Lidhje

Nano: Nuk mund të rikthehem në të njëjtat mjedise që i lashë pas me aktin e dorëheqjes.


Në Shqipëri, Partia Socialiste do të mbledhë nesër Kongresin e saj për të miratuar disa ndryshime në statut të cilat do të përcaktojnë ndër të tjera edhe zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të partisë sipas parimit një anëtar një votë. Në kongres pritet të zyrtarizohen edhe kandidaturat për kreun e ri të Partisë Socialiste, vend i mbetur bosh nga dorëheqja e ish kryetarit Fatos Nano pas humbjes së zgjedhjeve të 3 korrikut. Deri tani i vetmi kandidat i shpallur është kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Ndërsa zoti Rama ka mundur të konsolidojë rreth vetes një grup të qëndrueshëm mbështetësish, kundërshtarët e tij ende nuk duket të kenë një kandidaturë rivale. Ndërkohë ditët e fundit ish kryetari socialist Fatos Nano ka patur kontakte të shumta me disa nga figurat e Partisë Socialiste. Por cilat janë synimet e tij dhe si e sheh ai garën për kreun socialist.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, që pas dorëheqjes suaj, ju thyet heshtjen duke sulmuar ashpër kandidatin e vetëm deri tani në garën për kreun e partisë socialiste Edi Rama por edhe përfaqësues të tjerë. Është bërë zakon që akuzat të mbeten në ajër pa u specifikuar. Ju flisni tani për para të pista apo interesa të dyshimta me të cilat sipas jush është i lidhur zoti Rama. Për çfarë e keni fjalën konkretisht?

Fatos Nano: Nuk besoj se është kaq pak i gjithë diskutimi në proces në Shqipëri dhe në Partinë Socialiste. Unë nuk i kam kapërcyer asnjëherë kufijtë e autoritetit tim dhe prandaj nuk kam folur as si prokuror dhe as si ministër i brendshëm i cilësdo qeveri në pushtet. Pra, unë po rimarr - për shkak të ndjeshmërive dhe problemeve kritike që ka Shqipëria, e cila po hapet në marrëdhëniet me botën e me institucionet globale - të gjitha çështjet që mbeten për t’u zgjidhur dhe për të krijuar një vullnet politik koherent në të gjithë klasën politike për të luftuar korrupsionin apo lidhjet e politikës me botën informale që krijon dobësi të institucioneve apo veprime të paligjshme që dëmtojnë cilësinë dhe standardet e demokracisë. Këto kanë qenë angazhimet e mija dhe investimi im politik gjatë gjithë karrierës lidhur me drejtimin e Partisë Socialiste apo të qeverisë shqiptare nga unë. Veçanërisht kujtoj periudhën e katarsisit kur këto angzhime, vlera dhe standarde që na afrojnë me botën e qytetëruar bashkuan shumë njerëz dhe jam i sigurt që edhe sot përbëjnë shumicën në shoqërinë shqiptare. Prandaj do t’ju ftoja përmes jush të gjithë dëgjuesit të mirëkuptonit se unë jam i gatshëm të kontribuoj për të qartësuar kufijtë që ndajnë një shoqëri demokratike normale, interesat private me ato të përfaqësimit politik të zgjedhësve dhe të marrëdhënieve të kombit me institucionet e botës së qytetëruar.

Zëri i Amerikës: Nga akuzat tuaja duket sikur të gjithë ata që deri dje ishin bashkëpunëtorët tuaj të ngushtë e që sot janë në krah të zotit Rama papritur janë transformuar në kërcënim për partinë socialiste. A nuk duket kjo diçka më tepër personale se sa parimore?

Fatos Nano: Ata kanë qenë dhe mbeten, pavarësisht nga mbiemrat e lëvizshëm që ka ky fenomen, rrezik jo vetëm për Partinë Socialiste por edhe për marrëdhëniet dhe procesin e afrimit të Shqipërisë me botën moderne. Për pasojë, nuk ka asgjë personale në këtë debat por ka një interpretim të sinqertë dhe të përgjegjshëm të interesave të progresit, të shqetësimit të pjesës më të madhe të votueve shqiptarë, që edhe në tre korrikun që lamë pas votoi të majtën, votoi këtë angazhim europeist dhe euroatlantik të vendit, të strukturuar me shumë sukses gjatë tetë vjetëve të qeverisjes socialiste dhe sidomos gjatë tre vjetëve që unë drejtoja qeverinë. Pra nuk besoj se mund të lexohet mediatikisht kaq i thjeshtë mesazhi im pro ose kundër Ramës, sepse në Partinë Socialiste ka një proces të papërfunduar; në shoqërinë dhe në politikën shqiptare ka një proces të pakurorëzuar, i cili është në rekordet dhe në dialogun kritik, pozitivisht kritik që institucionet dhe politika shqiptare zhvillon me institucionet ndërkombëtare dhe me qeveritë e botës perëndimore për të luftuar informalitetin, korrupsionin dhe lidhjet e politikës me krimin.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano ju keni qenë disa herë drejtues shteti dhe e dini shumë mirë se Shqipëria ka institucionet e veta të drejtësisë. Por ju asnjëherë nuk i jeni drejtuar asaj për akuzat që keni bërë. A keni prova për ta bërë këtë tani?

Fatos Nano: Nuk besoj se gjashtë orë diferencë midis kryeqyteteve nga të cilët po flasim respektivisht janë një alibi për mungesën e provave dhe të bashkëpunimit tim, të politikës dhe të ushtrimit tim qeverisës me institucionet e shtetit të së drejtës apo me agjenci të specializuara të vendit apo të huaja që ndihmojnë Shqipërinë të ngrihet në standardet e autoritetit ligjor që kërkohet në demokracitë moderne. Për pasojë, unë nuk jam kaq i thjeshtë sa një dëshmitar i radhës dhe nuk jam kaq i komplikuar sa një klient i përkohshëm i klaneve të abuzimit me pushtetin në vendin tim apo në marrëdhëniet e tij me botën. Unë jam i gatshëm të dëshmoj dhe të kontribuoj në drejtimin e kundërt që kanë ecur disa procese në Shqipëri dhe veçanërisht kundër rrezikut që po rishfaqet për të rivënë nën pushtetin e qeverisë së radhës institucionet që zbatojnë ligjin dhe krijojnë autoritetin e tij në sytë e qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano, kur jeni kaq i shqetësuar për fatet e partisë socialiste pse nuk merrni pjesë nesër në kongres?

Fatos Nano: Për një arësye të thjeshtë, sepse procesi i tranzicionit nga humbja e zgjedhjeve në mënyrë vulgare, aksidentale, të pavërtetë dhe të pamerituar nga socialistët, gjë që solli dorëheqjen time, me të cilën unë mora edhe përgjegjësitë për mos sjelljen në përfundimin e duhur të një procesi politik disavjeçar, nuk është përcjellë si duhet nga drejtuesit aktualë të Partisë Socialiste - kolegë të mij, ish ministra, ish drejtues apo drejtues aktualë të Partisë Socialiste - dhe për të njëjtat motive unë nuk mund të jem i pranishëm në një proces që thërret institucionin më suprem të socialistëve, Kongresin dhe mandatin më të pakontestueshëm dhe më të patjetërsueshëm të përfaqësimit, që janë delegatët e tij, në shqyrtimin e një pakete që nuk përfaqëson aspak interesat parimore të së majtës apo interesat e reformave evropiane në politikën dhe në shoqërinë shqiptare por interesat e një grupi njerëzish të kapur pas disa karrigeve dhe historive të së shkuarës dhe jo të së ardhmes.

Zëri i Amerikës: Zoti Nano cili do të jetë roli juaj në këtë situatë që po kalon partia socialiste. Do të luani rolin e një këshilltari, apo të një kryetari nderi, siç është propozuar, apo do të keni një angazhim të drejtpërdrejtë?

Fatos Nano: Për mua, nderi dhe principet e një politike të ndershme janë të pandara. Për pasojë, unë nuk mund të jem pasiv, nuk mund të rikthehem në të njëjtat kushte dhe mjedise të cilat i lashë pas me mesazhin dhe aktin e dorëheqjes. Por unë jam i gatshëm të kontribuoj që procesi i modernizimit, i evropianizimit, i demokratizimit të Partisë Socialiste, të politikës shqiptare dhe të kontributeve të standardeve bashkëkohore që ajo duhet të japë në procesin e afrimit dhe integrimit të Shqipërisë me botën, të më bashkojë me vlera dhe me përfaqësues të tjerë të vërtetë të interesave të së ardhmes të Shqipërisë, të cilët natyrisht nuk mund t’i identifikoj me drejtuesit aktualë apo me pretendentët aktualë të cilët nga bashkia e Tiranës kërkojnë të zhvendosen në selinë e Partisë Socialiste.

XS
SM
MD
LG