Lidhje

Presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do të zbrapsen në luftën kundër terrorizmit


Presidenti Bush tha se terrorristët nuk do t’i ndalin kurrë përpjekjet e tyre dhe paralajmëroi se ata duan që të krijojnë një perandori radikale islamike. Presidenti Bush thotë terroristët e kanë kthyer Irakun në frontin e tyre qendror dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të zmbrapsen.

Presidenti thotë se lufta kundër terrorizmit nuk do të jetë e lehtë dhe se do të jetë e nevojshme të bëhen sakrifica. Por ai thotë se fitorja është e domosdoshme.

“Synimi ynë është që mposhten terroristët dhe aleatët aty ku ata kanë qendrën e forcës së tyre, kështuqë ne do të fitojmë ndaj armikut në Irak”.

Në një fjalim në Washington në Fondacionin Kombëtar për Demokracinë, presidenti reagoi ndaj kritikëve të politikës së tij në Irak.

Ai u përgjigj ndaj atyre që thonë se prania e Shteteve të Bashkuara veçse ka provokuar më shumë dhunë dhe ka shkaktuar vdekjen e panevojshme të shumë civilëve irakianë.

“Disa kritikë shikojnë se sa punë ka për të bërë dhe mbajnë një qëndrim pesimist vetëshkatërrues. Kjo është diçka e pajustifikueshme. Pas çdo shpërthimi me bombë, pas çdo varrimi të një fëmije, bëhet gjithnjë e më e qartë se ekstremistët nuk janë patriotë dhe as luftëtarë të qëndresës, ata janë vrasës që kanë hyrë në luftë me vetë popullin irakian”.

Presidenti Bush bëri lidhjen mes terroristëve që kanë kryer sulme në qytete në gjithë botën, nga New Yorku në Bali, Londër dhe Sharm al Sheikh, me tiranë të së kaluarës. Ai bëri paralelizma me ata që janë përgjegjës për mizoritë e nazizmit, gulagët e ish-Bashkimit Sovjetik, fushat e vrasjes në Kampoxha dhe Revolucionin Kulturor të Kinës.

Presidenti tha se radikalët që po kryejnë sulmet e sotme terroriste janë frikacakë që vrasin të pafajshëm dhe bëhen gati të shtypin botën. Ai tha se ata duan të skllavërojnë vende të tëra dhe të frikësojnë botën.

“Ne duhet t’i ndalojmë njerëzit djallëzorë të verbuar nga ambicia dhe pa ndërgjegje, para se të arrijnë të kryejnë shumë krime”.

Presidenti i bëri komentet në një kohë kur anketat tregojnë se mbështetja për politikat e tij në Irak ka rënë dhe ligjvënësit i kanë shtuar kritikat ndaj tij.

Ndërkohë që referendumi për kushtetutën e re të Irakut parashikohet të mbahet pas më pak se dy javësh, presidenti Bush po i dyfishon përpjekjet për të paraqitur argumentat e tij për vazhdimësinë e angazhimit në Irak. Këshilltarët e tij thonë se fjalimi i tij kishte si qëllim të shpjegonte para popullit amerikan se kjo prani është e nevojshme dhe t’i paralajmëronte ata për sakrifica të tjera në të ardhmen, në emër të kauzës së lirisë.

Presidenti përmendi disa suksese, sidomos procesin politik në Irak dhe përgatitjen e ushtrisë irakiane. Ai foli gjithashtu për përpjekjet për të parandaluar sulmet terroriste para se ato të ndodhin, duke vënë në dukje se 10 komplote të al-Kaidës janë parandaluar që pas 11 shtatorit 2001, mes së cilëve tre në Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG