Lidhje

Në Greqi shfaqet rasti i parë i gripit të shpendëve


Greqia konfirmoi rastin e parë në vend të prekjes nga gripi i shpendëve. Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Evropian që ndodhen në Turqi për të parë gjendjen pas zbulimit të virusit të gripit të shpendëve, thonë se nuk ka shenja të një kërcënimi serioz për njerëzit. Deri tani nga gripi i shpendëve në Turqi kanë ngordhur 1 mijë e 800 shpendë, por zyrtarët thonë se periudha e inkubacionit ka kaluar dhe problemi tani është kryesisht për veterinerët.

Gripi i shpendëve është përhapur edhe në Rumani dhe të dyja vendet kanë asgjesuar mijëra shpendë në përpjekje për të frenuar përhapjen e infeksionit. Në Gjermani, shteti i Bavarisë, ndaloi panairet e shpendëve si një masë parandaluese. Britania po dërgon këtë javë ekspertë në Kinë dhe Vietnam për të hetuar rreth përpjekjeve që po bëhen atje dhe në dhjetor do të raportojë në një konferencë ndërkombëtare që do të mbahet në Londër për gripin e shpendëve.

Deri tani nga virusi kanë gjetur vdekjen 60 persona në Azi, kryesisht fermerë. Studiuesit kanë frikë se virusi mund të shumëfishohet duke kaluar me lehtësi nga një person tek tjetri.

XS
SM
MD
LG