Lidhje

Rama:Problemi themelor i PS-së, reformimi dhe modernizimi në funksion të kthimit në qeverisjen e vendit


Në Shqipëri anëtarët e kryesisë së Partisë Socialiste dhanë sot në bllok dorëheqjen e tyre nga ky forum, duke i hapur rrugën rinovimit të plotë të tij. Vendimi i sotëm i anëtarëve të kryesisë duket se kompenson në një farë mënyre rrëzimin në kongres të paketës së ndryshimeve statutore e cila i hapte rrugë ristrukturimit të plotë të partisë socialiste. Zgjedhja e kryesisë së re do të bëhet nga komiteti i përgjithshëm drejtues, i cili do të votojë gjithashtu edhe për sekretarët e rinj, njerëzit tek të cilët kryetari i porsazgjedhur Edi Rama do të mbështetet për realizimin e ndryshimeve që ai synon të zbatojë. Pas fitores së garës për postin e kreut të partisë, duket se zhvillimi i sotëm është fitorja e parë e rëndësishme e zotit Rama. Reformat që ai synon të zbatojë do të varen shumë dhe nga përbërja e re e kryesisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, a pritet të shihen në kryesinë e re të partisë, ish drejtues kryesorë të saj si Fatos Nano, Rexhep Mejdani, dhe emrat e tjerë nga ata që ishin kundërshtarët tuaj?

Edi Rama: Do të doja të bëja një korrigjim pasi në parashtrimin tuaj ju thatë se kjo ishte një fitore e imja sot. Në fakt me thënë të drejtën kjo nuk ishte aspak një fitore e imja por ishte një fitore e sensit dhe e shpirtit të mirëkuptimit, solidaritetit që unë konstatova tek të gjithë anëtarët e kryesisë që në unanimitet të plotë duke e marrë fjalën njëri pas tjetrit u shprehën se është momenti për të rigjetur njëri-tjetrin, për të rigjetur atë parti socialiste që i duhet shqiptarëve në sensin e një opozite ashtu siç e meriton ta ketë sot Shqipëria e vitit 2005 dhe njëkohësisht për ti hapur rrugë një procesi konsultimesh në parti duke filluar nga konsultimi me komitetin e përgjithshëm drejtues për zgjedhjen e kryesisë së re. Pra po ashtu ta bëjë këtë korigjim sepse mendoj se është shumë domethënës në raport me atë çfarë ndodhi sot që tregoi se në atë tryezë nuk kishte asnjë remineshencë nga emocionaliteti normal i garës kongresuale. Përkundrazi kishte bonsens, kishte vullnet për të kontribuar, kishte modesti, gjëra këto që padyshim më bëjnë shpresëplot për vijimin më tutje të punës së sapo filluar.

Zëri i Amerikës: Megjithatë nuk m'u përgjigjët për emrat nga drejtuesit kryesor të partisë si Fatos Nano dhe Rexhep Meidani për kryesinë. A pritet ti shikojmë këta emra në kryesinë e ardhshme?

Edi Rama: Në radhë të parë dua të theksojë se kryesia e partisë është një zgjedhje e komitetit të përgjithshëm drejtues. Në radhë të dytë dua të theksojë që zoti Meidani ka qënë dy herë rivali im në momentet zgjedhore brenda partisë socialiste por është në vijimësi një bashkëpunëtor i natyrshëm, një personazh të cilin gjithnjë e kam respektuar dhe do të vazhdojë ta respektoj për gjithçka ka dhënë për Shqipërinë si president i republikës, për mendimin në kuptimin e kontributeve intelektuale qoftë si profesor dhe qoftë më tutje ose mbase ai ishte presidenti, si një opinionist natyrisht në një staturë të veçantë dhe edhe për atë që ai ka bërë për Partinë Socialiste me kontributet që ka sjellë në të dyja këto momentet zgjedhore. Përsa i takon zotit Nano, unë do të thosha se do të çmojë çdo kontribut dhe çdo vlerë që ai do të sjellë me po atë ndjeshmëri dhe respekt që do të çmojë kontributet dhe vlerat e secilit prej 60 mijë socialistëve shqiptarë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, ju erdhët në krye të partisë si një figurë polemike, i adhuruar nga një pjesë e anëtarëve dhe i kritikuar po aq shumë nga një pjese tjetër. Në se do të përdorja një shprehje të sekretarit të përgjithshëm Pandeli Majko, para disa në këtë program të Zërit të Amerikës, “ju jeni një njeri i jashtëm, për këtë parti”. A mendoni se reformat e thella që synoni të zbatoni ju mund të bllokohen si rezultat i këtij imazhi që ekziston për ju tek një pjesë e socialistëve?

Edi Rama: Shprehjet e thëna në momente parazgjedhore nuk vlejnë më për momentet paszgjedhore. Meqë më dhatë rastin po përsëris me kënaqësi që Pandeli Majko është një bashkëpunëtor i sotëm, një kryeministër i djeshëm kur unë kam qenë Ministër i Kulturës dhe një mik i pardjeshëm në kohën kur ai militonte në Partinë Socialiste dhe unë militoja në radhët e shoqërisë civile për të sjell edhe njëherë demokracinë e marrë peng në Shqipërinë e kryeministrit aktual, atëhere president i Republikës së Shqipërisë. Ka një të kaluar shumë të gjatë bashkëpunimi dhe idesh që më bashkojnë mua sot me zotin Majko të cilin e ndjej si një bashkëpunëtor perfekt në këtë detyrë dhe me të cilin kam bindjen se do të kem një mirëkuptim të vazhdueshëm. Nuancat parazgjedhore nuk kanë më asnjë vlerë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, nga komentet që keni bërë deri tani, duket sikur gjendja në Partinë Socialiste është tepër rozë, pra sikur nuk ekziston asnjë problem dhe janë kapërcyer të gjitha. Duket paksa si e çuditshme kur vetëm dy tre ditë më parë gjendja komentohej si krizë. A shikoni ju probleme në këtë parti?

Edi Rama: Problemet e Partisë Socialiste unë i shoh gjetkë dhe sigurisht jam i bindur që janë probleme të mëdha por nga ana tjetër jam i bindur që nuk janë absolutisht ato problemthe që shkaktohen shpesh herë edhe artificialisht nga bymimi mediatik i një shprehjeje apo i një batute. Problemi themelor i Partisë Socialiste sot është reformimi dhe modernizimi i saj në funksion të kthimit në qeverisjen e vendit. Por për t’u kthyer në qeverisjen e vendit Partia Socialiste duhet të kalojë një provë shumë të madhe, provën e opozitës dhe për ta kaluar këtë provë me sukses ajo duhet të rigjejë vendin e humbur në zemrat e shqiptarëve. Ky është problemi më i madh i Partisë Socialiste. Problemi i partisë nuk janë më telenovelat pa fund e replikave dhe batutave nga një televizion në tjetrin, nga një gazetë në tjetrën e cila praktikisht për fat të keq të shumë shikueve, teleskektatorëve dhe dëgjuesve do të duhet të mbarojë dhe atyre do tu duhet të gjejnë një zbavitje tjetër.

Zëri i Amerikës: Pikërisht le të ndalemi në problemet programore le ti quajmë ose në problemet e vet partisë Socialiste. Një nga elementët që u përmend si një prej shkaqet e humbjes së socialistëve në zgjedhje ishte imazhi i përhapur gjerësisht se administrata ishte tepër e korruptuar. Veç imazhit publik, ka patur edhe akuza të brendëshme, brenda klaneve në PS për korrupsion, siç ka patur edhe ndaj jush. A përbën shqetësim për ju ky imazh dhe si mendoni ta përmirësoni atë?

Edi Rama: Akuzat e ndërsjellta brenda nesh janë pjesë pikërisht e kësaj telenovele, e kësaj historie që unë dëshiroj që të gjithë bashkë t’ja lemë të shkuarës duke hapur një faqe të re në historinë tonë të përbashkët dhe duke bërë që kjo faqe e re të mos u takojë më akuzave të ndërsjellta dhe shantazheve për arsye të pushtetit personal brenda Partisë Socialiste, por tu takojë socialistëve, atyre 60 mijë socialistëve që janë sot dhe që me shpresë dhe me punën tonë titanike do të duhet të bëhen 120 mijë në katër vitet e ardhshme, atyre socialistëve dhe eurosocialistëve që kërkojnë një hapësirë lirie për tu dëgjuar, për të propozuar dhe për të vendosur në funksion të një Shqipërie më të mirë.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, me ardhjen tuaj në krye të Partisë Socialiste a pritet të ketë ndryshime në marrëdhëniet me Partinë Demokratike, ose si do të jetë Partia Socialiste tashmë në opozitë?

Edi Rama: Partia Socialiste do të jetë një parti opozitare që shqiptarët nuk e kanë pasur deri më sot, do të jetë një parti moderne, një parti e vetëdishme se roli i opozitës nuk është ti vëri shkopinj nën rrota kundërshtarit politik për të stimuluar dështime të njëpasnjëshme sepse Partia Socialiste do të ketë vetëdijen që këto dështime nuk janë gjë tjetër veçse fatura që do të duhet ti paguajnë shqiptarët dhe ne nuk duam të rëndojmë mbi kurrizin e shqiptarëve më shumë sesa çdo të rëndojë qeveria me gabimet e veta, por duam që ta ftojmë në mënyrë të vazhdueshme qeverinë që të bëjë progres shumë më të madh nga ai që ajo do të jetë e prirur apo në gjendje të bëjë. Pra do të jemi një opozitë që do të flasim në emër të zhvillimit dhe jo në emër të frenimit, do të flasim në emër të gjithë shqiptarëve dhe jo në emër të interesave të brendëshme tonat për pushtet, do të flasim në emër të një Shqipërie evropiane dhe jo në emër të një Shqipërie që u kthye në një arenë kacafytjesh mes gjelash që nuk i bënë asnjë të mirë atij vendi përsa kohë dominuan si akuza si shpifje, si përbaltje, si kacafytje, si bllokime dhe djegie institucionesh. Historia e opozitës që qëndron përballë institucioneve si një turmë e rrezikshme që mund ti kthejë ato nga çasti në çast në shkrumb e hi është një histori që duhet konsideruar e mbaruar ashtu sikundër do konsideruar e mbaruar edhe historia e një opozite që lumturohet nga dështimet e qeverisjes së shqiptarëve.

XS
SM
MD
LG