Lidhje

Në Bagdad fillon gjykimi i Sadam Huseinit


Të mërkurën filloi në Bagdad gjyqi ndaj ish-udhëheqësit irakian Saddam Husseinit. Saddami tha në gjyq se është i pafajshëm lidhur me akuzat se në vitin 1982 dha urdhër për vrasjen e më tepër se 140 shiitëve në qytetin Duxhail, pas një atentati të dështuar ndaj tij.

Gjyqi filloi me refuzimin e Sadamit për t'iu përgjigjur urdhërit të gjykatësit për identifikimin e tij, duke deklaruar se ai është President i Irakut. Ai tha gjithashtu se nuk e njeh fare gjykatën. Televizioni irakian transmetoi pamje nga gjyqi, ku paraqiteshin Sadami dhe persona të tjerë të akuzuar nën masa të rrepta sigurie, duke ndjekur me vëmendje punimet. Edhe të shtatë personat e tjerë, ndaj të cilëve janë ngritur të njëjtat akuza, thanë se janë të pafajshëm.

Gjykatësi u deklaroi të pandehurve se mund të dënohen me ekzekutim, në se shpallen fajtorë. Më pas, ai e pranoi një kërkesë të mbrojtes për ta shtyrë gjyqin deri më 28 nëntor, për t'i dhënë më tepër kohë avokatit të Sadamit. Udhëheqës të lartë irakianë, iu bashkuan diplomatëve, gazetarëve dhe vëzhguesve të të drejtave të njeriut për të dëshmuar në gjyqin, që po zhvillohet në një sallë të ndërtuar posaçërisht në Zonën e Gjelbërt, një rajon mjaft i fortifikuar i Bagdadit.

Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se gjyqi është një hap me rëndësi për ndërtimin e një Iraku demokratik.

XS
SM
MD
LG