes në firmën e saj ligjore në Teksas, si dhe e para grua që merrte postin e presidentes në Shoqatën e Avokatëve të Teksasit. Ajo u diplomua në degën e matematikës në vendlindjen e saj, Dallas të Teksasit dhe më pas mori një diplomë në drejtësi nga Universiteti Southern Metodist.

Nëse kandidatura e zonjës Majërs miratohet nga Senati, ajo do të zërë vendin e gjykatëses Sandra Day O’Connor e cila del në pension. Zonja Majërs dhe gjykatësja Ruth Bader Ginsburg do të jenë të vetmet anëtare femra të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara.

Gjykata e Lartë fillon sot sesionin e ri. Presidenti Bush do të marrë pjesë në një ceremoni që shënon ardhjen në detyrë të Kryetarit të ri të Gjykatës së Lartë, John Roberts.

Pikëpamjet ligjore të zonjës Majërs janë përgjithësisht të panjohura dhe pritet që emërimi i saj të hapë një betejë të ashpër politike ndërmjet senatorëve demokratë dhe atyre republikanë, si dhe grupeve që përfaqësojnë interesa të veçanta lidhur me drejtimin e Gjykatës.

Demokratët në Senatin amerikanë thanë se duan të dinë më tepër për zonjën Harriet Majërs, e zgjedhur nga presidenti për në vendin bosh të Gjykatës së Lartë, para se të vendosin në se do ta mbështetin kandidaturën e saj.

Disa demokratë, përfshi anëtarët e Komisionit të Senatit për Drejtësi, Patrick Leahy dhe Charles Schumer, thanë sot se kanë pak njohuri rreth filozofisë juridike të zonjës Majërs, meqë ajo nuk ka shërbyer si gjykatëse. Në një deklaratë, senatori Leahy shprehu gjithashtu shqetësim se zonja Majërs, si aleate e ngushtë e presidentit Bush mund të mos jetë në gjendje të jetë një juriste vërtetë e pavarur. Kryetari i Komisionit, Arlen Specter, ligjvënës republikan, u bashku me pikëpamjet e demokratëve, duke premtuar se kjo kandidaturë duhet kalojë nëpër një analizë të thellë.

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Bill Frist, tha se ka besim se Senati do ta konfirmojë zonjën Majërs brenda pak javësh. Republikanët kontrollojnë Senatin me 55 vende përkundrejt 45 që kanë demokratët. Për konfirmim mjafton një shumicë, qoftë edhe me diferencë të ngushtë mes ligjvënësve.

XS
SM
MD
LG