Lidhje

Përpjekje e të rinjve për pajtimin e komuniteteve shqiptare dhe serbe të Mitrovicës


Kohët e fundit ishin për vizitë në Uashington disa të rinj, anëtarë të Këshillit Gjithëpërfshirës të të Rinjve të Mitrovicës, për t’i njohur zyrtarët dhe publikun amerikan me punën e tyre për pajtimin e komuniteteve të këtij qyteti të ndarë dhe ngjarjet aktuale në Kosovë. Ata folën për nismën e tyre në Institutin Amerikan të Paqes.

Gjashtë vjet pas luftës në Kosovë, Mitrovica ende mbetet një qytet i ndarë mes shqiptarëve dhe sërbëve. Por nën drejtimin e Shërbimit Katolik të Ndihmave, të rinjtë nga të dy komunitetet kanë ndërmarrë një nismë për angazhimin e bashkëmoshatarëve të tyre dhe të udhëheqjes së qytetit në një dialog ndëretnik për pajtimin dhe rintegrimin e qytetit të tyre.

Daniel Serwer, Drejtor i Programit për Paqen e Stabilitetin dhe Nismën Ballkanike në Institutin amerikan të Paqes, tha se Mitrovica është një nga dështimet më të mëdha të Komunitetit Ndërkombëtar.

“Ky është me të vërtetë turp për komunitetin ndërkombëtar. Ky është një dështim i pabesueshëm. Shuma tepër të mëdha janë shpenzuar në Mitrovicë. Por asgjë nuk është bërë për t’i përgatitur njerëzit për t’u riintegruar”.

Dy të rinj shqiptarë, Adnan Hasi dhe Artan Ibrani, dhe një e re sërbe, Jelica Radomirovic, nga Mitrovica thanë se punuan me këmbëngulje për dy vjet me radhë për të krijuar në vitin 2003 Këshillin Gjithëpërfshirës të të Rinjve të Mitrovicës për pajtimin dhe riintegrimin e qytetit.

22 vjeçari, Adnan Hasi, i cili punon me Shërbimin Katolik të Ndihmave tha se veçanërisht në Mitrovicë tensionet, trazirat, protestat dhe demonstratat janë aktivitete të jetës së përditëshme.

“Mitrovica është një qytet i ndarë në shumë drejtime. Ai është i ndarë fizikisht nga ura, është i ndarë nga natyra me lumin Ibër, që praktikisht kalon nëpër qendrën e qytetit, si dhe psikologjikisht dhe mendërisht pas luftës në Kosovë, sepse njerëzit nuk kanë patur mundësi të kalojnë urën për të shkuar në anën tjetër të qytetit të ndarë mes dy komuniteve. Në mjaft raste përpjekja për të kaluar urën ka çuar në vrasje”.

Por me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, dhe pikërisht Institutit Amerikan të Paqes, të rinjtë e shkollave të mesme nga të dy komunitetet e Mitrovicës morrën pjesë për dy vjet me radhë në seminare dhe takime për t’i afruar ata me njeri-tjetrin dhe për të diskutuar probleme me interes të përbashkët si mungesa pajisjeve mësimore në shkolla, mungesa e librave, pasiguria gjatë qendrimit në shkollë e kështu me radhë.

Po një problem veçanërisht shqetësues për ta ishte edhe vizita në varrezat e të afërmve të tyre. Për çudi, shqiptarët që banojnë në pjesën jugore të qytetit i kanë varrezat në veri, ndërsa sërbët që jetojnë në zonën veriore i kanë varrezat në jug, gjë që i bënte të pamundura vizitat e tyre në, pa u shoqëruar nga trupat e KFOR-it, por çfarë është edhe më keq, varrezat janë shkatërruar.

18 vjeçarja Jelica Radomirovic tha se Këshilli Gjithëpërfshirës i të Rinjve të Mitrovicës udhëhiqet në veprimtarinë e tij nga dëshira për ripajtimin dhe rintegrimin e grupeve të ndryshme etnike në Kosovë.

“Unë besoj në këtë organizatë sepse ajo nuk është politike, por konkrete dhe pozitive. Ne jemi të rinj plot energji. Ne kemi më shumë dashri dhe mirëkuptim për njeri tjetrin, prandaj njerëzit kanë besim tek ne. Ne jemi e ardhmja e botës”.

19 vjeçari Artan Ibrani i Këshillit Gjithëpërfshirës të të Rinjve të Mitrovicës është angazhuar në aktivitete për ripajtimin dhe riintegrimin e qytetit rreth 4 vjet më parë, që kur ishte 15 vjeç. Ai tha se shumë pak njerëz janë në dijeni të problemeve që ka Mitrovica, përveç faktit se ai është një qytet i ndarë. Në qytet mungon uji i pijshëm, mungon elektriciteti, njerëzit pinë shumë duhan dhe qyteti nuk mbahet pastër. Për të pasqyruar jetën në qytet për një publik të gjerë, të rinjtë organizuan një projekt mjaft interesant.

“Ne zhvilluam një projekt me temë “Një ditë në Mitrovicë përmes syve të rinisë”. Brenda një dite, për 24 orë me radhë anëtarët e Këshillit Gjithëpërfshirës të të Rinjve të Mitrovicës bënë 900 fotografi për një ekspozitë që të pasqyronte jetën në qytet. Ekspozita u hap në qendrën kulturore të Mitrovicës dhe tërhoqi një numër shumë të madh vizitorësh”.

Këshilli Gjithëpërfshirës i të Rinjve të Mitrovicës është i angazhuar që jo vetëm të vazhdojë me intensitet punën në këtë qytet, por të shtrijë veprimtarinë e tij edhe në qytete të tjera shumetnike si Vushtria, Peja, Istogu, Zveçani, Leposaviçi dhe Zubinpotoku, për të ndihmuar në zhvillimet për ndërtimin e një Kosove shumetnike dhe paqësore.
XS
SM
MD
LG