Lidhje

Pas raportit të Kai Aides për Kosovën


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, la të kuptohet se së shpejti do të rekomandojë fillimin e bisedimeve mbi statusin e ardhëshëm të Kosovës.

Një ditë (5 tetor) pas dorëzimit të raportit mbi përparimet e Kosovës në drejtim të përmbushjes së standarteve të vendosura nga OKB-ja për të drejtat e minoriteteve dhe demokracinë, Sekretari i Përgjithshëm Kofi Anan, tha se ai anon drejt një përfundimi se Kosova është gati për fillimin e bisedimeve për statusin e saj përfundimtar. “Unë po studioj raportin dhe do t’i bëj së shpejti një rekomandim Këshillit të Sigurimit dhe ka mundësi se do të sugjeroj fillimin e bisedimeve të statusit.”

Pyetjes se kur do të bëjë rekomandimin, zoti Anan ju përgjigj se ndoshta më shpejt sesa mendoni ju. Sekretari i Përgjithshëm emëroi diplomatin e lartë norvegjez, Kai Aide, qershorin e kaluar, për të studiuar gjendjen në Kosovë dhe përmbushjen e standarteve të OKB-së.

Diplomatët që kanë lexuar raportin thonë se aty kritikohen ashpër si shumica shqiptare ashtu edhe pakica serbe për ritmet e ngadalta të përparimit, por megjithatë del në përfundimin se negociatat e statusit të ardhshëm duhet të fillojnë.

Pritet që Këshilli i Sigurimit të shqyrtojë çështjen e Kosovës javën e fundit të tetorit. Në qoftë se Këshilli prej 15 anëtarësh do të arrijë një marrëveshje, bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mund të fillojnë në muajin nëntor.

Kosova ka qenë nën administratën e Kombeve të Bashkuara që nga viti 1999, kur forcat serbe u tërhoqën për shkak të sulmeve ajrore të NATO-s që kishin për qëllim t’i jepnin fund pastrimeve etnike të ndërmarra nga Beogradi kundër popullatës shqiptare.

Qeveria në Beograd dhe pakica serbe në Kosovë këmbëngulin që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë dhe e Malit të Zi. Beogradi është përpjekur të shtyjë fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar, duke nxjerrë si pretekst mungesën e përparimit në mbrojtjen e të drejatve të pakicave, por shumica shqiptare prej 90 përqind kërkon pavarësinë e plotë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur mbështetjen e tyre për statusin përfundimtar të Kosovës, për shkak të mundësisë së përsëritjes së dhunës etnike. Nën-sekretari amerikan i shtetit, Nikolas Bërns tha në fillim të vitit se dështimi i zgjidhjes së statusit të Kosovës rrezikon përsëritjen e ngjarjeve që kanë ndodhur në Ballkan gjatë 10 vjetëve të fundit.

XS
SM
MD
LG