Lidhje

Raport i ri mbi lirinë e shtypit në botë: Shqipëria në vendin e 62-të


Organizata për lirinë e shtypit Gazetarët pa Kufi, nxori sot raportin e përvitshëm mbi lirinë e shtypit në botë. Shqipëria ka shënuar këtë vit një rënie, duke u renditur 12 vende më poshtë se vitin e kaluar. Ndërkohë Kosova për herë të parë shfaqet në raportet e kësaj organizate, në vend të 100 nga 167 vende gjithsej, pra me probleme të shumta përsa i takon shtypit. Në një bisedë përfaqësuesja e kësaj organizate për Evropën, Paskal Bonamur foli për faktorët kryesorë mbi të cilët u bazua organizata për klasifikimin e saj:

“Faktori kryesor i rënies së Shqipërisë në renditje”, thekson zonja Bonamur, “ishte dhuna fizike e ushtruar nga një zyrtar i qeverisë lokale të Korçës ndaj gazetares, Juliana Dimitri, gjatë një debati të tij politik me një rival”. Siç shpjegon shefja e zyrës për Evropën e Organizatës Gazetarët pa Kufi, raporti është bazuar në rezultatet e një pyetësori me 50 kritere, që plotësohet nga dy burime të pavarura nga shtatori 2004 deri në shtator 2005.

Problem tjetër serioz në Shqipëri është ndikimi i interesave të biznesit mbi shtypin, gjë që bën të nevojshme kualifikimin e gazetarëve për të balancuar nevojat financiare të shtypit me përgjegjësinë e tyre për informim të pavarur:

“Gazetës i duhen fonde, por ekziston edhe problemi i etikës profesionale dhe vija ndarëse ndërmjet këtyre dy përparësive për fat të keq në Shqipëri është disi e zbehtë. Zgjidhje të mundshme të këtij problemi, do të ishin ndryshime në kodin ligjor dhe caktimi i standarteve për shtypin që përputhen me ato ndërkombëtare”.

Por ky është një problem që kërkon shumë kohë, thotë zyrtarja e organizatës. Raportet për lirinë e shtypit në botë, Organizata Gazetarët pa Kufi filloi t’i botojë para 4 vjetësh dhe sivjet, për herë të parë në to është renditur edhe Kosova. Kosova ndodhet në vendin e 100-të nga 167 vende në renditje.

“Kjo renditje tregon se Kosova ka marrë vlerësim shumë të dobët. Një ndër arsyet është vrasja e një gazetari të së përditshme Bota Sot në muajin qershor nga plagët e marrë nga persona të paidentifikuar”.

Sipas zonjës Bonamur, një problem i mprehtë në Kosovë, është anëshmëria e shtypit në vija etnike:

“Në Kosovë gjendja është veçanërisht e vështirë pasi ka komunitete të ndryshme të detyruara të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin. Kjo ka çuar edhe në politizimin e gazetarëve”.

Megjithatë, zonja Bonamur shprehet optimiste se Kosova do të lëvizë në një pozicion më të mirë me konsolidimin e demokracisë dhe se me përparimin e procesit politik do të përmirësohet edhe liria e shtypit. Ky është edhe funksioni i këtij raporti, thotë zyrtarja, pra vëzhgimi nga afër i mbarëvajtjes së lirisë së shtypit në vende të ndryshme nga një vit në tjetrin. Organizata Gazetarët pa Kufi nuk është e angazhuar në ndihmë të drejtëpërdrejtë për shtypin në këto vende, por përdor këtë raport si mjet për të ushtruar presion mbi qeveritë përkatëse që t’i krijojnë hapësirën e nevojshme shtypit të lirë.

Raporti arrin në një numër përfundimesh interesante, dhe disi të papritura: Për shembull, nuk ka lidhje ndërmjet zhvillimit ekonomik të një vendi dhe nivelit të lirisë së shtypit. Për shembull disa vende si Benini dhe Mali, renditen më lart edhe se vende anëtare të Bashkimit Evropian si Italia dhe Spanja. Raporti thekson gjithashtu se liria e shtypit nuk varet nga jetëgjatësia e një shteti dhe se ka edhe shtete të sapo-krijuara si Sllovenia, Estonia, Letonia, apo Bosnje-Hercegovina, që renditen lart në listë.

XS
SM
MD
LG