Lidhje

Vendet donatore angazhohen të ndihmojnë rajonet e goditura nga tërmeti në Azinë Jugore


Vendet donatore po dërgojnë mjekë, helikopterë, ushqim dhe tenda në rajonet e goditura nga tërmeti në Pakistan, ku numri i viktimave nga katastrofa natyrore ka kaluar 20 mijë vetë. Shtetet e Bashkuara thonë se do të ofrojnë 50 milion dollarë ndihma për personat e prekur nga tërmeti në rajonin e Kashmirit, dhe se do të dërgojnë helikopterë dhe avionë ushtarakë transporti për të ndihmuar ekipet e shpëtimit të arrijnë në fshatrat e goditur.

Agjencitë e ndihmave thonë se më shumë se 120 mijë vetë janë në nevojë urgjente për strehim dhe deri në 4 milion vetë mund të mbesin pa strehë nga tërmeti me fuqi 7,6 ballë, i cili shkaktoi dëme masive në pjesën veriore të Pakistanit. Ky tërmet, më i fuqishmi i regjistruar në Azinë jugore në 100 vjet, shkaktoi gjithashtu vdekjen e mbi 800 personave në Indi.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan thotë se ka udhëzuar të gjithë sistemin e Kombeve të Bashkuara të bëjnë ç’është e mundur për të ndihmuar. Udhëheqësit botërorë i shtuan ofertat për ndihma sot, duke dërguar ekipe të tjera shpëtimi dhe helikopterë, ndërsa një ekip i Kombeve të Bashkuara filloi përpjekjet për bashkërendimin e operacioneve të ndihmave në rajonet e goditura nga rajoni.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar thotë se ka për synim të dërgojë furnizime me ushqime dhe pajisje strehimi për më shumë se 100 mijë vetë që ndodhen në mëshirë të motit të ftohtë. Pritet që avionë të tjerë me ndihma dhe ekipe shpëtimi të nisen nga Shtetet e Bashkuara, Irani, Rusia dhe vende të tjera.

XS
SM
MD
LG