Lidhje

Një grup i ri lobist amerikan në mbështetje të pavarësisë së Kosovës


Një grup lobist nga Shtetet e Bashkuara, i kryesuar nga ambasadori Uilliam Uoker, mbështet pavarësinë e Kosovës duke hedhur poshtë mundësinë e një pavarësie të kushtëzuar. Ambasadori Uoker tha në Prishtinë se Kosova e meriton pavarësinë, por kjo është edhe zgjidhja më e mirë për rajonin në përgjithësi. Duke komentuar idenë e një tregu të përbashkët për rajonin, zoti Ëalker, tha se kjo do të duhet të ndodhë, si një aleancë e vendeve të ish-Jugosllavisë dhe disa të tjera, me kufij të hapur, me lëvizje të lirë, të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Një grup lobist i quajtur Aleanca e re për Kosovën, e kryesuar nga ambasadori Uilliam Uoker, ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, po viziton Kosovën, në një përpjekje për të treguar se cfarë mund të bëjë kjo aleancë për Kosovën dhe për të mbështetur universitetin amerikan në Prishtinë. Zoti Uoker është edhe kryetar bordi i fondacionit të Universitetit Amerikan në Kosovë.

Ambasadori Uoker mbështeti sot në Prishtinë gjetjen e një zgjidhjeje të plotë për problemet në Ballkan, duke kundërshtuar ashpër variantin e përfolur të pavarësisë së kushtëzuar për Kosovën. "Pikë së pari, Kosova e meriton pavarësinë, por kjo është edhe zgjidhja më e mirë për rajonin në përgjithësi," tha ambasadori Uoker.

Duke komentuar idenë e një tregu të përbashkët për rajonin, zoti Uoker, tha se kjo do të duhet të ndodhë, si një aleancë e vendeve të ish-Jugosllavisë dhe disa të tjera, me kufij të hapur, me lëvizje të lirë, të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve. "Duhet të keni mundësi të shkoni në të gjitha vendet fqinjë dhe të mirëpriteni si vizitorë, ata duhet të kenë mundësi të vijnë këtu dhe të gjejnë të njëjtën mikpritje," tha zoti Uoker. Ai shtoi "Është e rëndësishme që ata që e humbin luftën, të jenë humbës të mirë, dhe deri tani, nuk jam I sigurtë, se Beogradi ka qenë një humbës I mirë, por është gjithashtu e rëndësishme që të ketë fitues të mirë, që kushdo që fiton luftën, nuk I keqtrajton ata që e humbën luftën. Nuk jam I sigurtë se ky concept është bërë ende mbizotërues këtu, dhe sigurisht nuk mbizotëron në Beograd," tha ambasadori Uoker, duke u shprehur i sigurtë se kjo do të ndodhë.

Aleanca për një Kosovë të re, kërkon të tregojë rëndësinë e universitetit amerikan në Prishtinë për zhvillimin e Kosovës si një popull energjik dhe sovran. Drejtori i këtij universiteti Rober Kuris, i tha Zërit të Amerikës, se universiteti ka nevojë për mbështetje nga gjithë rajoni dhe nga Shtetet e Bashkuara. "Besoj se kemi nevojë për mbështetje nga institucionet, fillojmë nga qeveria e Kosovës, kemi pasur mbështetje nga të gjitha palët, dhe duam të vazhdojmë ta marrin atë mbështetje. Ky universitet është krijuar për popullin e Kosovës, nuk jemi për përfitim. Synimi ynë është të krijojmë një universitet që do të jetë një dhuratë për rajonin. Mund të marrim mbështetje të mrekullueshme nga Shtetet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara mbështesin universitetet në gjithë botën, USAID-I dhe departamenti ynë i shtetit veprojnë në gjithë botën, kështu që presim kohën kur ata do të vijnë të na mbështesin, për të na ndihmuar të ndërtojmë konviktin për studentët, për përmirësimin e bibliotekës, apo objektet e tjera. Por gjithmonë kemi pasur mbështetje të madhe, të paktën moralisht nga Shtetet e Bashkuara dhe kjo është gjithashtu e rëndësishme," thekson drejtori i Universitetit Amerikan në Kosovë, Robert Kuris.

Universiteti amerikan në Kosovë, është një nga universitetet me nivelin më të lartë të mësimdhënies dhe synon të nxjerrë kuadro të reja të nivelit perëndimor.

XS
SM
MD
LG