Lidhje

Irak: Vriten 40 vetë  në  një  sulm vetëvrasës


Policia irakiane thotë se kryengritësit vranë të paktën 40 persona dhe plagosën dhjetra të tjerë në sulmet e sotme, katër ditë para referendumit kombëtar për kushtetutën e re.

Shpërthimi më vdekjeprurës ishte një sulm vetëvrasës me makinë bombë në një treg plot me njerëz në qytetin Tal Afar, pranë kufirit me Sirinë, ku gjetën vdekjen 30 persona dhe u plagosën 45 të tjerë.

Në Kirkuk të paktën tre persona u vranë kur u hap zjarr nga një makinë, ndërsa në Bagdad një person hodhi një makinë në erë në një sulm vetëvrasës duke shkaktuar vdekjen e të paktën shtatë personave në një postbllok të ushtrisë irakiane.

Zyrtarët amerikanë dhe irakianë kanë paralajmëruar vazhdimisht se kryengritësit, shumica suni, do të intensifikojnë sulmet për të minuar referendumin e së shtunës për kushtetutën.

Udhëheqësit politikë shiitë dhe kurdë po përpiqen me negociata të minutës së fundit me udhëheqës politikë suni që druhen se komuniteti i tyre mund të lihet në një pozitë të pafavorshme nga sistemi federal i parashikuar në projekt-kushtetutë.// lk

XS
SM
MD
LG