Lidhje

Shqipëri: Sfidat që paraqet posti i kryetarit të PS-së për Edi Ramën


Në Shqipëri, zoti Edi Rama shkeli sot në selinë e Partisë Socialiste si kryetari i porsazgjedhur i saj. Ai mori pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të socialistëve i cili ka tashmë dhe drejtuesin e vet të ri, sekretarin e përgjithshëm Pandeli Majko. Zoti Rama iu shmang deklarimeve publike. Pas kongresit i cili rrëzoi paketën e ndryshimeve statutore që do i hapnin rrugë rinovimit të të gjitha strukturave drejtuese, zoti Rama gjen një situatë statu quo-je ku do t’i duhet të rivendosë në lëvizje të gjithë aparatin e coroditur nga humbja e zgjedhjeve të 3 korrikut

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ishte përgatitur për një tjetër betejë në kongresin e Partisë Socialiste dhe fitoi atë që ai e kishte parashikuar si më të mundimshmen, garën për kreun e partisë. Ai do të drejtojë forcën më të madhe politike të opozitës deri në vitin 2007 duke marrë kështu atë pjesë të mandatit të lënë në mes nga ish kryetari Fatos Nano.

Por gëzimi për arritjen e një suksesi të rëndësishëm në karrierën e tij të shpejtë politike vështirësohet nga mungesa e instrumentave që do ta linin atë të bënte një ristrukturim të shpejtë të partisë. Rrëzimi i paketës së ndryshimeve statutore mund t’ia mbajë të lidhura duart në fillimet e veprimtarisë së tij si kryetar i socialistëve.

Zoti Rama merr drejtimin e një partie që për 14 vjet identifikohej me figurën e Fatos Nanos, të tronditur nga humbja e zgjedhjeve të 3 korrikut, të çoroditur për javë të tëra nga mungesa e një kryetari i cili u shfaq vetëm për të dhënë dorëheqjen, të gërryer nga pushteti 8 vjeçar, të copëtuar nga përçarja dhe mbi të gjitha me struktura të atrofizuara dhe të pandryshuara. Ai vetë dhe përkrahësit e tij shohin te largimi i Gramoz Rucit një humbje të madhe. Njeri i hekurt dhe figurë qëndore në partinë socialiste, mungesa e tij mund të përbëjë një tjetër pengesë për një ndërhyrje të shpejtë rigjeneruese në partinë socialiste. Aq më tepër që ai u zëvendësua nga zoti Pandeli Majko i dalë haptazi si kundërshtar i zotit Rama dhe ideve të tij për reformimin e partisë.

Zotit Rama do t’i duhet ndërkohë të ndërtojë nga njëra anë një parti që të përfaqësojë opozitën e fortë dhe moderne që të udhëheqë të majtën, e nga ana tjetër të rivendosë urat e bashkëpunimit serioz me aleatët dhe veçanërisht me Lëvizjen socialiste për Integrim me të cilën marrëdhëniet e deritanishme kanë qenë ato të rivalitetit.

XS
SM
MD
LG