Lidhje

OKB-ja njofton për korrupsion në institucionet publike të Kosovës


Korrupsioni sistematik në kompanitë publike të Kosovës, ishte një nga shqetësimet kryesore të paraqitura nga zyra për kontrollin e brendshëm në OKB. Në një raport të fundit që kjo zyrë i ka paraqitur Asamblesë së Përgjithshme, lëshohet alarmi për një përshkallëzim të rasteve të njoftuara për abuzim seksual të paqeruajtësve në misionet paqeruajtëse në botë.

Në raport i kushtohet një vend i veçantë punës së një grupi hetimor pune pranë UNMIK-ut, që me ndihmën e zyrës së mbikqyrjes së OKB-së është përqendruar tek korrupsioni sistematik në ndërmarrjet publike. Hetuesit për 18 muaj kanë ndjekur akuzat më të rënda për korrupsion që kanë në lidhje me aeroportin e Prishtinës dhe e kanë nxjerrë në pah fakte inkriminuese, si edhe kanë njoftuar për shkelje të shumta administrative. Grupi i punës po merret me hetime në sektorin e energjisë, veçanërisht në lidhje me Korporatën Energjitike të Kosovës.

Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, ishte të mërkurën në Tiranë ku pohoi se ka korrupsion në institucionet publike në Kosovë, por shtoi se krimi i organizuar dhe korrupsioni përbëjnë një problem për të gjithë rajonin. Ai theksoi se rajoni i Ballkanit do të futet në Evrope, do të tërheqë investime të huaja, duke shtuar se për ta realizuar këtë synim nevojitet një shoqëri e bazuar në shtetin ligjor. Zoti Petersen tha se kjo vlen edhe për Kosovën.

Shefi i UNMIK-tha se prej kohësh misioni i OKB-së është përfshirë në aktivitete të shumta për të luftuar korrupsionin qoftë në institucionet ndërkombetare po ashtu dhe në ato lokale. Ai tha se ka patur rezultate dhe do të ketë edhe më shumë në ardhmen. Zoti Petersen tha se nësa ka korrupsion ne UNMIK para se gjithash, do të merret vetë UNMIK-me të, por ai garantoi se nuk është i atyre permasave që do të ndikojë në asnjë lloj mënyre në besueshmërinë e UNMIK-ut.

Një problem që ka kohë që përmendet për misionet paqeruajtëse është ai i shkeljeve nga ana e personelit të huaj në botë. Ky problem është aq serioz sa në raport pranohet hapur se disiplina e paqeruajtësve dhe anëtarëve të të tjerë të personelit ndërkombëtar në misionet e OKB-së në botë, konsiderohet si një nga çështjet më të mprehta me të cilat duhet të merret organizata.

Zyra e Mbikqyrjes ka vëzhguar 19 operacione paqeruajtëse në botë, para se të arrinte në këtë përfundim. Shumë anëtarë personelesh të këtyre misioneve mendojnë se në shumë raste ka shkelje nga ana e paqeruajtësve, por ato ose kalojnë pa u vënë re, ose pa u dënuar. Në raport njoftohet gjithashtu për vjedhje në sasi të mëdha të karburantit në misionet paqeruajtëse.

Zoti Petersen e pranoi në Tiranë se të gjitha misionet kanë probleme menazhimi, që është e vështirë të shmangen në raste të tilla kur drejtohen organizata të përbera nga 6 mije punonjës. Regulla të reja të paraqitura nga OKB-ja dje e bëjnë të qartë se abuzimi dhe shfrytëzimi seksual nga ana e paqeruajtësve përbëjnë shkelje serioze. Sipas këtyre rregullave, Sekretari i Përgjithshëm mund të shkarkojë çdo anëtar të personelit që kryen shkelje të rënda, por nuk përmendet konkretisht shfrytëzimi, apo abuzimi seksual.

XS
SM
MD
LG