Lidhje

Dy filma të rinj dhe një ekspozitë e Van Gogut tërheqin admiruesit


Një film që na sjell një dramë familjare, që është njëkohësisht një histori e bukur dashurie. Një film tjetër mbështetet tek jeta e një gruaje në Los Angeles që la karrierën si fotomodele, për një të ardhme të rrezikshme aventurash. Po ashtu do t’ju njohim me një ekspozitë të piktorit të famshëm Van Gogh që hapet në New York.

Të premten filloi të transmetohet në kinematë amerikane filmi Elizabethtown. Kjo dramë familjare, ka në qendër të subjektit të riun Drew Baylor, luajtur nga Orlando Bloom, i cili pushohet nga puna në një kompani të madhe këpucësh. Pas insistimit të nënës, Drew shkon në Kentucky për të transferuar eshtrat e të atit, i cili sapo ka vdekur. Në këtë udhëtim ai njihet me Claire, një stjuardesë optimiste, luajtur nga Kirstin Dunst, e cila i shpalos para syve një realitet krejt tjetër të një jete të thjeshtë dhe të përmbushur. Aktorit iu desh të kapërcente theksin e tij britanik dhe për të fliste me theksin amerikan për t'iu përshtatur subjektit. Eshtë shumë më e vështirë se ç'e mendon, pohon Bloom, por ai thekson se ishte e pashmangshme për realizimin e një filmi sa më të besueshëm. Orlando Bloom dhe Kirsten Dunst po u kundërvihen tani thashethemeve se gjatë xhirimit të filmit, kanë pasur mes tyre marrëdhënie që i kapërcejnë ato profesionalet.

Ekspozitë me piktura të Van Gogut në Nju Jork

Në Shtetet e Bashkuara hapet javën e ardhshme një ekspozitë e re me vepra të piktorit të famshëm holandez Van Gog. Ekspozita do të hapet në Muzeun Metropolitan dhe do të paraqesë 113 punime të artistit të zgjedhura nga koleksione private dhe publike në mbarë botën, të cilat shpalosin ndryshimet dhe gamën e krijimtarisë së Van Gogut gjatë dekadave të punës së tij. Ekspozita përqëndrohet kryesisht në skicat e punuara nga Van Gogu.

Piktori, i cili përgjithësisht zhvilloi aftësitë e tij në mënyrë autodidaktike, besonte se vizatimi ishte baza e gjithçkaje dhe një pjesë e pamohueshme e zhvillimit të tij si piktor. Në fillimet e karrierës së tij ai e ndjeu të nevojshme të punonte në bardh e zi, para se të fillonte të pikturonte me ngjyra. Nganjëherë ai zgjidhte të punonte në skica sesa në piktura thjesht për arsye ekonomike. Ekspozita përfshihen ndër të tjera edhe dy variante të skicës Kopshti Dimëror, njëra në format vertikal dhe tjetra në format horizontal, për herë të parë të ekspozuara së bashku, të cilat i përkasin periudhës së pjekurisë së aftësive të autorit në punimin e skicave.

Film mbi jetën e një aventuriereje të njohur nga Los Anxhelesi

Regjizori Tony Scott ka sjellë në ekran një portret të jetës së Domino Harvey-it, një personalitet i Los Anxhelosit mbi 10 vjet më parë. Ajo vendosi të braktiste karrierën e suksesshme si fotomodele dhe zgjodhi jetën e aventurieres në ndjekje të personave të kërkuar në Hollivud, në shkëmbim për para. Në rolin e Domino Harvey-it është Keira Knightley, aktorja 20-vjeçare që po përpiqet të luftojë imazhin e një bukurosheje delikate, të pasqyruar edhe në rolet e saj të mëparshme në filmat Pirates of the Caribbean dhe Pride and Prejudice.

"Nuk mendoj se ekziston një rol klasik për Keira Knightly. Për mendimin tim vetë profesioni i aktores nënkupton një zhdërvjellësi për t'iu përshtatur roleve të ndryshme dhe për të interpretuar në xhanre të ndryshëm. Nuk kam pasur rastin të luaj më parë në një film si Domino, por më ka pëlqyer gjithmonë puna e regjizorit Tony Scotts".

Personazhi kryesor i filmit, Domino Harvey, mendohej se ishte e destinuar për Hollivud, pasi i ati ishte aktori i njohur Laurence Harvey dhe e ëma bukuroshja Paulene Stone. Por ajo vendosi të përfshihet në një skuadër që ndjek shkelësit e ligjit në Los Anxhelos. Domino Harvey vdiq para përfundimit të filmit, dhe flitet se gjatë xhirimeve kishte shprehur disa herë pakënaqësi për mënyrën sesi ishin pasqyruar fakte të jetës së saj. Regjizori dhe trupa realizuese thonë se nuk po krijonin një dokumentar por një film artistik që e mori frymëzimin nga jeta e Domino Harveyt.

XS
SM
MD
LG